presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Jemi përkrah jush në zhvillimin e kësaj pjese shumë të bukur dhe shumë të pasur të Kosovës 

“Jam këtu për të dëshmuar se ju keni mbështetjen tonë të plotë, mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, se ne jemi me ju dhe do të jemi përherë përkrah jush në zhvillimin e kësaj pjese shumë të bukur dhe shumë të pasur të Kosovës”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me qytetarët e fshatrave Koshtovë, Cerajë dhe Bistricë të komunës së Leposaviqit. 

Gjatë një bashkëbisedimi të hapur me banorët e kësaj pjese të vendit, Presidenti Sejdiu ritheksoi se vizion i institucioneve tona është Kosova e qytetarëve të lirë dhe të barabartë, pavarësisht nga dallimet etnike.
“Kosova ka kuptimin e vet vetëm si tërësi, si shtet unik, me integritet të paprekshëm territorial, dhe për këtë ka edhe përkrahjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare”, pohoi Presidenti Sejdiu, duke i siguruar qytetarët e kësaj ane se do të angazhohej edhe më tej për përparimin e këtyre fshatrave, si dhe do t’i nxisë institucionet që të jenë shumë më të pranishme në këtë rajon të Republikës së Kosovës.    
Presidenti Sejdiu u tha banorëve të këtyre fshatrave se ai vinte përsëri në këtë rajon për t’i falënderuar ata dhe për t’i inkurajuar që të vazhdojnë jetën dhe punën në këtë rajon të Kosovës.
“Është borxh i institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar projekte të zhvillimit, të cilat do t’u mundësonin banorëve të kësaj zone të qëndrojnë këtu, si dhe t’i nxisin ata që janë larguar të kthehen. Edhe kjo zonë është e sigurt, pasi që për këtë angazhohen dhe punojnë institucionet e vendit, të ndihmuara nga KFOR-i dhe EULEX-i”, tha Presidenti Sejdiu.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve të këtij takimi, Presidenti Sejdiu theksoi se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe si e tillë, në kufijtë e saj, është njohur nga të gjitha vendet që e kanë pranuar shtetin tonë.
Presidenti Sejdiu, po ashtu, tha se çdo ndërrim kufijsh në rajon do të ishte shumë i rrezikshëm, prandaj qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është i pandryshueshëm: secili në shtëpinë e vet, secili në kufijtë e vet shtetërorë.
Edhe nga këtu, vijoi Presidenti Sejdiu, iu dërgoj mesazh qytetarëve serbë të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, në mënyrë që të kontribuojnë për të ardhmen më të mirë të tyre dhe të Kosovës.
Presidenti Sejdiu në fshatin Koshtovë vizitoi familjen e Eshref Bekteshit, ku bisedoi veçmas me fëmijët nxënës të kësaj familjeje.
Në fshatin Cerajë Presidenti Sejdiu për pak çaste ishte mysafir i familjes së Xhafer Halilit. Avniu, djalë i kësaj familjeje, sikur edhe shumë banorë të këtyre fshatrave, i shtruan Presidentit Sejdiu nevojën e krijimit të më shumë vendeve të punës për të rinjtë e këtij rajoni.
Një çështje tjetër që u potencua nga qytetarët e këtyre tri fshatrave ishte fakti se ata nuk kanë mundësi t’i shikojnë programet e televizioneve nacionale të Kosovës.
Pritje e veçantë Presidentit Sejdiu iu bë në fshatin Bistricë, në të cilin ishin tubuar pjesa dërmuese e banorëve të këtyre tri fshatrave. Presidenti Sejdiu vuri kurora lulesh në monumentin përkujtimor kushtuar dëshmorëve të rënë në luftën e fundit për lirinë e Kosovës.
Ndërsa, veprimtari i dalluar i këtij rajoni, z. Haki Ymeri, drejtor i Zyrës për Komunitete në Kuvendin Komunal të Leposaviqit, theksoi se një nga sfidat e komunitetit të këtushëm është shpërngulja e banorëve, të cilët për shkak të kushteve të vështira të jetesës detyrohen të emigrojnë. Sipas tij, tani, në këto tri fshatra, jetojnë rreth 300 banorë.
Në Cerajë aktualisht, përveç Zyrës për Komunitete, funksionojnë edhe Zyra e Shërbimeve Civile, ambulanca, shkolla dhe stacioni i Policisë së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.