presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu e dekoroi ambasadorin Rohan me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti në takim ambasadorin Albert Rohan, ish-zëvendës i Emisarit Special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, të cilin e dekoroi me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”.

Gjatë ceremonisë së dekorimit të ambasadorit Albert Rohan, Presidenti Sejdiu theksoi të ketë marrë këtë vendim për të vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të ambasadorit Rohan në procesin e bisedimeve për përcaktimin e statusit politik të vendit tonë dhe si simbolikë e përkushtimit dhe mirënjohjes së thellë për angazhimet e tij për Kosovën.Sot kam marrë vendim për dekorimin e ambasadorit Albert Rohan, i cili ka qenë zëvendës i Emisarit Special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Presidentit Marti Ahtisaari në ekipin e përbashkët, për rolin e jashtëzakonshëm në një proces të gjatë dhe të vështirë të bisedimeve, për kontributin e dhënë për të gjetur formulën më të mirë për mbështetjen e Kosovës dhe formalisht me mbështetjen ndërkombëtare të pavarësisë së vendit krahas vullnetit politik të popullit të saj, për angazhimin e sinqertë në të gjitha fazat në mbështetje të mëtejshme të zhvillimit dhe të prosperimit të Republikës së Kosovës, theksoi Presidenti Sejdiu. “Kam privilegj, si President i vendit, t’ia dorëzoj z.Rohan Medaljen e Artë të Pavarësisë, e cila dëshiroj që të jetë një simbolikë e përkushtimit dhe mirënjohjes sonë të thellë për Ambasadorin Rohan”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke ia dorëzuar medaljen z.Rohan.Gjithashtu, Presidenti Sejdiu e vlerësoi miqësinë e ambasadorin Rohan  ndaj gjithë njerëzve të Kosovës dhe si dhe gatishmërinë e tij që të jetë i  angazhuar edhe në procesin e mëtejshëm në mbështetje ndërkombëtare të Kosovës për anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë dhe në të njëjtën kohë edhe për njohjen e Republikës së Kosovës nga vende të ndryshme.Ndërkaq, ambasadori Rohan shprehu falënderimin e tij të thellë dhe mirënjohjen për Presidentin Sejdiu, dhe tha se kjo medalje është nder i madh që i bëhet atij.“Kjo medalje është nder i madh për mua dhe më bën të mendoj sërish për afro 20 vjet të angazhimit tim në Kosovë. Puna ime në Kosovë dhe për Kosovën nuk ka filluar me procesin e statusit. Unë kam ardhur këtu për herë të parë në periudhën e hershme të viteve të nëntëdhjeta, pothuaj njëzet vjet më parë, dhe kjo është koha kur me zemër mbeta këtu”, tha Rohan.Ambasadori Rohan theksoi të ndjehej i kënaqur nëse angazhimi i tij ka kontribuar në  zgjidhjes së këtij problemi afatgjatë. “Kur e shohim Kosovën sot, mund të shohim se kemi qenë të suksesshëm. Ne nuk jemi të verbër ndaj shumë problemeve që ende kanë mbetur pa u zgjidhur dhe ndaj shumë sfidave me të cilat ky vend ende duhet të ballafaqohet dhe shpresojmë se të gjitha forcat politike të vendit do të qëndrojnë së bashku për t’i zgjidhur këto probleme”, theksoi ambasadori Rohan.Gjithashtu, ai tha se e ardhmja e Kosovës është e ndritur dhe shprehu bindjen e tij se Kosova herët a vonë do të jetë në Bashkimin Evropian.“Unë kujtoj, se e ardhmja e Kosovës është e ndritur, unë kujtoj në Bashkimin Evropian dhe herët a vonë, ne do ta shohim veten të gjithë në familjen evropiane dhe dëshiroj që kjo të ndodhë më herët, më mirë se më vonë”, pohoi ai.Ish zëvendësi i Emisarit Special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, foli edhe për procesin mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës i cili pritet të fillojë brenda disa ditëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ndikimin që do ta ketë ky proces në njohjet e mëtejme të Kosovës. Ai tha se qeveria serbe e ka përdorur këtë si mjet për t’ua imponuar qeverive të tjera që të mos e njohin Kosovën dhe për të potencuar se një vendim për këtë do të merret nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Shumë vende që kanë hezituar e kanë shtyrë njohjen dhe kanë thënë se do të presin edhe nja një gjysmë viti e pastaj do të shohin. Problem për më vonë mbetet fakti se ky vendim që do merret nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të jetë shumë i qartë dhe këtë e ka thënë edhe kryetari i kësaj gjykate. Në të me gjasë do të flitet për disa parime të së drejtës ndërkombëtare. Në anën tjetër, do të flitet për realitetet politike dhe, në fund, secila palë mund të thotë, epo, ky vendim i pasqyron mjaft mirë argumentet tona. Prandaj, unë nuk mund të parashoh se çfarë do të ndodhë pas këtij vendimi, por ky rast i vështirë dhe vendimi që pritet të merret në pranverë, apo kurdo qoftë, i pengon njohjet e mëtejme, jam i sigurt për këtë. Se a do të formulohet ky vendim ashtu që t’i nxitë vendet qëllimmira të thonë se tani mund ta njohin Kosovën mbetet të shihet dhe varet nga mënyra si kjo gjykatë do ta formulojë këtë vendim”, vlerësoi z.Rohan. Ndërkaq, në një pyetje të gazetarëve se kur Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, ai tha se duke pasur parasysh deklaratat e Rusisë se do të mbështesë qëndrimet e Serbisë në lidhje me Kosovën, kjo mbase do të ndodhë  atëherë kur Serbia të jetë e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga rezistenca ndaj anëtarësimit të saj në OKB.Gjatë konferencës për shtyp pas takimit me z.Rohan, Presidenti Sejdiu është pyetur nga gazetares nëse baza ushtarake serbe, e hapur këto ditë në afërsi të kufirit me Kosovën, e cenon stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës, duke thënë se kjo nuk është asgjë tjetër përveç një shprehje e përpjekjeve të saj për të faktorizuar apetitet, ndjenjën dhe vizionin Serbisë për të qenë diktues i rrjedhave në Evropën Juglindore, rol që nuk e ka dhe nuk do ta ketë asnjëherë.“Ka kaluar koha kur Serbia ka mbajtur rolin e hegjemonit ndaj vendeve të tjera përreth sipas një logjike irracionale që ka pasur. Kosova është dhe duhet të jetë e qetë, dhe për ne është e papranueshme çdo qasje që ka tendencën e ngritjes së tensioneve. Është  më rëndësi që Kosova do të ketë mbështetjen e vazhdueshme ndërkombëtare edhe për sigurinë dhe integritetin e vendit, ne nuk do të japim sinjale të këqija asnjëherë në kuptimin e fqinjësisë së mirë si dy shtetet sovrane, por asnjëherë nuk do të pranojmë asnjë logjikë që eventualisht mund të ketë tendencë të kërcënimit të sovranitetit të vendit tonë”, tha Presidenti Sejdiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.