Presidentja Shiroka Pula pranon letra urimi nga Mbreti i Suedisë dhe presidentët e Hungarisë dhe Letonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar letra urimi nga Mbreti i Suedisë, dhe presidentët e Hungarisë dhe Letonisë me rastin e zgjedhjes dhe marrjes së detyrës së saj si Presidente e Republikës së Kosovës. Mbreti i Suedisë, Carl Gustaf R, ka shprehur urimet e sinqerta për Presidenten Shiroka Pula, duke i dëshiruar shëndet asaj dhe mirëqenie e prosperitet popullit të Kosovës. Në letrën e urimit, Presidenti i Hungarisë, Z. András Baka ka rikonfirmuar mbështetjen e shtetit të tij për integrimin euro-atlantik të Kosovës, si dhe për përpjekjet e saj për stabilitet, paqe dhe prosperitet ekonomik në rajon, duke theksuar kontributin ushtarak të vazhdueshëm të Hungarisë në misionin e KFOR-it. Kurse Presidenti i Republikës së Letonisë, Z. Edgars Rinkēvičs, ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore në mes dy vendeve dhe ka rikonfirmuar angazhimin e Letonisë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë kontributin e vazhdueshëm në misionin e KFOR-it, si dhe mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula vlerëson filmin “DUA” dhe përgëzon regjisoren Blerta Basholli për suksesin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mbrëmë në kinemanë Cineplexx, mori pjesë në shfaqjen e filmit “DUA”, me regji dhe skenar të Blerta Bashollit, të organizuar në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Presidentja e vlerësoi filmin për mënyrën se si e trajton luftën në Kosovë nëpërmjet përvojave dhe botës emocionale të të rinjve. “Filmat si ky kanë rol jashtëzakonisht të madh në ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e të vërtetës sonë, sikurse edhe në përcjelljen e përvojës së Kosovës te brezat e rinj dhe publiku ndërkombëtar”, është shprehur Presidentja Shiroka Pula. Në këtë kontekst, Presidentja përgëzoi regjisoren Blerta Basholli dhe ekipin për realizimin e filmit dhe suksesin ndërkombëtar. Filmi “DUA” është vlerësuar me çmimin SACD në Festivalin e Filmit në Cannes, në kuadër të programit “Semaine de la Critique”, si dhe me tri çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Historik në Belgjikë.
Fjalimi i Presidentes Shiroka Pula me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956

Në 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez të vitit 1956, jemi bashkë sonte për ta kujtuar guximin e qytetarëve hungarezë në përpjekjen e tyre për liri, dinjitet dhe pavarësi. Aspiratat që frymëzuan këtë qëndresë mbeten pjesë e trashëgimisë evropiane dhe na kujtojnë rëndësinë e mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të drejtës së çdo populli për ta përcaktuar të ardhmen e vet. Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre. Prandaj, kur kujtojmë Revolucionin Hungarez të vitit 1956, e kuptojmë domethënien e kësaj date për popullin hungarez. Qëndresa e qytetarëve hungarezë përballë shtypjes është pjesë e historisë evropiane të lirisë. Lidhjet historike ndërmjet ne shqiptarëve dhe hungarezëve dëshmohen edhe nga marrëdhëniet e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me heroin tuaj Janosh Huniadin dhe, më vonë, me të birin e tij, Matias Korvinin. Këto marrëdhënie zhvilluan në një periudhë të rëndësishme të historisë evropiane. Shembulli i tyre na rikujton se bashkëpunimi ndërmjet popujve, kur mbështetet në interesa dhe synime të përbashkëta, mund t`i kapërcejë kufijtë dhe dallimet. Kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi të rëndësishme edhe në marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Miqësia ndërmjet dy vendeve është dëshmuar edhe në kohën tonë, përmes marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimit në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë. Hungaria e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2008 dhe aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it, i cili ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit në Kosovë. Bashkëpunimi në arsim, përfshirë mundësitë që ofron programi i bursave Stipendium Hungaricum, u krijon të rinjve kosovarë hapësira për dije, shkëmbim përvojash dhe lidhje të reja me institucionet dhe shoqërinë hungareze. Edhe marrëdhëniet ekonomike dhe dialogu politik krijojnë mundësi për ta thelluar më tej partneritetin tonë. Të nderuar të pranishëm, Përvjetori i Revolucionit Hungarez të vitit 1956 është një