Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Mohammed Amr

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit Mohammed Amr Presidentja Jahjaga e informoi bashkëbiseduesin për progresin që e ka arritur Republika e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj.

Ajo theksoi se shteti i Kosovës është tashmë një realitet ndërkombëtar i pranuar nga 86 vende të botës dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një rast sui generis në botë dhe ai nuk mund të merret si pretekst për lëvizjet secesioniste në botë. Ajo më tej theksoi se pavarësia e Kosovës buron nga vullneti i popullit të Kosovës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka qartësuar se ajo nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Presidentja Jahjaga në takim me Ministin Amr shtroi edhe kërkesën që shteti i Egjiptit ta njoh Republikën e Kosovës dhe kërkoi përkrahjen e këtij shteti për anëtarësim të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ministri Amr nga ana e tij e vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe theksoi që shteti i Egjiptit po ndjekë me interes zhvillimet në Kosovë dhe është i interesuar që të vendos marrëdhënie të afërta bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.

Ai rikujtoi që Egjipti edhe pse nuk e ka njohur formalisht Republikën e Kosovës, e ka përkrahur anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.