presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me Presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite

Vilnius, 1 korrik 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga po vazhdon vizitën zyrtare në Lituani.

Ajo sot pati një takim zyrtar me Presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, në kabinetin e kësaj të fundit, ku u diskutuan një varg temash me interes. Në takim mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj. Presidentja Jahjaga e falënderoi Presidenten Dalia Grybauskaite për ftesën për vizitë në Lituani dhe për pjesëmarrjen në konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”, ku paraqitja e Presidentes Jahjaga u përcoll me interesim mjaft të madh nga pjesëmarrësit. Duke folur për rolin e gruas dhe përfaqësimin e saj në institucionet e Republikës së Kosovës, ajo përkujtoi se në konkluzat e konferencës së djeshme, Kosova u përmend si shembull i mirë për përfaqësimin e femrave në Kuvendin e Kosovës, ku femrat përbëjnë 30 për qind të numrit të deputetëve, si dhe për legjislacionin për luftimin e dhunës kundër fermës dhe kundër trafikimit me qeniet njerëzore. Presidentja Jahjaga u angazhua në takim për shtimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, edhe pse gjeografikisht larg njëra-tjetrës. Ajo vlerësoi arsimin e kulturën si fusha ku ky bashkëpunim mund të fillojë me hapa konkretë.  Gjithashtu, zonja Jahjaga tha se Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Lituanisë në rrugën e procesit të integrimeve evropiane. Në këtë plan ajo theksoi se Lituani mund të ndihmojë në lobimin për njohjen e Kosovës nga sa më shumë shtete dhe e quajti shumë të rëndësishme që Kosovës t’i hapet perspektiva evropiane. Nga ana e saj, Presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite falënderoi Presidenten Jahjaga për vizitën dhe kontributin e çmueshëm që dha në konferencën e djeshme. Ajo gjithashtu theksoi se të dy vendet mund të rrisin bashkëpunimin e tyre në shumë fusha. Edhe Presidentja Grybauskaite tha se Kosova mund të përfitojë nga përvojat e Lituanisë drejt integrimit në institucionet evropiane. Presidentja Dalia Grybauskaite theksoi se Kosova në rrugën e saj të integrimit duhet të bëjë reforma sa më të shpejta për të arritur standardet e Bashkimit Evropian, institucion pjesë e të cilit synon të jetë sa më shpejtë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.