presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Pacolli priti kryetaren e KQZ-së, znj. Valdete Daka

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli zhvilloi sot një takim me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), zonjën Valdete Daka.

Presidenti Pacolli e quajti takimin e parë me zonjën Daka si takim në të cilin u dhanë nismat e para rreth ndryshimeve në ligjin zgjedhor, por edhe për ndryshimin e pikës së Kushtetutës, e cila e përcakton Kosovën si një zonë zgjedhore.

Presidenti theksoi se eksperienca jo e mirë me zgjedhjet e fundit është ajo që duhet të na shtyjë të punojmë për këto ndryshime.

“Sa i përket ligjit zgjedhor, unë pata një takim shumë të mirë me zonjën Daka, ku dëgjova edhe vizionin e saj për zgjedhjet e ardhshme. “Normalisht, ky institucion ka bërë një punë të mrekullueshme në këto kushte siç janë organizuar zgjedhjet, ka arritur që t’i organizojë zgjedhjet edhe pse të stërzgjatura. Është institucion i cili i njeh problemet më së miri”, tha Presidenti Pacolli.

Ai gjithashtu paraqiti e mbledhjes së një tryeze të përbashkët ku do të diskutohen këto çështje.

“Synimi i Zyrës së Presidentit është që sa më shpejtë të organizojë një tryezë me përfaqësuesit e partive të ndryshme, qofshin ato parlamentare, të opozitës ose të koalicionit, qofshin edhe ato jashtë parlamentit, me shoqërinë civile dhe të dëgjojmë idetë në çfarë mënyre t’ia fillojmë reformimit të ligjit zgjedhor. Në bazë të këtyre ideve ne do të formojmë edhe një komision, i cili do të punojë drejtpërsëdrejti në formulimin e një propozimi, i cili në të ardhmen, me miratimin e spektrit politik dhe shoqërisë civile, do të jetë edhe ligji zgjedhor i ardhshëm”, tha ai.

“Po ashtu kemi biseduar edhe marrjen parasysh të aspektit teknologjik të organizimit të zgjedhjeve të ardhshme, kemi pasur një mirëkuptim nga të dy palët dhe nga sot vazhdon bashkëpunimi i ynë në reformimin e ligjit zgjedhor të Republikës së Kosovës”, tha Presidenti Pacolli.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se me “Presidentin patëm një takim lidhur me reformën zgjedhore, sidomos lidhur me rolin e KQZ-së në këtë reformë zgjedhore, e cila pritet të bëhet shumë shpejt, me ndihmën edhe të presidentit dhe të zyrës së presidentit”.

Gjithashtu, zonja Daka e falënderoi Presidentin për përkrahja, ndërsa shfaqi shpresën që grupi punues do të fillojë sa më shpejt punën.

Në vazhdim, Presidenti Pacolli dhe znj. Valdete Daka u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve:

Pyetje: Janë dy organizime të cilat kanë qëllimin e njëjtë për t’ju rrëzuar juve prej pushteti, shoqëria civile bashkë me disa parti opozitare dhe e dyta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që po bëhet gati që ta çojë lëndën në gjykatë sa i përket votimit që keni bërë. Cilat prej këtyre ju rrezikon juve më shumë?

Presidenti Behgjet Pacolli: Unë nuk mendoj në gjëra destruktive. Unë besoj që shoqëria kosovare ka nevojë për gjëra konstruktive, ato që iu ndihmojnë qytetarëve të Kosovës, ato veprime që i ndihmojnë zgjedhjes sa më të shpejtë të halleve të qytetarëve të Kosovës. Është e drejtë e tyre, nëse ata mendojnë kështu, të veprojnë. Unë besoj se shoqëria kosovare, qoftë ajo civile ose edhe e spektrit politik, është e vetëdijshme në veprimet e tyre dhe nuk kisha dashur që të keqpërdorin emrat e njerëzve të shquar që kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj shoqërie gjegjësisht të mos keqpërdoret emri i organizatave joqeveritare që kanë pasur një kontribut shumë të madh.

Unë gjithmonë jam besimtar i gjërave konstruktive, i veprimeve konstruktive dhe ne do të vazhdojmë punën tonë pa marrë parasysh kush çka mendon.

Pyetje: Z. President, kur pritni që të zhvillohet takimi i parë për reformimin e ligjit zgjedhor në Kosovë?

