presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në akademinë solemne kushtuar 130-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

I nderuar kryeministër i Qeverisë së Kosovës, z. Hashim Thaçi,I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi,Të nderuar përfaqësues të UNMIK-ut dhe të Misionit Civil Ndërkombëtar,Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra,Të nderuar përfaqësues të ambasadave dhe të misioneve diplomatike,

I nderuar kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, z. Teki Biçoku,I nderuar kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, z. Rexhep Ismajli,Të nderuar pjesëmarrës të Konferencës Shkencore “130-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”,Të nderuar pjesëmarrës, Me këtë Akademi Solemne sonte  në Prishtinë, po e shënojmë 130 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, të njohur në fillimet e saj si Liga e Prizrenit. Qyteti i kulturës dhe i emancipimit, i tregtisë, zejtarisë dhe i bukurisë urbanistiko-ambientale, Prizreni, mori një kuptim më të pasur historik, politik dhe kombëtar, më 10 qershor 1878, kur nga të gjitha rajonet ku jetonin shqiptarët, u tubuan delegatë për të miratuar Rezolutën që do të hapte rrugën e Pavarësisë. Kjo ndodhte pas 500 vjetësh të robërisë nën Perandorinë Otomane.Lidhja e Prizrenit u krijua pas një lëvizjeje paraprijëse të ngritjes dhe të vetëdijesimit kulturor, politik dhe etnik, që përfshinte shqiptarët, duke ua hapur dritaren e afirmimit të identitetit, të krenarisë dhe të mëvetësisë së plotë. Ka pasur shumë ngjarje të mëdha gjatë gjithë historisë, ndërsa do të përkujtoja më këtë rast vetëm luftën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut,  i cili plot 25 vjet qëndroi duke mbajtur të gjallë frymën e lirisë dhe të rezistencës, por, nga këto ngjarje, vendimet e Lidhjes së Prizrenit  shënojnë kthesën më të rëndësishme të historisë moderne.Pa një institucion drejtues deri atëherë, këtij populli po i shkaktohej një lëndim i rëndë fizik dhe shpirtëror buronte nga sundimi arbitrar i Portës së Lartë dhe së fundmi edhe nga vendimet shkatërruese të Traktatit të Shën Stefanit (5 mars 1878) dhe të Kongresit të Berlinit (10 qershor – 10 korrik 1878). Shpërndarjet e brendshme kërkonin një përqendrim imediat të riformatizimit të potencialit shqiptar, të vetëdijësimit dhe të strategjisë për çlirimin kombëtar dhe krijimin e shtetit. Ishte koha kur në Evropë njihej krijimi i identiteteve kombëtare dhe kur krijoheshin shtete të reja, të cilat po shndërroheshin në përurues të zhvillimit social, kulturor dhe ekonomik. Shteti identifikonte progresin. Prandaj, aksioni politik ishte i domosdoshëm.      Nga mbetja e gjatë në frymën e idealitetit dhe të frymëzimit epik, të paragjykimeve dhe të një mosarsimimi të skajshëm, shqiptarët me këtë ngjarje nisën shkëputjen e fundme nga kjo gjendje, duke e  kthyer atë në mospajtim dhe organizim të përgjithshëm, po në të njëjtën kohë sikur edhe popujt e tjerë të Evropës Juglindore. Kthyen shikimin nga realiteti dhe e ardhmja që do të duhej t’u siguronte promovimin e identitetit kombëtar dhe shtetëror, shpalimin e vlerave të veta dhe hapjen ndaj vlerave të reja arsimore, kulturore, politike,  ligjore dhe ekonomike që po përfshinin gjithë botën e qytetëruar, për të ecur kështu drejtë