presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti drejtorin politik në Departamentin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Daniel Fearn

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot drejtorin politik në Departamentin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Daniel Fearn.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës dhe tha se Kosova ka nevojë për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në proceset integruese.  Ajo tha se Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në, meqë do të qartësohej rruga evropiane e Kosovës, si dhe do të përshpejtoheshin dhe thelloheshin reformat në vend. Presidentja Jahjaga tha se Kosova duhet të ketë pavarësinë, subjektivitetin dhe sovranitetin e saj të plotë dhe se prania ndërkombëtare dhe misionet në Kosovë duhet të përfundojnë me sukses, gjë që do të shënonte sukses të përbashkët.  Presidentja e Republikës së Kosovës tha se suksesi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe theksoi se zgjidhjet mund të gjenden nëse respektohen standardet evropiane.  Ajo tha se ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve apo riaranzhimi i brendshëm nuk janë zgjidhje dhe nuk do të përkrahen asnjëherë.  Drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Daniel Fearn, e përgëzoi Presidenten Jahjaga për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe tha se Britania e Madhe do të vazhdojë që ta ndihmojë dhe përkrahë Kosovën në proceset demokratike. Ai tha se Kosova ka perspektivë evropiane. Zoti Fearn vlerësoi rëndësinë e reformave në vend dhe funksionimin demokratik të institucioneve.  Ai tha se vendi i tij e përkrahë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili duhet të vendos një marrëdhënie stabile mes dy vendeve, por theksoi qëndrimin e Britanisë së Madhe kundër ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.