presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit vizituan KQZ-në

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit vizituan sot Komisionin Qendror Zgjedhor, ku u njoftuan lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet lokale.

Duke folur me këtë rast, Presidenti Sejdiu ka theksuar se Kosova më 15 nëntor ka kapërcyer një sprovë të madhe që ka pasur para vetes në mënyrë të suksesshme dhe ka shtuar se kjo është meritë e të gjithë atyre që kanë qenë të involvuar në proces.. “Është meritë në radhë të parë e qytetarëve të Kosovës, e subjekteve politike, e institucioneve, e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e të gjithë njerëzve që kanë qenë në proces, në një formë a në formë tjetër të angazhuar për të mbajtur në radhë të parë imazhin e mirë të proceseve elektorale që janë organizuar pas luftës në Kosovë, për të dëshmuar vizionin këmbëngulës të Kosovës në artikulimin e vlerave demokratike, për të krijuar në zbatim praktik realizimin e zotimit apo të ofertës së madhe se vota e gjithë qytetarëve është e nevojshme. Në këtë rast, me një inkurajim dhe pjesëmarrje edhe të komuniteteve pakicë, posaçërisht të komunitetit serb, sepse të tjerët e kanë kapërcyer edhe më herët këtë pjesë të sfidës së hezitimit, dhe të njëjtën kohë, për të bërë kompletimin e imazhit në punën e përgjithshme të institucioneve të vendit”, theksoi Presidenti Sejdiu.Në vijim Presidenti Sejdiu falënderoi edhe për ndihmën e madhe që kanë dhënë për procesin zgjedhor shtetet e ndryshme, përfshirë Shtetet  e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Republikën Franceze, Republikën e Italisë Republikën Federale Gjermane e të tjera.Duke folur për rrjedhën e mirë të zgjedhjeve të 15 nëntorit, me gjithë vërejtjet që janë normale për një proces zgjedhor, Presidenti Sejdiu tha se kemi hyrë në obligimin e madh që më 13 dhjetor ta përfundojmë mirë ciklin. “Është balotazhi në 21 komuna. Unë besoj se do të jetë më lehtë për shumë arsye. E para, është bërë një verifikim i mirë i potencialit institucional për t’u përballur suksesshëm me sfidën dhe tash është një përvojë. E dyta, keni shënuar pjesët ku nuk ka shkuar krejt si duhet në vlerësimet e juaja dhe mund të korrigjohet në proces. E treta, keni shënuar vendet ku eventualisht duhet investim më i madh që të mos ndodhin çështje që në një formë a në formën tjetër mund të jenë pjesë që mund të pengojnë procesin si duhet dhe e, katërta, unë besoj që në këtë pjesë që unë e quaj një ushtrim të mirë, keni arritur shpejtësinë e mirë që rezultatet e balotazhit të dalin më shpejt”, tha Presidenti Sejdiu duke iu drejtuar anëtarëve të KQZ-së.“Kur kamë bërë emërimet e Juaja, Ju jeni betuar në Kushtetutë dhe në Ligj, në asnjë parti politike, por jeni betuar që të respektoni dhe të zbatoni Ligjin dhe Kushtetutën Ai është mandat themeltar i Juaji dhe besoj se ky mandat do të jetë i tillë në funksionin e plotë kur të realizoni misionin e zbatimit të ligjit, të zbatimit të Kushtetutës, sepse gjithë këto bashkë përbëjnë standardet e jetës sonë në ecje, në zhvillim”, vijoi Presidenti Sejdiu.Në fund, Presidenti Sejdiu ka çmuar rolin e Policisë së Kosovës në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.”Dëshiroj të çmoj rolin e Policisë së Kosovës. Policët nuk do të jenë në proces për represiven por do të jenë në pjesën e rendit dhe sigurisë normale që mund të jetë e efektshme dhe e nevojshme si në çdo shtet demokratik”, tha Presidenti Sejdiu.Ai gjithashtu ka folur edhe për rolin e medieve. “Çmoj në veçanti rolin e mjeteve të informimit. E di se mund të ketë dikush ndonjë anim të një grupacioni politik a të një tjetri, që është krejt normale. Por, përgjithësisht, dëshiroj të them se ka qenë përcjellje e dinjitetshme, e zhvillimeve më të rëndësishme që ka kapërcyer populli i Kosovës në kohën e fushatës elektorale”, tha Presidenti Sejdiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.