Presidentja Jahjaga priti presidentin e Hondurasit Porfirio Lobo Sosa

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot Presidentin e Republikës së Hondurasit, zotëri Porfirio Lobo Sosa. Presidenti Lobo Sosa e ka falënderuar Presidenten Jahjaga për mikpritjen e ofruar dhe vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

Ai tha se vendi i tij e ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe theksoi të drejtën e saj në tërësinë territoriale si dhe jetesën në paqe. Presidenti i Hondurasit shprehu gatishmërinë e tij që të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në procesin e njohjeve tek vendet e Amerikës Qendrore. Ai tha se do të angazhohet që Kosova të njihet së shpejti nga Republika Dominikane. Presidenti Lobo Sosa tha se vendet e Amerikës Qendrore kanë bashkëpunim të mirë mes vete dhe bëri me dije se në kuadër të delegacionit që po viziton Kosovën ka edhe përfaqësues të shtetit të Salvadorit.
 
Presidenti Lobo Sosa tha se zhvillimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Hondurasit është i rëndësishëm dhe u angazhua për ndihmë Kosovës në të gjitha fushat.
 
Ai i bëri ftesë Presidentes së Kosovës që ta vizitojë Hondurasin. .
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, i ka uruar mirëseardhje presidentit të Hondurasit dhe e ka vlerësuar kontributin e tij për Kosovën në procesin e njohjeve. Ajo tha se të dyja vendet kanë një bashkëpunim të mirë dhe se ai duhet të zgjerohet edhe në fusha të tjera.
 
Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është një vend Evropian që perspektivën e saj e sheh në anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe kjo rrugë tha Presidentja, nuk ka alternativë.
 
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa dhanë deklaratë për media. Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e Presidentes Jahjaga pas takimit me Presidentin Lobo Sosa:
 
Të nderuar gazetarë
 
Me Presidentin e Republikës së Hondurasit, zotëri Porfirio Lobo Sosa, patëm një bisedë të mirë dhe konstruktive. I shpreha falënderimet e mia për lobimin dhe për njohjet, dhe për angazhimin e tij personal për Republikën e Kosovës. Presidentin e Hondurasit, duke i dëshiruar mirëseardhje për vizitën në Republikën e Kosovës, e njoftova për synimet e Republikës së Kosovës për t’u bërë vend anëtar i OKB-së dhe vend i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s
 
Gjithashtu biseduam për marrëdhëniet bilaterale dhe për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimi në shtet-ndërtim dhe në avancimin e proceseve demokratike, tha Presidentja Jahjaga.
 
Me Presidentin e Republikës së Hondurasit biseduam edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë që po mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
 
E njoftova se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm që ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajon, se sovraniteti integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i vendit janë çështje të panegociueshme, ndërsa dialogu ndihmon në përmirësimin e jetës dhe të punës së qytetarëve të të dyja vendeve, në relaksimin e marrëdhënieve dhe në zgjidhje të çështjeve praktike.
 
Republika e Kosovës ka nevojë për marrëdhënie bilaterale me shtetet e tjera dhe në këtë bazë marrëdhëniet me Republikën e Hondurasit i cili falë edhe Presidentit të këtij vendi është një vend mik që ndihmon në përhapjen e së vërtetës për Kosovën në vendet e Amerikës së Mesme dhe Amerikës Latine, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.