presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi familjet e të pagjeturve në Mejë të Gjakovës

Në kujtim të Ditës së të Pagjeturve, Presidentja Atifete Jahjaga vizitoi edhe fshatin Mejë, ku, vuri lule në “Lëndinën e Pikëllimit”. E shoqëruar nga kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj dhe anëtarët e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit si dhe të Shoqatave të Familjarëve të të Pagjeturve, Presidentja zhvilloi një takim me familjarët e të pagjeturve, të cilëve u premtoi angazhimin e saj dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për të zbardhur sa më parë fatin e të gjithë personave të pagjetur.

“Kam ardhur këtu në Mejë të ndaj sadopak dhimbjen me Ju për më të afërmit Tuaj që u vranë në Masakrën më të madhe të luftës në Kosovë.

Jam në dijeni se këtu u mblodhën njerëzit nga Gjakova dhe fshatrat përreth, se këtu u pushkatuan pa mëshirë duke u ndarë nga kolonat e refugjatëve, duke u ndarë prindi nga fëmijët, duke u ndarë fëmija nga nëna.

Ishte ky një plan i regjimit okupues të Serbisë, që të na shkaktojë sa më shumë dhimbje, të na shkaktojë vuajtje, të na thyejë dinjitetin, të na rrënojë shpirtin, të na bëjë që të mos e gëzojmë sa duhet lirinë. Ne këto dhimbje i kemi përjetuar edhe më herët dhe e dimë se okupatori gjithmonë donte të na largonte nga këto troje”, theksoi me këtë rast Presidentja Jahjaga.

“Jemi sot këtu, në Ditën e të Pagjeturve, në simbolikën me Mejën, sepse më të dashurit Tuaj që e pësuan në këtë masakër regjimi pushtues i Serbisë i pati shpërndarë në shumë varreza masive, për të fshehur gjurmët e krimit, për ta bërë dhimbjen tonë më të madhe, për të na lënë edhe pa një varr, ku vijmë i kujtojmë e i nderojmë dëshmorët dhe viktimat, dhe ku marrim forcën të ecim përpara, duke mos harruar asnjëherë të kaluarën, dhe duke bërë çmos që të gjithë kriminelët dhe ata që urdhëruan krimet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin”, shtoi ajo.

Presidentja Jahjaga tha më tej se “Kosova, lirinë dhe pavarësinë ua ka borxh këtyre dëshmorëve që u sakrifikuan për atë që Kosova të qeveriset nga populli i saj, që Kosova të ketë institucione demokratike dhe që Kosova të jetë vend i barabartë dhe i dinjitetshëm i Bashkimit Evropian. “Unë, nga këtu, dëshirojë ta çoj porosinë që ne të gjithë të jemi përherë të bashkuar, që përherë të punojmë dhe të angazhohemi për atdheun tonë, që rinia, ata që janë ardhmëria jonë, të mos kalojnë kurrë më nëpër këto vështirësi dhe nëpër këto mundime që kaluam ne”, theksoi zonja Jahjaga, duke shtuar se “sa herë të kemi dilema, sa herë që jemi në udhëkryq, sa herë që mendohemi si t’ia bëjmë, duhet të vijmë këtu, te varrezat e dëshmorëve, të përkujtojmë shëmbëlltyrën e tyre, të marrim forcë dhe të ecim përpara, kryelartë, duke përballuar çdo vështirësi”.

“Unë, Presidentja e Republikës së Kosovës, së bashku me institucionet e shtetit tonë, do të bëjmë çmos që ta zbardhim fatin e të pagjeturve, që dëshmorët të kenë nderin dhe respektin që u takon, që familjet e dëshmorëve t’i vëmë në përkujdesje dhe në ndihmë të dinjitetshme nga shteti. Ky është obligim i ynë dhe kjo është detyrë e jona. Ne vetëm duke kthyer kryet nga dëshmorët, mund të shohim përpara, dhe duke pasur këtë qëndrim do të punojmë për interesa të atdheut”, theksoi ndër të tjera Presidentja Atifete Jahjaga.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.