presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Kosova dhe Sllovenia do të thellojnë bashkë punimin në të gjitha fushat

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu dhe Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danillo Turk, pas takimit në kabinetin e Presidentit të Kosovës, kanë marrë pjesë edhe në forumin e përbashkët të bizneseve kosovare dhe sllovene, që u organizua në hotelin Grand në Prishtinë.

Në një fjalë rasti mbajtur para biznesmenëve kosovarë dhe sllovenë, Presidenti Sejdiu ka inkurajuar rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat.Po sjellim në vijim thekset kryesore nga fjala e Presidentit Sejdiu:I nderuari president i Republikës së Sllovenisë, shkëlqesia juaja dr. Danilo Turk,Të nderuar ambasadorë, Të nderuar ministra, deputetë, përfaqësues të bizneseve të Republikës së Sllovenisë dhe të Kosovës, Të nderuar të pranishëm.Sot është një ditë e veçantë për Kosovën, prandaj duhet të jemi krenarë në vazhdimësi, duke pasur parasysh dy momentet të rëndësishme që i kemi, vizitën e shkëlqesisë së Tij, presidentit të Republikës së Sllovenisë dr. Danilo Turk, dhe kjo vizitë, si përkushtim i punës të komunitetit të bizneseve të Republikës së Sllovenisë në Kosovë. Të dyja këto zhvillime të rëndësishme të njëkohshme shprehin në mënyrën më të drejtpërdrejtë përkushtimin e sinqertë, mbështetës të Republikës së Sllovenisë, të popullit slloven për popullin e Kosovës dhe Republikën e Kosovës.Unë pata rastin dhe kënaqësinë ta falënderoj Presidentin Turk për investimet konstante dhe konsekuente në mbështetje që populli slloven, qeveria sllovene dhe presidenti slloven i kanë dhënë Kosovës, edhe në periudhat e mëhershme në atë që ne e themi gjithmonë të rrugës sonë jo të lehtë për pavarësinë e vendit, por, në të njëjtën kohë, edhe në periudhën e paspavarësimit të vendit, duke qenë nga vendet prijatare në proceset e vështira dhe shumë të ndjeshme.Unë sot dua t’i veçoj dy momente që nganjëherë i quaj si pjesë të figurës apo të metaforës, që ia thashë edhe presidentit Turk. Mbështetja e hershme, e mbështetur, e bazuar në idealin e lirisë njerëzore që i jepet Republikës së Kosovës, ka qenë nga të parat në kohët më të vështira dhe në kohët më të liga që kemi pasur dhe e them në pjesën e debateve që kemi pasur në familjen tona, që kanë qenë edhe në familjen time, kur njëri prej fëmijëve që ishte në moshë shumë të re, ende pa shkuar në shkollë, pyeste: Pse po na ndihmon Sllovenia?Dhe i kam thënë dhe i them, sepse, në esencë, ka mbështetur atë që është njerëzore, çka është e nevojshme për një popull që të jetoj i lirë sikur edhe tjerët, dhe e dyta atë që lidhet me procesin e bashkëpunimeve ekonomike, e them se njerëzit nga Sllovenia, njerëzit e biznesit, njerëzit nga Kosova, njerëzit e biznesit kanë komunikuar gjallërisht njëri me tjetrin duke e ndjerë si nevojë po kështu shpirtërore për të ecur në procese të tjera edhe të ekzistencës natyrisht por edhe të zhvillimit të raporteve më të mira mes dy vendeve.Dhe, nuk është e rastësishme se Republika e Sllovenisë është nga të parat me një prezencë të fuqishme, në pjesën e lëvizjeve pozitive të bizneseve në Kosovë, prandaj kjo është një taban paralel apo një bazë e rëndësishme e mbështetjes që këta njerëz edhe në kohën kur nganjëherë ka pasur hezitime në kuptimin se është e sigurt të investohet apo s’është e sigurt të investohet, kanë qenë në Kosovë dhe them bashkë me rritën dhe zhvillimin  e Kosovës, në vazhdimësi të proceseve.Krahas asaj që është bërë nga populli i Kosovës dhe aleatët e saj, një hise të madhe të mbështetjes të parezervë e ka populli slloven, e ka Republika e Sllovenisë, prandaj do t’i hapim rrugë zhvillimeve të reja, bashkëpunimit ekonomik në të gjitha fushat e mundshme, bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe të kulturës dhe rrafshe të tjera të nevojshme për komunikime dhe shkëmbime të përvojave.Për ne si Kosovë, ka qenë dhe mbetet shumë e rëndësishme pjesa e rrugës dhe mënyra se si është kapërcyer në tranzicion  që Republika e Sllovenisë e ka bërë, ajo që e ka cilësuar dhe e ka shpejtuar ecjen e saj në proceset integruese edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO.Po ndalemi edhe tek e para edhe tek e dyta. Them paralelisht se pikërisht lëvizja krahas asaj që mund të quhet pjesë e politikës së drejtpërdrejt si vizion, ka qenë në ndërtimin e politikave më të mira të mundshme, në legjislacion, në ekonomi dhe në fusha të tjera që i duhen për jetën e një shteti.Dhe ne e marrim shembull të mirë, atë që Republika e Sllovenisë e ka kapërcyer shumë shpejt në pjesën e tranzicionit legjislativ, e di se rreth diku 1000 ligje është dashur t’i kapërcejë shumë shpejt dhe t’i bëjë në adapte me standardet evropiane.Nuk është e rastësishme që edhe institucionet e vendit në fushat e drejtpërdrejta janë mbështetur dhe do të mbështeten fuqishëm edhe tash. Mirë është që njerëzit e bizneseve kanë lëvizur edhe më shpejt sesa disa raporte të tjera që kanë qenë peng i proceseve të mëdha.Njerëz nga Republika e Sllovenisë e kanë bërë në mënyrën më të mirë, në rrugën më të mirë dhe ne jemi falënderues për gjithë atë që kanë bërë. Sot është një kohë e ekspertëve, njerëz që do të merren me fushat e komunikimeve, të dijes ekonomike…Ne jemi aleatë dhe mbështetës të proceseve të mëdha, e duam Kosovën që do të ketë vërtet falënderimin e  madh por edhe raportet më të mira dhe që do të rrezatojë paralelisht në raporte të mira me të gjitha vendet e rajonit, edhe me vendet fqinjë dhe kujtoj pikërisht me këtë qasje që e kemi si politikë shtetërore, të rrezatojmë dhe të japim ide për këtë shekull që jemi, në mileniumin e së ardhmes së njerëzimit të jemi në procese të përbashkëta të barabarta, të pashkëputshme.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.