rast për të nderuar guximin e atyre që u ngritën për liri dhe për të reflektuar mbi vlerat që i bashkojnë shoqëritë tona. Për Kosovën, miqësia me Hungarinë është pjesë e një marrëdhënieje që ndërthur historinë me bashkëpunimin e sotëm dhe synimet për të ardhmen. Ne besojmë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mund të forcohen më tej përmes respektit të ndërsjellë, dialogut të hapur dhe bashkëpunimit konkret. Si Kosova, ashtu edhe Hungaria kanë interes që Evropa të jetë një hapësirë paqeje, sigurie, demokracie dhe mundësish për të gjithë qytetarët. Në këtë ditë, në emër të qytetarëve të Kosovës, shpreh respektin për historinë dhe qëndresën e popullit hungarez, si dhe bindjen se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë do të vazhdojë të zhvillohet në dobi të qytetarëve tanë dhe të një të ardhmeje evropiane të ndërtuar mbi paqen, lirinë dhe bashkëpunimin. Qoftë e bekuar miqësia ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë! Faleminderit!
Presidentja Shiroka Pula me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956: Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956. Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja Shiroka Pula, ka thënë se në 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez të vitit 1956, jemi bashkë sonte për ta kujtuar guximin e qytetarëve hungarezë në përpjekjen e tyre për liri, dinjitet dhe pavarësi. Ajo tha se aspiratat që frymëzuan këtë qëndresë mbeten pjesë e trashëgimisë evropiane dhe na kujtojnë rëndësinë e mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të drejtës së çdo populli për ta përcaktuar të ardhmen e vet. “Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula. Prandaj, shtoi ajo, kur kujtojmë Revolucionin Hungarez të vitit 1956, e kuptojmë domethënien e kësaj date për popullin hungarez, duke theksuar se, qëndresa e qytetarëve hungarezë përballë shtypjes është pjesë e historisë evropiane të lirisë. “Lidhjet historike ndërmjet ne shqiptarëve dhe hungarezëve dëshmohen edhe nga marrëdhëniet e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me heroin tuaj Janosh Huniadin dhe, më vonë, me të birin e tij, Matias Korvinin. Këto marrëdhënie zhvilluan në një periudhë të rëndësishme të historisë evropiane”, ka theksuar Presidentja Shiroka Pula. Sipas saj, shembulli i tyre na rikujton se bashkëpunimi ndërmjet popujve, kur mbështetet në interesa dhe synime të përbashkëta, mund t`i kapërcejë kufijtë dhe dallimet. “Kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi të rëndësishme edhe në marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Miqësia ndërmjet dy vendeve është dëshmuar edhe në kohën tonë, përmes marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimit në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë. Hungaria e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2008 dhe aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it, i cili ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit në Kosovë. Bashkëpunimi në arsim, përfshirë mundësitë që ofron programi i bursave Stipendium Hungaricum, u krijon të rinjve kosovarë hapësira për dije, shkëmbim përvojash dhe lidhje të reja me institucionet dhe shoqërinë hungareze. Edhe marrëdhëniet ekonomike dhe dialogu politik krijojnë mundësi për ta thelluar më tej partneritetin tonë” theksoi Presidentja Shiroka Pula. Ajo më tej tha se përvjetori i Revolucionit Hungarez të vitit 1956 është një rast për të nderuar guximin e atyre që u ngritën për liri dhe për të reflektuar mbi vlerat që i bashkojnë shoqëritë tona. “Për Kosovën, miqësia me Hungarinë është pjesë e një marrëdhënieje që ndërthur historinë me bashkëpunimin e sotëm dhe synimet për të ardhmen. Ne besojmë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mund të forcohen më tej përmes respektit të ndërsjellë, dialogut të hapur dhe bashkëpunimit konkret. Si Kosova, ashtu edhe Hungaria kanë interes që Evropa të jetë një hapësirë paqeje, sigurie, demokracie dhe mundësish për të gjithë qytetarët”, ka pohuar Presidentja. Në fund, Presidentja Shiroka Pula tha se në këtë ditë, në emër të qytetarëve të Kosovës, shpreh respektin për historinë dhe qëndresën e popullit hungarez, si dhe bindjen se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë do të vazhdojë të zhvillohet në dobi të qytetarëve tanë dhe të një të ardhmeje evropiane të ndërtuar mbi paqen, lirinë dhe bashkëpunimin.
