Presidentja Jahjaga takoi Kryeministrin dhe drejtues të institucioneve të sigurisë dhe të gjyqësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi Kryeministrin e Kosovës, zotëri Hashim Thaçin, kryeprokurorin zotëri Sylë Hoxha, kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, zotëri Enver Pecin, drejtorin e Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhunin dhe zëvendësdrejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, zotëri Muharrem Ajeti në një takim të përbashkët për të vlerësuar zhvillimet aktuale në vend pas seancës së fundit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Duke vlerësuar punën e këtyre institucioneve dhe mekanizmave dhe kontributin e tyre, Presidentja Jahjaga theksoi të nevojshëm harmonizimin e mëtutjeshëm të institucioneve të mandatuara për ruajtjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, implementimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me Republikën e Serbisë dhe përshpejtimin e reformave të cilat lidhen me përmbushjen e standardeve të përcaktuara për proceset integruese të Kosovës dhe liberalizimin e vizave.