presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu u kthye nga vizita në SHBA

27.09.2009. – Pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Obama dhe gjatë kohës së zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së takoi një numër të madh kryetarësh dhe përfaqësues shtetesh, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu është shprehur shumë optimist për rezultatet e këtyre takimeve, duke theksuar se ato mund të rezultojnë së shpejti me njohje të reja të Republikës së Kosovës nga disa shtete.

Në një konferencë shtypi mbajtur në ambientet e Aeroportit të Prishtinës, Presidenti Sejdiu theksoi se qëllimi themelor i vizitës ka qenë që të takojë udhëheqës dhe përfaqësues të shumë vendeve të botës dhe posaçërisht të vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Në këtë kuadër, tha ai,  kam pasur edhe një mundësi të veçantë që të kem një pritje tek presidenti i SHBA, Barak Obama, siç është praktikë e presidentëve të SHBA që të presin personalitet pjesëmarrëse gjatë kohës së Sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Unë edhe një herë i përcolla falënderimet tona për mbështetjen që SHBA i kanë dhënë vazhdimisht Kosovës dhe natyrisht përkushtimin e tyre të ritheksuar që do të vazhdojnë me mbështetje pa kurrfarë hezitimi”, tha ai. 

Duke folur për takimet me zyrtarët e lartë të SHBA-ve, Presidenti Sejdiu ka përkujtuar takimin me këshilltarin e Sigurisë Nacionale, Gjeneralin Jones, zëvendëssekretarin e shtetit, zotin Philip Gordon, po ashtu ndihmëszëvendëssekretarin e Shtetit, zotin Stuart Jones, dy miqtë e angazhuar për Kosovës më parë në funksione të rëndësishme si dhe tash, zotin Daniel Frih dhe zonjën Rosemari Di Karlo, por edhe personalitet të tjera të rëndësishme të Stejt Departamentit. 

Presidenti Sejdiu përmendi edhe takimet e tjera që ka realizuar gjatë qëndrimit njëjavor në Nju-Jork. Në këtë kuadër ai ka veçuar takimin jashtëzakonisht përmbajtjesor me kryeministrin e Mbretërisë Spanjolle, zotin Zapatero. “Ai shtroi edhe një herë qëndrimin e Spanjës karshi Kosovës rreth problemeve për njohjen apo pamundësinë e njohjes siç ne e kërkojmë tash, por kishte konsiderata të veçanta për zhvillimet e rëndësishme që ka bërë Kosova dhe shprehu përkushtimin se Spanja, edhe në këtë periudhë, periudhën kur do të marrë presidencën e Bashkimit Evropian, do të jetë kontribuues i rëndësishëm në proceset e politikave të përbashkëta të Bashkimit Evropian në mbështetje të Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se ka shtruar kërkesën për një prezencë, qoftë simbolike, të trupave spanjolle në kuadër të KFOR-it, duke çmuar me këtë rast punën e madhe që kanë bërë ushtarët spanjollë më rajonin ku kanë qenë të vendosur në Kosovë.

“Gjatë kësaj periudhe kam takuar emirin e Katarit, në një takim bilateral dhe zyrtar. Emiri shprehu konsideratat më të larta për ecjen e Kosovës dhe besoj se do të lëvizin shpejt me njohje duke iu bashkangjitur vendeve te tjera anëtare të Konferencës Islamike”, tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha në vijim se ka pasur takim bilateral me presidentin e Malavit, një republikë në Afrikën Qendrore që ka rreth 14 milionë banorë. “Ishte një takim jashtëzakonisht i përzemërt dhe unë besoj se ata janë në proceset e përfundimit të procedurave për njohje dhe sigurisht do të kemi lajme të mira”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se paralajmërim për njohje të Republikës së Kosovës ka marrë edhe nga kryeministri i Tuvalës.

“Kam pasur një takim bilateral me presidentin e Letonisë, vend i cili e ka njohur Republikën e Kosovës por që jashtëzakonisht është i përkushtuar që të na ndihmojë në procese të rëndësishme drejt integrimeve, duke pasur posaçërisht përvojën e tyre të mirë karshi vështirësive të mëdha të fillimit që i kanë pasur. E kam ftuar edhe këtë dhe të tjerët që te jenë në Kosovë dhe besoj që do të kemi vizita reciproke”, tha Presidenti Sejdiu, i cili shtoi se në takimin me presidentin e Kroacisë, zotin Mesiq ka biseduar për shumë aspekte që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe i ka shprehur konsideratën e lartë për këtë vend për mbështetjen e Kosovës.

“Kam takuar kryeministrin e Republikës Turke, zotin Erduan, i cili mbetet thellësisht i përkushtuar me gjithë zyrtarët e tij, me gjithë diplomacinë e tij dhe njerëz që i ka të influencës për të mbështetur Republikën e Kosovës. Kam takuar në kohën e pritjes tek presidenti Obama edhe presidentin e Nepalit, Grenadës, Xhamajkës e të tjerë. Ndërkohë kemi pas edhe takime të tjera veçanërisht me delegacionet gjatë mbajtjes së një ceremonie të 40 vjetorit të Konferencës Islamike, ku kam takuar presidentin e Sudanit, kryeministrin e Bangladeshit, ministrin e Jashtëm të Pakistanit dhe shumë zyrtarë të vendeve të tjera”, tha Presidenti Sejdiu, duke theksuar me këtë rast edhe takimet që ka pasur me presidentin e Maqedonisë, zotin Ivanov dhe kryeministrin e Malit të Zi, zotin Vujanoviq. 

Ai po kështu ka theksuar se është takuar dhe ka biseduar me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha, dhe ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, zotin Ilir Meta. 

Presidenti Sejdiu ka përkujtuar gjithashtu se është paraqitur me një fjalë në një takim të organizuar nga instituti Rudgers, për liderët e Ballkanit, në temën “Paqja, stabiliteti dhe perspektiva e Ballkanit Perëndimor”. “Ishte një frymë e përgjithshme për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit, në kuptimin e mbështetjes reciproke por edhe në kuptimin e përmbushjes së asaj që të gjithë e kemi si objektiv themelor, të kritereve më të rëndësishme për integrimet euroatlantike”, tha Presidenti Sejdiu

Duke folur për reagimet e Serbisë lidhur me vizitën dhe takimet e Presidentit Sejdiu me ministrit të Jashtëm Skënder Hyseni në OKB, presidenti Sejdiu theksoi se përgjigjja më e mirë këtyre reagimeve kanë qenë takimet e shumta që ata kanë zhvilluar gjatë kësaj kohe. 

“Ne u përgjigjen me takime të shumta, kishim dhe një falënderim për vendet që mbështesin Kosovë. Nuk ua vëmë veshin protestave që Serbia i bën, sepse janë iracionale tërësisht. Unë mendoj se edhe për Serbinë vetë do të ishte më mirë që sa më herët të kthehen në racionalitet dhe të jetojnë me frymën europiane. Absolutisht ne nuk kemi dashur të biem në zënkat e tyre që janë paraqitur të formave të ndryshme, pra edhe kërkesa që të përjashtohemi, të mos na lejohet mundësia që të hyjmë në ndërtesën e OKB-së dhe çështje të tjera të ngjashme. Ne do të vazhdojmë punën”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.