Presidenti Behgjet Pacolli: Unë sot kam filluar konsultimet me KQZ-në, me KQZ-në është dashur të bisedohet më së pari dhe tani këto ditë ne do të dërgojmë edhe ftesën për parti të ndryshme politike, duke ia filluar prej grupeve parlamentare, se ata duhet të konfirmojnë ose këta anëtarë të KQZ-së që janë tani ose të ndërrojnë, kanë mundësinë, kemi edhe Vetëvendosjen e cila duhet të delegojë përfaqësuesin e saj në KQZ, kështu që kjo punë do të fillojë që nga sot e tutje. Unë besoj se brenda dy javësh do të jemi të gatshëm për një takim të radhës.

Pyetje: Znj. Daka, cilat janë ato sugjerime që do t’ia bënit partive politike, kur kihet parasysh që ju më së shumti i keni parë mangësitë e ligjit?

Zonja Valdete Daka: Ne si KQZ, natyrisht se i kemi parë më së shumti edhe sfidat, edhe të mirat edhe të këqijat me të cilat jemi përballur gjatë procesit zgjedhor të kaluar. Po gjithsesi ne së pari duhet që vet KQZ-ja ta ketë një takim lidhur me mësimet e nxëna se ku kanë qenë ato pengesa, ku janë sfidat tona, ku jemi përballur ne me problemet më të mëdha gjatë zgjedhjeve të kaluara dhe pas tyre ne gjithsesi do të dalim me rekomandimet tona dhe me atë se çka kemi vërejtur gjate procesit të kaluar zgjedhor.

Pyetje: Dialogu Prishtinë – Beograd, a po e zvarrit ky dialog çështjen e njohjeve dhe kur presim turneun e juaj për çështjen e njohjeve?

Presidenti Behgjet Pacolli:
Unë jam i prirë të besoj në konstruktivitet gjithmonë dhe është mirë që dialogu ka filluar. Unë ju garantoj qytetarëve të Kosovës se asnjëherë nuk do të ketë dialog apo biseda për çështje që prekin sovranitetin e Kosovës. Nuk do të ketë biseda as për sovranitetin e Kosovës, as për kufijtë e Kosovës, as për statusin e as për Kushtetutën, këto janë gjëra të përkryera dhe ndryshimet në këto gjëra i përkasin ekskluzivisht kosovarëve.

Sa i përket zvarritjes së njohjeve. Ne është e vërtetë se kemi pasur një vakum institucional por, siç e dini, edhe në këtë vakum institucional kanë ardhur njohjet, do të thotë nuk është ndalur asgjë në këtë drejtim. Tani bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme kemi biseduar, do të bisedojmë prapë për implementimin e një programi diplomatik që e kemi në definim e sipër, program ky që do të jetë shumë inovativ dhe besoj se do të përshpejtojë arritjen e njohjeve. Unë personalisht nuk jam ndalur, grupet e mia lobuese janë në punë e sipër sidomos prej Afrikës po edhe prej Lindjes së Mesme do të kemi rezultate shumë shpejt.

Pyetje: A do të ndërmerrni si iniciativë atë që e keni parapëlqyer më herët që përpos çështjes së shumë njësive zgjedhore edhe zgjedhja e Presidentit të bëhet drejtpërdrejt, do të jeni ju lobues i kësaj pike?

Presidenti Behgjet Pacolli: Unë jam lobues i madh i kësaj, ju e dini mirë se qysh në ardhjen e hershme timen në spektrin politik menjëherë kam ngritur zërin për këtë dhe edhe njëherë ju dëshmoj se presidenti i zgjedhur prej votës së popullit është legjitim dhe për këtë kam premtuar edhe në fjalimin tim atë ditë kur jam zgjedhur si President i Kosovës, që do të mobilizojë çdo gjë në mundësitë e mia që ligji për zgjedhjen e presidentit të ndërrohet dhe besoni se jemi duke punuar edhe këtu. Po ashtu shumë shpejt do të njiheni edhe më një komision i përbërë po ashtu prej partive politike dhe shoqërisë civile, i cili do të punojë drejtpërsëdrejti në përpilimin e këtij ligji, gjegjësisht propozimit të ndryshimit të Kushtetutës sa i përket ligjit për zgjedhjen e Presidentit. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.