emancipimit nacional. Shikuar nga sot, Lidhja e Prizrenit përveç mesazhit mirëkuptues dhe mobilizues të brendshëm drejtoi edhe mesazhin bashkëpunues me të gjithë popujt dhe vendet liridashëse, të cilat ftoheshin të pranonin shpresën dhe ëndrrën e një populli, i cili merrte përsipër detyrimet dhe përgjegjësitë për të ardhmen e vendit të vet, por duke mos prekur dhe as cenuar vlerat dhe territoret e popujve të tjerë.Duhet kujtuar më këtë rast, se shqiptarët kishin qenë pjesëmarrës të shumë ngjarjeve pozitive të mëdha në vende të tjera dhe nuk ka ndonjë rast që të kenë pasur projekte, programe dhe eshalone dhune për të shkelur popuj të tjerë, territore të huaja, aq më pak të fqinjëve. Madje, përkundër kësaj, ata u dhanë disa nga vendeve fqinje respektin dhe shumë prej tyre madje flijuan jetën për pavarësinë e këtyre vendeve. Po kështu, intelektualë të njohur shqiptarë dhanë një kontribut të madh dhe u bënë pjesë e institucionit të dijes në këto vende. Kjo frymë e tolerancës dhe e mirëbesimit u konsolidua me Lidhjen e Prizrenit, duke u arritur bashkimi i potencialeve diturore dhe gjithë forcës rezistuese, të cilat do të drejtoheshin kah liria dhe zhvillimi, për të qenë edhe shqiptarët përkrah gjithë popujve të lirë perëndimorë. Lidhja e Prizrenit duke nxjerrë popullin nga e kaluara joinstitucionale, promovoi për herë të parë paqen e brendshme publike të kombëtarizmës, duke bashkuar në një organizim politik dhe ushtarak të gjitha miniidentitetet diferente, që deri atëherë theksoheshin mbi bazën e krahinarizmave, religjioneve dhe ndasive tjera, që ishin shndërruar në pengesë e injorim të vetvetes.Më 10 qershor 1878, delegatët përcaktuan se Lidhja ishte e pavarur nga Porta e Lartë dhe do të fillonte realizimi i autonomisë administrative e kulturore, si paraprijëse e krijimit të shtetit shqiptar. Për herë të parë nis krijimi i administratës shqiptare duke pasur shtrirjen fillimisht në Kosovë. Krahas, Kuvendit Kombëtar e Qeverisë, u krijuan edhe sektorët e domosdoshëm drejtues, si ai i mbrojtjes e i diplomacisë, të cilët do të veprojnë për tre vjet rresht, kur realiteti i vënë me vendimet e Lidhjes së Prizrenit, provohet të shkatërrohen me forcë nga Porta.Pikërisht kjo periudhë dramatike do të dëshmojë se vendimet e Lidhjes së Prizrenit nuk ishin bërë për të mbetur në letër. Në këtë akademi solemne, kujtojmë me respektin më të madh udhëheqësit e rezistencës për liri dhe pavarësi, të gjithë luftëtarët që krijuan një horizont të ri për të realizuar vendimet e Lidhjes së Prizrenit.Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi dhe shumë nga prijësit e kësaj periudhe, krijuan vizionin konkret, që dëshmonte se edhe shqiptarët kishin të gjitha mundësitë për të mos mbetur edhe më tej pa institucione, pa qeverisje të veten dhe pa të drejtën legjitime  për të shprehur dhe realizuar identitetin dhe  vullnetin e tyre politik dhe kombëtar.Ajo që do të pasojë mbas Lidhjes së Prizrenit, duhet parë në dy rrafshe: së pari, se shqiptarët vazhduan me rezistencën e tyre praktike, tashti si një përqendrim politik, ushtarak dhe diplomatik shumë i fuqishëm dhe së dyti, në rrafshin shpirtëror kjo ngjarje u dha atyre kredon e kombëtarizmës, të sigurisë, të mbështetjes dhe të valorizimit të faktorëve të brendshëm, pa lënë mënjanë edhe ata ndërkombëtarë.Lidhja