presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu bëri thirrje për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë

Pas dy eksplodimeve dhe protestave të dhunshme që ndodhën mbrëmë në Mitrovicë, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që t’u shmangen provokimeve të ndryshme dhe t’u ndihmojnë institucioneve të rendit për ruajtjen e stabilitetit dhe të qetësisë.

“Aktet e tilla të dhunshme, pa marrë parasysh motivet dhe autorët që qëndrojnë prapa tyre, nuk i shërbejnë perspektivës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu. Gjithashtu, ai i ftoi institucionet përgjegjëse për sigurinë në vend, KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe organet e hetuesisë që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti, në mënyrë që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.   

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për sundimin e rendit dhe të ligjit, për ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike që u krijon mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk do të lejojnë që aktet e tilla ta vënë në rrezik të ardhmen euroatlantike të vendit”, pohoi Presidenti Sejdiu, duke u uruar shërim të shpejtë zjarrfikësve dhe qytetarëve të lënduar. 

This site is registered on wpml.org as a development site.