Presidentja Shiroka Pula priti në takim profesorin amerikan Edward Joseph

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim profesorin amerikan Edward Joseph, ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Politikës së Jashtme të Universitetit John Hopkins, në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS), i cili e përgëzoi për marrjen e detyrës dhe i dëshiroi sukses në ushtrimin e mandatit. Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula dhe profesori Joseph biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon. Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për urimet dhe vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të dialogut me miqtë dhe partnerët për çështjet me interes të përbashkët.
Presidentja Shiroka Pula: Puna dhe vepra e akademik Hivzi Islamit do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në promovimin e dy veprave shkencore të akademik Hivzi Islamit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Me këtë rast, Presidentja Shiroka Pula tha se këto dy vepra shkencore, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij shumëvjeçare dhe të kontributit të jashtëzakonshëm në studimin e popullsisë së Kosovës dhe të shqiptarëve. Por, sipas Presidentes Shiroka Pula, kjo ditë ka një domethënie më të gjerë sesa promovimi i dy librave apo shënimi i një jubileu, sot nderojmë një jetë të tërë kushtuar dijes, shkencës, arsimit universitar, zhvillimit institucional dhe interesit të përgjithshëm të vendit tonë. “Në historinë e çdo institucioni shkencor ka personalitete që nuk dallohen vetëm për veprat që kanë shkruar, por edhe për gjurmët që kanë lënë në zhvillimin e vetë institucionit, në formimin e brezave të rinj dhe në afirmimin e shkencës në hapësirën kombëtare e ndërkombëtare. Një personalitet i tillë është pa dyshim akademik Hivzi Islami”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula. Ajo më tej tha se për të personalisht, kjo ditë ka edhe një vlerë të veçantë, ngase, si kolege e tij prej shumë vitesh, ka pasur mundësinë ta njoh nga afër përkushtimin e tij ndaj punës shkencore, seriozitetin profesional, përgjegjësinë institucionale dhe këmbënguljen për të ruajtur e avancuar autoritetin e Akademisë. “Prandaj, kam dëshiruar prej kohësh që këtë përvjetor ta shënojmë në mënyrë dinjitoze, jo vetëm për të vlerësuar veprën e tij shkencore, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen tonë për gjithçka që ka bërë për Universitetin, Akademinë dhe shkencën shqiptare”, theksoi Presidentja Shiroka Pula. Presidentja Shiroka Pula më tej tha se tetëdhjetë vjet jetë dhe më shumë se pesë dekada veprimtari akademike e shkencore përbëjnë një rrugëtim të gjatë, të pasur me punë, përgjegjësi, sfida dhe arritje, e që sipas saj, është një rrugëtim që meriton respekt dhe vlerësim të veçantë. “Një ndër meritat e tij të veçanta është institucionalizimi i demografisë si disiplinë shkencore dhe universitare në Kosovë. Ai organizoi studimet pasuniversitare në këtë fushë dhe kontribuoi drejtpërdrejt në përgatitjen e brezave të studiuesve të rinj, shumë prej të cilëve vazhduan rrugën e tyre akademike e shkencore”, pohoi Presidentja Shiroka Pula. Sipas Presidentes Shiroka Pula, veprimtariam krijuese e akademik Islamit dëshmon jo vetëm besimin që kolegët kanë pasur ndaj tij, por edhe përkushtimin e vazhdueshëm të tij për zhvillimin, organizimin dhe afirmimin e Akademisë. Presidentja Shiroka Pula tha se kontributi shkencor i akademik Islamit është i gjerë dhe shumëdimensional. “Ai konsiderohet me të drejtë njëri ndër themeluesit e demografisë moderne shqiptare dhe ndër studiuesit më të njohur të proceseve demografike në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare. Veprimtaria e tij përfshin disa libra shkencorë dhe mbi 150 studime e artikuj të botuar në revista dhe publikime shkencore vendore e ndërkombëtare”, ka thënë Presidentja. Sipas