e Pejës më vonë, e prirë nga Haxhi Zeka, dhe kryengritjet e vazhdueshme bënë që më 1912, të krijohet shteti shqiptar dhe të realizohet një pjesë e vendimeve dhe ëndrrave të prijësve të Lidhjes së Prizrenit. Por, për afër një shekull, një pjesë e madhe e shqiptarëve mbeten të robëruar, pa pasur shumë nga të drejtat elementare, duke iu shtruar ndjekjeve permanente shtetërore në të gjitha regjimet e ish-Jugosllavisë. Rezistenca dhe mosbindja politike gjatë gjithë kësaj periudhe do të bëjë një hap të rëndësishëm me krijimin e lëvizjes politike shqiptare në Kosovë në fund të viteve ’80, tashmë të shekullit të kaluar, që kishte një nga burimet kryesore frymëzuese për Lidhjen e Prizrenit. Parimet kryesore që njëjtësoheshin me lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës, bënë që të pranohen si parime të një lëvizjeje të përgjithshme politike. Secila kohë i ka heronjtë e vet. Edhe koha jonë ka heronjtë që shquhen në personalitetet reprezentuese të filozofisë politike të paqes dhe të rezistencës së armatosur, të cilat bashkë paraqesin kuptimin e  plotë të realizimit të synimeve të mëdha, për t’u bërë pjesë e vlerave perëndimore.Filozofia shtetformuese e presidentit Ibrahim Rugova dhe aksioni çlirimtar i heroit Adem Jashari, vihen sot në themelet e shtetit më të ri të botës, në themelet e këtyre vlerave, që e bëjnë shtetin tonë të pavarur dhe sovran, Kosovën, një vend me refleksione të sinqerta dhe të fuqishme paqeje, mirëkuptimi dhe tolerance.Në harmoni me mesazhin e vendimeve të Lidhjes së Prizrenit para 130 vjetëve, edhe nga ky solemnitet ritheksojmë se puna jonë do të jetë e orientuar në përurimin e parimeve dhe të institucioneve demokratike, ku respektohen dallimet dhe nuk mund të ketë privilegje mbi bazën e përkatësisë së shumicës, qoftë ajo kombëtare, fetare apo çfarëdo tjetër.Shqiptarët kanë zgjedhur rrugën e integrimeve të brendshme në kuadër të proceseve integruese evro-atlantike, për të dhënë kontributin dhe realizuar synimin e bërjes pjesë aktive e botës së modernizuar.    Për ne mbetet vlerësimi dhe mirënjohja e përhershme për aleancën ndërkombëtare  të prirë nga SHBA dhe Bashkimi  Evropian, si dhe për të gjithë miqtë, ndihma e të cilëve mundësoi rikonfigurimin e hapësirës së Evropës Juglindore, me të cilin u krijuan kushte për zhvillimin e shtetit sovran të Kosovës, si një vend i lirë dhe demokratik, në të cilin të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, religjioze etj., janë me përgjegjësi dhe obligime të barabarta. Nga ky solemnitet afirmojmë edhe një herë përkushtimin tonë se shteti i Kosovës do të ndjekë një politikë të fqinjësisë së mirë, si një nga faktorët kryesor që rajoni ynë të jetojë dhe të zhvillohet në paqe dhe mirëkuptim. Falënderojmë me këtë rast studiuesit tanë dhe ndërkombëtarë që u morën me përkushtim  për ndriçimin shkencor të aspekteve politike, kulturore dhe historike të Lidhjes së Prizrenit dhe të çështjes shqiptare.Lidhja e Prizrenit do të na shërbejë  për të nxitur ndjenjën tonë për më shumë punë, zhvillim dhe integrim, duke qenë të hapur për të gjitha vlerat e reja që ndihmojnë marrjen e një roli dhe përgjegjësie të meritueshme të shqiptarëve në bashkësinë e kombeve të lira dhe në institucionet ndërkombëtare.Ju faleminderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.