presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga mori pjesë në lansimin e “Programit të Kosovës kundër dhunës në familje”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në lansimin e “Programit të Kosovës kundër dhunës në familje”, i cili në kuadër të shënimit të 25 nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim, të cilin po e sjellim në vijim: Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar pjesëmarrës, Sot jemi në një moment kyç të ndërtimit dhe forcimit të shtetit tonë. Shtetndërtimi i qëndrueshëm dhe stabil do të arrihet vetëm me pjesëmarrjen e plotë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne jemi të pakompromis në insistimin tonë që të krijojmë një shtet demokratik dhe të përgjegjshëm ndaj secilit qytetar pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinore apo statusi shoqëror.  Qytetarëve tanë duhet t’u mundësohet trajtim korrekt dhe respektim i të drejtave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Ne duhet të forcojmë sistemin e drejtësisë në mënyrë që të sigurohemi që të gjithëve t’u ofrojmë mundësi të barabarta në realizimin e plotë të potencialit të tyre individual dhe shoqëror. Liritë dhe të drejtat e grave, barazia e tyre e plotë në çdo aspekt dhe pjesëmarrja e tyre në jetën institucionale dhe vendimmarrje, janë parime themelore në të cilin mbështetet shoqëria jonë. Duke aspiruar në barazinë e plotë gjinore ne investojmë në një të ardhme prosperuese. Shoqëria e sotme përballet me recidive nga e kaluara që e pengojnë zhvillimin tonë si një shoqëri e barabartë dhe e shëndoshë.Dhuna ndaj grave, si një fenomen me të cilin fatkeqësisht ende përballemi, është shkelje e të drejtave themelore. Lufta kundër kësaj dukurie kërkon vetëdijesim të përgjithshëm dhe qasje gjithëpërfshirëse për ta bërë atë të papranueshme dhe të patolerueshme në shoqëri. Dhuna ndaj gruas vazhdon të jetë shkak i trajtimit të pabarabartë dhe të padrejtë të femrës në shoqërinë tonë.Dhuna në çfarëdo forme, e ushtruar në privatësinë e familjes apo në sferën publike, shkatërron jetëra dhe trondit trungun e shëndoshë të familjes. Ajo është pengesë për zhvillimin të dinjitetshëm të jetës dhe për realizimin e plotë të potencialit dhe për dhënien e kontributit të gjysmës së popullatës në zhvillimin shoqëror e kulturor. Iniciativat si kjo sot për të vetëdijesuar shoqërinë për këtë fenomen të shëmtuar kanë për qëllim të tregojnë gatishmërinë tonë individuale, profesionale dhe institucionale për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj gruas. Lansimi  i Programit kundër Dhunës në Familje si dhe Planit të Veprimit 2011-2014, e dëshmon këtë gatishmëri me veprime konkrete.   Bashkëpunimi mes institucioneve dhe shoqërisë civile gjatë këtyre 12 viteve në luftimin dhe parandalimin e dhunës është një përvojë e rëndësishme mbi të cilën do ta vazhdojmë luftën tonë të përbashkët ndaj çdo lloj dhune në shoqëri.Ky duhet të jetë edhe motivimi i të gjithë neve për të ndërtuar shtet të mundësive të barabarta, ku askush nuk do të jetë mbi ligjin. Të nderuar pjesëmarrës, Me bashkëveprim dhe bashkërenditje në institucione, ne po tregojmë vullnetin tonë të palëkundur për të krijuar një shoqëri ku të gjithë do të trajtohen me kujdes, respekt dhe tolerancë. Si Presidente e vendit, do të insistoj fuqishëm në çrrënjosjen e çfarëdo forme të dhunës. Ju siguroj se do ta keni përkrahjen time për një Kosovë e cila e ka prioritet respektimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, si vlerë mbi të cilën ndërtohet shoqëria jonë.  Ju dëshiroj diskutim konstruktiv dhe punë të frytshme.Ju faleminderit! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.