Presidentja Atifete Jahjaga u prit nga Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, zotëri Joachim Gauck, me nderime të larta ushtarake.

Në një takim miqësor dhe shumë të përzemërt, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Gauck biseduan për çështje të interesit të përbashkët, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, procesin e integrimeve evropiane për Kosovën dhe rajonin e Evropës Juglindore, si dhe për zhvillimet demokratike në vend.

Presidentja Jahjaga fillimisht i shprehu falënderimet më të përzemërta në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës për përkrahjen e madhe që Republika Federale e Gjermanisë i ka dhënë Kosovës, ndihmë kjo që ka qenë shumëdimensionale dhe ka prekur çdo aspekt të rindërtimit të shtetit të Kosovës. 

Presidentja Jahjaga shprehu gjithashtu falënderimin për përkrahjen politike dhe ushtarake që Gjermania i ka dhënë fushatës ajrore të NATO para 14 vjetësh për t’u dhënë njerëzve të Kosovës mundësinë që për herë të parë në historinë e tyre të re të shijojnë lirinë, që për herë të parë të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre, që për herë të parë të jenë zot të fatit të tyre.

Presidentja Jahjaga theksoi se Gjermania vazhdon ta ndihmojë Kosovën në perspektivën evropiane të saj dhe nënvizoi rëndësinë e përkrahjes në procesin e demokratizimit të Kosovës. Ajo tha se Kosova nuk do një shkurtim të rrugës evropiane, sepse ka nevojë për reforma të thella që do të jenë në shërbim dhe në dobi të vet qytetarëve të Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot ka nevojë për përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave, sepse ka mbetur vendi i vetëm në rajon që nuk është përfshirë në këtë proces dhe theksoi se kjo çështje mbetet shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të përkushtuara që t’i përmbushin të gjitha kriteret, tha Presidentja Jahjaga, duke kërkuar përkrahjen e Gjermanisë për të përmbyllur me sukses këtë çështje.

Duke folur për normalizimin e stabilizimin e Kosovës dhe të rajonit, ajo e vlerësoi dialogun me Republikën e Serbisë si mënyrën e vetme për të avancuar agjendën evropiane të të dyja vendeve dhe për të pambyllur një kapitull të rëndë të historisë. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut në Bruksel, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur fuqishëm nga SHBA-ja, të cilat duhet të zbatohen në tërësi.

Ajo tha se të dyja vendet duhet të monitorohen për zbatim të suksesshëm të marrëveshjes, sepse përmbyllja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, edhe në rrafshin politik, është garanci e vetme se Evropa Juglindore do të jetojë në paqe dhe në përqafim të vlerave evropiane.

Presidentja Jahjaga theksoi se ky proces i dialogut - pasi të janë shterur të gjitha çështjet mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një traktati me peshë ligjore – që do të ishte edhe baza mbi të cilën të dyja vendet do të merrnin përgjegjësitë për anëtarësim individual në BE.

Ajo theksoi se anëtarësimi në BE është tejet i rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës dhe është e vetmja rrugë e rajonit dhe është agjenda e vetme që bashkon të gjithë pa dallim.

Presidentja Jahjaga theksoi se vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj, është me rëndësi të posaçme, sepse do të ndihmonte avancimin e proceseve demokratike në vend. Ajo tha se është i domosdoshëm integrimi i komunitetit serb në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës që ata të gëzojnë benefitet që ua garanton Kushtetuta e Kosovës dhe t’i bartin përgjegjësitë si çdo qytetar i Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës theksoi se një test i gatishmërisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të ecur rrugës së normalizimit të marrëdhënieve, janë zgjedhjet komunale që do të mbahen në Kosovë me 3 nëntor, që njëherit janë zgjedhjet e para që organizohen në tërë territorin e Kosovës njëkohësisht. Ajo tha se institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të dalin masovikisht në këto zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë dhe për t’u bërë pjesë e integruar e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Republikës së Gjermanisë, zotëri Joachim Gauck, duke i uruar mirëseardhje Presidentes Jahjaga, i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira. Ai tha se Gjermania ka qëndruar përkrah Kosovës në të gjitha periudhat dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në proceset e demokratizimit të vendit dhe në rrugën evropiane të Kosovës.

Presidenti Gauck theksoi se perspektiva evropiane e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Evropës Juglindore është e qartë dhe vlerësoi se është e nevojshme përmbushja e standardeve dhe kritereve të përcaktuara. Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë u interesua veç të tjerash edhe për zhvillimet e tjera politike në Kosovë dhe në veçanti për procesin e zhvillimit ekonomik si dhe mundësinë e investimeve të huaja në vend.