presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu bisedoi me Presidentin Topi dhe me Kryeministrin Berisha

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu zhvilloi sot biseda telefonike me udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha, të cilëve u shprehu shqetësimin e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës për përmbytjet e shkaktuara ditëve të fundit në disa rrethe të Shqipërisë.

Presidenti Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, e njoftuan Presidentin Sejdiu për situatën e krijuar në  zonat e përmbytura në Shqipëri. Gjatë këtyre bisedave, Presidenti Sejdiu i informoi Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha se Kosova ka marrë vendim që të dërgojë në Shqipëri Njësitin e Kërkim – Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për t’u ndihmuar zonave të përmbytura. Me këtë rast, krerët më të lartë të shtetit shqiptar e falënderuan Presidentin Sejdiu për këtë vendim, si dhe për ofertën e institucioneve të Republikës së Kosovës për ndihma në varka shpëtimi dhe mjete të tjera.   Presidenti Sejdiu duke shprehur solidaritetin e tij të plotë me të goditurit e kësaj fatkeqësie natyrore, theksoi se po e ndiqte me vëmendje situatën e krijuar në Shqipëri, dhe i vlerësoi përpjekjet e autoriteteve dhe të qeverisë shqiptare për përballimin e kësaj situate të vështirë.  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.