presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dekoroi Presidentin Mesiq me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu e ka dekoruar sot Presidentin e Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”, në një ceremoni organizuar në kabinetin e Presidentit Sejdiu.

Fillimisht, Presidenti Sejdiu e ka pritur Presidentin Mesiq me nderimet më të larta shtetërore. Të dy Presidentët kanë parakaluar para Gardës Ceremoniale, ndërsa më pas kanë zhvilluar një takim, në fund të të cilit edhe Presidenti Sejdiu i ka dorëzuar mikut të madh të Kosovës, Presidentit Mesiq, dekoratën e lartë, e cila u jepet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të huaj, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë  për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Duke dorëuzar dekoratën, Presidenti Sejdiu theksoi se Presidenti Mesiq ka qenë gjithmonë përkrahës i synimeve legjitime të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Si president i fundit i ish-federatës jugosllave, në kohën kur Serbia e Millosheviçit e kishte institucionalizuar dhunën brutale kundër shqiptarëve në Kosovë, Stjepan Mesiç, si rrallëkush asokohe, mbrojti pa asnjë hezitim të drejtën tonë për vetëqeverisje dhe mëvetësi. Që nga ajo kohë, Presidenti Mesiç e ka përkrahur Kosovën fuqishëm në të gjitha institucionet dhe forumet ndërkombëtare, në të cilat është folur për vendin tonë. Vendi i tij, Republika e Kroacisë e ka njohur shumë shpejt pavarësinë e Republikës së Kosovës, ndërsa diplomacia kroate, dhe veçanërisht Presidenti Mesiq, ka dhënë ndihmë të rëndësishme edhe në procesin e sigurimit të njohjes së pavarësisë së vendit tonë nga sa më shumë shtete të botës demokratike. Tash së fundi, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Kroacia mbrojti fuqishëm legjimitetin e pavarësisë së vendit tonë dhe të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë, theksoi Presidenti Sejdiu.Në të gjitha këto zhvillime, vijoi Presidenti Sejdiu, roli i Presidentit Mesiq ka qenë esencial, ndaj unë, ne emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, i shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë për gjithë atë që Ai ka bërë dhe po bën për Kosovën.   Presidenti Mesiq ka qenë dhe mbetet një mik i dëshmuar i Kosovës. I tillë do të nderohet gjithmonë nga populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës.Si president i Kosovës, unë kam pasur privilegjin e veçantë ta kem mik personal dhe të bashkëpunoj ngushtë me Presidentin Mesiq në një periudhë shumë të rëndësishme për vendin tonë, ndaj, edhe në këtë çast solemn, dua t’i vlerësimin tim dhe të popullit të Republikës së Kosovës për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë dhe po jep edhe sot për vendin tonë, përfundoi Presidenti Sejdiu.Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq, në një fjalë të shkurtër, theksoi ndihmën dhe përkrahjen në vazhdimësi të tij dhe të Kroacisë për Republikën e Kosovës, duke dhënë kështu një kontribut të çmueshëm për stabilitetin e gjithë rajonit. Duke falënderuar për dekoratën e dhënë nga Presidenti Sejdiu, Presidenti Mesiq tha se ka marrë shumë dekorata në këto dhjetë vjet sa ishte kryetar i Kroacisë, porse dekorata e dhënë nga Presidenti i Kosovës, si dekorata më e lartë e shtetit më të ri në botë, do të jetë për të e dashur dhe e veçantë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.