Presidentja Jahjaga dekretoi 8 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pas konsultimeve dje dhe sot, me të gjitha partitë politike, ka dekretuar 8 qershorin si datë në të cilën do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ka dhënë një deklaratë për media, të cilën po e sjellim të plotë në vijim:

Pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për shpërndarje, kam zhvilluar gjatë ditës së djeshme dhe të sotme takime konsultative me të gjitha partitë politike në vend për përcaktimin e datës më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend. Kam takuar edhe kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të biseduar për aspektet teknike të zgjedhjeve dhe mundësinë e përgatitjes së Komisionit për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Pas njoftimit zyrtar nga Kuvendi i Kosovës për vendimin për shpërndarje, e kam dekretuar gjatë ditës së djeshme këtë vendim.

Me vendimin e Kuvendit të Kosovës për shpërndarjen e tij, vendi ka hyrë në një proces të rëndësishëm zgjedhor, që do të vendos edhe të ardhmen demokratike të tij.

Bazuar në konsultimet me partitë politikë ne vend dhe me kryetaren e KQZ-së dhe bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe në respektimin të afateve ligjore, kam marrë vendimin për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend me datë 8 qershor.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të dëshmojnë gatishmërinë tonë për të garantuar votën e lirë të qytetarit të Kosovës. Këto zgjedhje duhet të vëzhgohen nga afër për të garantuar një proces të rregullt. Në ditët në vijim do të kërkoj edhe nga Bashkimi Evropian që të dërgoj një mision vëzhgues të përcjellë nga afër zhvillimet në procesin e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Që nga ky moment, i bëj thirrje të gjithë spektrit politik të Kosovës për një fushatë zgjedhore të dinjitetshme, dhe të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim, që të marrin pjesë në mënyrë masive në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit, për të siguruar një proces të drejtë, sepse këto zgjedhje shënojnë një test të rëndësishëm të zhvillimit të demokracisë sonë të brendshme.

Ne kemi dëshmuar, edhe me zgjedhjet e fundit lokale, pjekurinë politike në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Unë do të takoj mekanizmat e mandatuar për të mbrojtur votën, për t’u siguruar që zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të përmbushin pritjet tona.