presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu ngushëlloi familjen Berisha

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dërgoi telegram ngushëllimi familjes Berisha, e cila sot humbi më të dashurin e saj, doajenin e pikturës në Kosovë, Engjëll Berisha.

Në vijim po e japim tekstin e këtij telegrami:

E nderuara familja Berisha,

Pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, piktorit të shquar Engjëll Berisha.

Lajmin për vdekjen e profesorit e morëm me pikëllim të thellë. Piktori Engjëll Berisha ka lënë gjurmë në artin pamor shqiptar me punimet e tij karakteristike, të cilat shprehnin fuqishëm individualitetin e formësuar të një artisti me nam, si dhe shenjat e identitetit tonë nacional.

Engjëlli ishte ndër themeluesit e Galerisë së Arteve të Kosovës, si dhe ndër profesorët më të respektuar të artit pamor në Universitetin e Prishtinës.

Piktor i imazheve të identifikueshme shqiptare, ai eci me shumë sukses në mes frymës së traditës dhe rrymave bashkëkohore të artit, duke u bërë një emër më vete në artin tonë.

Prandaj, duke e çmuar lart gjithë jetën dhe veprën e madhe artistike e pedagogjike të Engjëll Berishës, theksoj bindjen time të plotë se virtytet e Tij do të kujtohen dhe do të nderohen gjithmonë nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju!

Zoti e bekoftë Engjëll Berishën dhe familjen e tij!

Presidenti i Republikës së Kosovës,

Dr. Fatmir Sejdiu 

This site is registered on wpml.org as a development site.