Presidentes Shiroka Pula, ajo që e dallon veprën e akademik Islamit është qasja e tij gjithëpërfshirëse ndaj fenomeneve demografike. Presidentja Shiroka Pula, më tej ka thënë se Kosova sot përballet me sfida të mëdha demografike dhe socioekonomike: emigrimin, largimin e të rinjve, ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë, rënien e lindshmërisë dhe ndikimin e këtyre proceseve në tregun e punës, në ekonomi dhe në zhvillimin afatgjatë të vendit. Sipas Presidentes, vepra e parë, “Kosova: Tranzicioni i fundit demografik në Evropë”, paraqet një trajtim të thelluar të proceseve të transformimit demografik të popullsisë së Kosovës. Në fund, Presidentja Shiroka Pula tha se le ky jubile shënon jo vetëm një moment për të vlerësuar rrugën e deritanishme të akademik Hivzi Islamit, por edhe një rast për të shprehur bindjen se puna dhe vepra e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula mbajti takimin e parë koordinues me krerët institucionalë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka mbajtur sot takimin e parë koordinues me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, situatën aktuale dhe çështje të tjera me rëndësi për institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë krijimin e Grupit Punues për Strategji Shtetërore për Apelin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Takimi u zhvillua në kuadër të koordinimit të rregullt ndërmjet institucioneve të larta të shtetit.
Fjalimi i Presidentes Shiroka Pula me rastin e ndërrimit të komandës së KFOR-it

Është kënaqësi të jem sot me ju në këtë moment të rëndësishëm të ndërrimit të komandës së KFOR-it, një mision, i cili prej më shumë se 27 vitesh ka rol tëveçantë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Historia e Kosovës është, në një pjesë të rëndësishme të saj, histori e partneritetit me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa sot, teksa institucionet tona të sigurisë po zhvillojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet mbetet i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike. Përgjatë viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kemi ndërtuar dhe fuqizuar institucionet tona të sigurisë, të cilat sot mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për reagimin ndaj sfidave të sigurisë dhe për mbrojtjen e qytetarëve. Ky zhvillim dëshmon se partneriteti ynë ka prodhuar rezultate konkrete. Institucionet e Kosovës kanë avancuar në profesionalizëm, kapacitete dhe përgjegjësi, duke ruajtur njëkohësisht bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë. Prania e tij, mandati dhe bashkëpunimi me institucionet vendore kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin e qytetarëve. Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ushtarakët dhe pjesëtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999. Shumë prej tyre kanë kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyre, duke shërbyer në Kosovë me përkushtim dhe përgjegjësi. Kontributi i tyre është pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe do të mbetet i vlerësuar nga qytetarët e Kosovës. Të nderuar të pranishëm, Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të. Të qëndrojmë përkrah aleatëve tanë, duke marrë pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri, përfshirë misionet ndërkombëtare, në përputhje me statusin dhe detyrimet tona si anëtare e NATO-s në të ardhmen. Ndërrimi i komandës është një mundësi për të riafirmuar vazhdimësinë e partneritetit tonë. Gjeneralmajor Ulutaş, ju falënderoj edhe një herë për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj! Gjeneralmajor Vergori, ju uroj suksese në detyrën e re dhe ju siguroj për gatishmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me ju dhe me të gjithë pjesëtarët e KFOR-it! Ju faleminderit për shërbimin tuaj dhe për kontributin që jepni çdo ditë për paqen dhe sigurinë në Kosovë!
