presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu takoi Kryetarin e TICA-S

Prishtinë, 12 maj 2008 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, priti kryetarin e Agjencionit Turk për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (TICA), z. Musa Kulaklikaya.

Duke shprehur mirënjohjen e tij për faktin se Turqia ka qenë ndër shtetet më të para që ka njohur Kosovën, Presidenti Sejdiu theksoi se përkrahja e Turqisë nuk ka munguar në asnjë fazë të zhvillimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Në veçanti, theksoi ai, investimet e mëdha dhe bashkëpunimi ekonomik, që në masë të madhe janë bërë përmes mbështetjes së TICA-s, kanë ndihmuar në zhvillimin e Kosovës dhe është e nevojshme që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Z. Kulaklikaya shprehu urimet e tij më të përzemërta për pavarësinë e Kosovës dhe theksoi se tani formati i bashkëpunimit do të ndryshojë meqë kemi të bëjmë me institucione të një shteti të pavarur.

Ai e njoftoi Presidentin për planet e TICA-s për përkrahje dhe bashkëpunim në fushën e arsimit parauniversitar dhe universitar, si dhe shprehu gatishmërinë për mbështetje në zhvillimin e fushave që përkrahin karakterin shumetnik dhe shumëkultural të Republikës së Kosovës. Në veçanti, theksoi z. Kulaklikaya, “ne jemi të interesuar të mbështesim popullin e Kosovës në ngritjen dhe zhvillimin ekonomik”.

“Turqia ka qenë shumë aktive në të githa fushat e mbështetjes së Kosovës dhe kjo është bazë e mirë për vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm në mes nesh”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se numri i madh i shqiptarëve në Turqi si dhe qytetarët turk në Kosovë janë urë e mirë lidhëse mes dy vendeve tona. 

This site is registered on wpml.org as a development site.