presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

PRESIDENTI SEJDIU PRITI SHEFIN E UNMIK-ut, z. JOACHIM RUCKER

Prishtinë, 27 qershor 2007 –
Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, u takua me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, z. Joachim Rucker.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin në mes të UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës dhe veçanërisht për përgatitjet që po bëhen për fazën e tranzicionit. Presidenti Sejdiu dhe z. Rucker shprehën besimin e plotë në angazhimin e vazhdueshëm të bashkësisë ndërkombëtare në procesin për definimin e statusit politik të Kosovës, duke mbështetur Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, përkatësisht pavarësinë e Kosovës.Në këtë kuadër, u bisedua veçanërisht për angazhimin që ka të bëjë me nxjerrjen sa më të shpejtë të një Rezolute të përbashkët në Këshillin e Sigurimit. Po kështu, u vlerësua lartë kontributi i institucioneve, subjekteve politike dhe i qytetarëve të Kosovës në stabilitetin e përgjithshëm të vendit si kusht i rëndësishëm i dëshmimit të Kosovës në gatishmërinë e saj që t’i bashkëngjitet familjes së vendeve të lira dhe sovrane, me garancitë e saj për të ardhmen e përbashkët dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve të saj.

This site is registered on wpml.org as a development site.