presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të ditur dhe të njohur ndërkombëtarësisht

09.10.2009. – “Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të ditur dhe këta kufij janë të njohur ndërkombëtarësisht. Për ne është e papranueshme çdo qasje e kujtdo qoftë që në një formë apo formë tjetër ka intencën e lëvizjes së kufirit”, ka theksuar sot Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, gjatë një vizite në komunën e Pejës.

“Ne dëshirojmë që të kemi marrëdhëniet më të mira me Malin e Zi dhe ato janë dëshmuar në ecje praktike të deritashme”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se organet kompetente që merren me çështjen e shënimit të kufijve ndërshtetërorë apo vendkalimeve të rëndësishme kufitare, që janë të nevojshme për komunikimin e qytetarëve dhe të mallrave, do ta bëjnë punën si duhet.“Kosova i ka kufijtë e vet të qartë dhe nëse ka ndonjë ngatërresë të vogël në kuptimin e pretencës së dikujt, jashtë asaj që është normale në relacionet ndërshtetërore, sigurisht që do të ketë përgjigjen e vet”, vijoi Presidenti Sejdiu.Për ne me rëndësi është që edhe Mali i Zi edhe Kosova kanë miqtë e përbashkët. Të dy vendet janë tepër të interesuara të lëvizin shpejt në proceset ne integrimeve euroatlantike dhe të dy vendet në bashkëpunimin rajonal kanë pjesën e bashkëpunimit të tyre”, tha ai.Gjatë ditës së sotme, Presidenti Sejdiu, i shoqëruar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ka vizituar Komunën e Pejës, ku nga kryetari i komunës, Ali Berisha është njoftuar me zhvillimet në këtë komunë dhe me problemet e të arriturat e pushtetit lokal.Z.Berisha ka theksuar se gjatë qeverisjes janë kujdesur për ruajtjen e stabilitetit politik, ndërsa kanë bërë një varg hapash të rëndësishëm në investime në infrastrukturë, në digjitalizimin e shërbimeve komunale e të tjera dhe një varg projektesh të tjera. Ai gjithashtu ka përmendur edhe vështirësitë e punës në fusha të caktuara.Presidenti Sejdiu tha se të gjithë kryetarët e komunave kanë përkrahjen e tij dhe i inkurajon për punë sa më të mirë të mundshme në të mirë të qytetarëve të vendit, pasi pushteti komunal është ai që është më së afërmi me qytetarin. Ai shtoi se pushteti lokal duhet të insistojë në respektimin e ligjit dhe në respektimin e interesave të qytetarëve.Po sot, Presidenti Sejdiu dhe ministri Zharku morën pjesë në ceremoninë e përurimit të Qendrës shpërndarëse të mallrave të kompanisë “Elkos” në Pejë. Me këtë rast, pronari i këtij subjekti ekonomik, Ramiz Kelmendi, e ka njoftuar Presidentin Sejdiu për projektin për zgjerimin e biznesit të tij edhe në Shqipëri, ndërsa ka prezantuar edhe të arriturat e rëndësishme në prezantimin e prodhimeve vendore në pikat e shitjes së kësaj kompanie.Duke folur me këtë rast, Presidenti Sejdiu ka theksuar se politika e vërtetë e një vendi është kur ajo gjen zbatim në praktikë. Ai ka përshëndetur angazhimin e kësaj kompanie për shtimin e numrit të të punësuarve dhe ka përsëritur edhe një se rreth 40 mijë biznese aktive në vendin tonë, nëse punësojnë vetëm nga një punëtor të ri, atëherë do të japin kontributin e tyre më të madh në uljen e shkallës së papunësisë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.