Presidentja Atifete Jahjaga priti Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, z. Urban Ahlin.

Presidentja Jahjaga e falënderoi z. Ahlin për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Suedisë i ka dhënë Kosovës  në procesin e shtetndërtimit dhe theksoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe për proceset e integrimit në strukturat euroatlantike.
 
Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit si dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Ajo nënvizoi se, përkundër sfidave, Kosova sot është promotore e paqes dhe e stabilitetit në rajon, dhe ky është sukses i përbashkët i institucioneve, qytetarëve të Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtarë.
 
Presidentja Jahjaga dhe Kryetari i Parlamentit të Suedisë, z. Urban Ahlin, biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, dhe u dakorduan se përpos arritjes së marrëveshjeve për normalizimin e  marrëdhënieve midis dy shteteve, është shumë i rëndësishëm angazhimi konkret për implementimin e tyre në praktikë.
 
Kryetari i Parlamentit të Suedisë, z. Urban Ahlin, shprehu përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet dhe qytetarët e Kosovës në të gjitha sferat me interes dypalësh si dhe në procesin e integrimi të vendit tonë në Bashkimin Evropian.  Ai theksoi se Suedia është përkrahëse e politikës së zgjerimit të BE-së dhe mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai theksoi se migrimi ilegal ka vështirësuar këtë proces, por gjithashtu tha se Kosova duhet të përmbushë të gjitha kriteret në kuadër të këtij dialogu.