presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Pacolli: Epopeja e 24 marsit në Gllogjan është një datë që nuk njeh harresë

Me rastin e 13-vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli i është drejtuar me një letër Hilmi Haradinajt, Familjes Haradinaj, z.Avdyl Mushkolaj, udhëheqës i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Dukagjinit dhe anëtarëve të kësaj organizate.

Në letër thuhet: Çdo vit në këtë kohë, qytetarët e Republikës së Kosovës përkujtojnë me krenari 13-vjetorin e nisjes së Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin. Epopeja e Dukagjinit është rezistenca e papërsëritshme në historinë e çlirimit të një kombi, është akti sublimues i gjithë përpjekjeve dhe sakrificave shekullore për lirinë e Kosovës, është kryevepër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Epopeja e Dukagjinit është historia moderne e lirisë sonë. Epopeja e Dukagjinit është epope e qëndresës, heroizmit, sakrificës dhe unitetit të pashembullt në historinë politike të Kosovës. Epope e lavdishme të bashkimit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në luftë për liri dhe çlirim. Epope që sublimoi heroizmin dhe sakrificat e brezave – për një shekull të tërë për liri. 24 marsi është një datë që nuk njeh kohë, nuk njeh harresë, kjo ditë ka përjetësinë kudo në Kosovë. 24 marsi i Gllogjanit është harta e sakrificës, e dhimbjeve, e luftës, e rrugëtimit të shpëtimit të Kosovës, është ndër datat më të rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë. Çdo Mars, ne bashkohemi për të rikujtuar luftëtarët dhe dëshmorët e Dukagjinit, ata janë në themelet e ëndrrave tona, në ëndrrat dhe lumturinë e të rinjve tanë, në mundin dhe djersën e punës së punëtorëve, në nderin dhe krenarinë e fëmijëve dhe familjeve kosovare. Sot ata i nderon shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, shteti për të cilin ata mijëra djem dhe vajza të Kosovës, sakrifikuan gjithçka nga vetja e tyre, mundin dhe jetën për Liri, vlerën më të lartë të kombeve dhe popujve. Sot jemi, pjesë e botës për të cilën ëndërruan ata që na sollën në ditët e sotme. Çdo vit që kalon i thellon themelet e lirisë së Kosovës. Çdo vit që kalon rrit madhështinë e sakrificës madhore për lirinë e vendit tonë, thellon peshën historike të kujtesës sonë rritë krenarinë e brezave tanë dhe të pasardhësve tanë.Sot pas trembëdhjetë vjetësh, Kosova është e lirë, ka ndërtuar shtetin e saj të pavarur dhe demokratik, të njohur ndërkombëtarisht dhe me synimin për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sot, kur kemi përmbyllur kapitullin e ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, kujtojmë me nderim të lartë sakrificën sublime të luftëtarëve të UÇK-së, të dëshmorëve tanë, të cilët ranë që brezat e ardhshëm të jetojnë në Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju shpreh konsideratat më të larta dhe përkulemi me nderim të lartë para sakrificës sublime të luftëtarëve të UÇK-së në rajonin e Dukagjinit. Është obligim ynë moral, kombëtar dhe shtetëror para historisë që shteti ynë të qëndrojë mbi themele të shëndosha. Është përgjegjësi legjitime që të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet të mirëfilltë demokratik dhe të zhvilluar. Është përgjegjësi e lartë shtetërore që të kultivojmë unitetin politik për të ardhmen e Kosovës. Kam besim në punën tonë që së bashku në frymën e paqes dhe miqësisë të përmbushim testamentin e madh përballë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Duke vazhduar trashëgiminë e tyre, ne qëndrojmë sot në një rast të shquar në histori. Kosova, institucionet dhe qytetarët e saj përkulemi para tyre. Lavdia e nderi qoftë mbi dëshmorët e kombit! SinqerishtBehgjet Pacolli,President i Republikës së Kosovës

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.