Presidentja Shiroka Pula: Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it. Në fjalën e saj, të mbajtur me këtë rast Presidentja Shiroka Pula, ka thënë se është kënaqësi të jem sot me ju në këtë moment të rëndësishëm të ndërrimit të komandës së KFOR-it, një mision, i cili prej më shumë se 27 vitesh ka rol të veçantë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. “Historia e Kosovës është, në një pjesë të rëndësishme të saj, histori e partneritetit me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa sot, teksa institucionet tona të sigurisë po zhvillojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet mbetet i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike”, është shprehur Presidentja Shiroka Pula. Ajo më tej ka thënë se përgjatë viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kemi ndërtuar dhe fuqizuar institucionet tona të sigurisë, të cilat sot mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për reagimin ndaj sfidave të sigurisë dhe për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas saj, ky zhvillim dëshmon se partneriteti ynë ka prodhuar rezultate konkrete. “Institucionet e Kosovës kanë avancuar në profesionalizëm, kapacitete dhe përgjegjësi, duke ruajtur njëkohësisht bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë. Prania e tij, mandati dhe bashkëpunimi me institucionet vendore kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin e qytetarëve”, ka theksuar Presidentja Shiroka Pula. Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ushtarakët dhe pjesëtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999, duke shtuar se shumë prej tyre kanë kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyre, duke shërbyer në Kosovë me përkushtim dhe përgjegjësi. Ajo tha se kontributi i tyre është pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe do të mbetet i vlerësuar nga qytetarët e Kosovës. “Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të. Të qëndrojmë përkrah aleatëve tanë, duke marrë pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri, përfshirë misionet ndërkombëtare, në përputhje me statusin dhe detyrimet tona si anëtare e NATO-s në të ardhmen”, ka pohuar Presidentja Shiroka Pula. Ajo më tej tha se ndërrimi i komandës është një mundësi për të riafirmuar vazhdimësinë e partneritetit tonë. “Gjeneralmajor Ulutaş, ju falënderoj edhe një herë për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj! Gjeneralmajor Vergori, ju uroj suksese në detyrën e re dhe ju siguroj për gatishmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me ju dhe me të gjithë pjesëtarët e KFOR-it!”, ka theksuar presidentja Shiroka Pula. Në fund, Presidentja Shiroka Pula ka falënderuar KFOR-in, për shërbimin dhe për kontributin që japin çdo ditë për paqen dhe sigurinë në Kosovë.
Presidentja Shiroka Pula priti në takim përfaqësueset e strehimoreve të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, priti në takim një delegacion të strehimoreve të Kosovës. Presidentja Shiroka Pula vlerësoi punën dhe përkushtimin e përfaqësueseve të strehimoreve, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në mbrojtjen e grave, garantimin e sigurisë së tyre dhe mbështetjen për riintegrim në shoqëri. Ajo theksoi se mbrojtja e grave nga dhuna dhe garantimi i dinjitetit të tyre janë përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore, duke nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të përballet e vetme me dhunën apo vështirësitë. Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula shprehu interesimin për sfidat dhe nevojat konkrete me të cilat përballen strehimoret, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit me institucionet, në mënyrë që shërbimet për gratë që përballen me dhunë të jenë të qëndrueshme, të qasshme dhe efektive. Presidentja theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me përfaqësueset e strehimoreve dhe për shqyrtimin e mundësive për mbështetjen e punës së tyre, si dhe për adresimin e çështjeve që kërkojnë vëmendje institucionale.