presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Walaas: Norvegjia angazhohet fuqishëm që Ballkanit Perëndimor të integrohet si tërësi në BE dhe në NATO

“Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës çmojnë lart përkrahjen e rëndësishme që Norvegjia i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me znj. Elisabeth Walaas, Zëvendësministre e Punëve të Jashtme e Norvegjisë. Me këtë rast, Presidenti Sejdiu e falënderoi znj. Walaas edhe për mbështetjen që Norvegjia ia dha Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duke e mbrojtur me argumente të fuqishme legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë dhe të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur.

Ndërkaq, znj. Walaas ritheksoi përkushtimin e Norvegjisë për ta përkrahur edhe më tej Republikën e Kosovës në të gjitha fushat e jetës, sidomos në procesin e përmbushjes së standardeve për integrimet euroatlantike.“Norvegjia angazhohet fuqishëm që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet si tërësi në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha ajo. Zëvendësministrja e Jashtme e Norvegjisë,  Elisabeth Walaas u angazhua edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, veçmas në fushën e edukimit, në të cilën Norvegjia do të vazhdojë të japë mbështetjen e saj, në mënyrë që edukimi në Kosovë të jetë ekuivalent me atë në Evropë.Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç janë bashkëpunimi bilateral, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit etj. Presidenti Sejdiu dhe znj. Walaas konstatuan se Raporti i Progresit për Kosovën ka qenë objektiv, meqë ka veçuar përparimet e arritura në Kosovë, por edhe sfidat që shtrohen përpara institucioneve të Republikës së Kosovës në të ardhmen, veçmas në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit, si një dukuri që ka prekur gjithë rajonin.   

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.