presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit Fatmir Sejdiu me rastin e miratimit të Rezolutës së Mijëvjeçarit nga Parlamenti i Republikës së Kosovës

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi,I nderuari kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,Të nderuar deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës,Të nderuar pjesëmarrës,

Në shtator të vitit 2000, në Asamblenë e OKB-së në Nju Jork, kryetarë dhe përfaqësues shtetesh nga gjithë globi, miratuan  Deklaratën e Mijëvjeçarit. Në themelet e kësaj Deklarate të Kombeve të Bashkuara është aspirata për paqe të qëndrueshme, prosperitet dhe drejtësi. Po njëherësh edhe për më shumë dinjitet njerëzor, barazi, zhvillim social, ekonomik dhe kulturor.Zonja e zotërinj,Miratimi i sotëm i Deklaratës së Mijëvjeçarit nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, shpreh përkushtimin e institucioneve tona, për realizimin e parimeve dhe vlerave, të cilat do të mundësojnë që edhe  vendi ynë të bëhet pjesë e progresit më të madh dhe integrimeve më të shpejta.Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit përmbajnë objektiva thelbësore që u detyrohen si institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, poashtu edhe shteteve veç e veç. Prandaj, Kosova si shtet sovran dhe i pavarur, pavarësisht se është më i riu në hartën politike të botës, e merr me përkushtim realizimin e këtyre objektivave  të përbashkëta botërore duke pasur vizionin mbi nevojën e masave konkrete, të shpejta dhe të koordinuara në partneritet ndërkombëtar.  Me këtë rast duhet theksuar se indikatorët ekonomikë, sikur edhe ata njerëzorë në vendin tonë, ende vazhdojnë të mbesin në një shkallë të pakënaqshme zhvillimi dhe për të ndryshuar këtë gjendje kërkohet veprim në një plan shumë të gjerë dhe kompleks. Ne jemi të vetëdijshëm për ndërvarshmërinë midis rritjes ekonomike, redukimit të varfërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Prandaj, do të jetë me interes që Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të  inkorporohen në mënyrë adekuate  në strategjinë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, si dhe në të gjitha strategjitë tjera përcjellëse në nivel të ministrive dhe të fushave përkatëse. Kur e them këtë, kam parasysh se Strategjia e zhvillimit ekonomik të Kosovës do të reflektojë jo vetëm tek indikatorët financiarë, por edhe ndjeshmërinë ndaj varfërisë, vdekshmërisë së foshnjave, arsimit,  mjedisit, AIDS-it. Kjo do të bëjë të mundura efektet pozitive në përmbushjen e objektivave deri në vitin 2015. Redukimi sa më i shpejtë dhe po kështu edhe zhdukja  e varfërisë në një të ardhme të afërt në Kosovë është detyrim yni, prandaj shfrytëzoj rastin që të inkurajoj të gjitha institucionet dhe qytetarët për të vepruar me përkushtim në këtë plan dhe përderisa të mos arrihet kjo, le të punojmë që ky synim kurrë të mos bie  nga agjenda, dhe  të mos  lihet në  harresë nga askush. Krijimi i mundësive më të mira të jetës për çdo njeri;  që njerëzit të mos vuajnë dhe të mos rrezikojnë ekzistencën e familjeve të tyre dhe mirëqenien e gjeneratave të ardhshme, mbetet objektiv relevant dhe parësor i institucioneve të Kosovës.Politikat më aktive zhvillimore dhe sociale, nënkuptojnë doemos edhe shtimin e formave të bashkëpunimit me institucionet dhe entitetet ndërkombëtare, për të tejkaluar problemet dhe gjendjen ekzistuese  të pakënaqshme. Deklarata e Mijëvjeçarit na obligon që parimet e saj të  reflektojnë edhe në buxhetin e Kosovës, sikur edhe në buxhetet e vendeve tjera. Pra, të kemi një buxhet ku do kenë vendin e duhur dhe të posaçëm linjat që do të mundësojnë zvogëlimin e varfërisë, zhvillimin e arsimit, qasjen në kujdesin e nevojshëm shëndetësor, arritjen e barazisë gjinore, etj.Të nderuar deputetë, Do t’ju inkurajoja me këtë rast juve dhe po kështu edhe të gjitha institucionet e Kosovës, që mbështetur në Deklaratën e Mijëvjeçarit, të punohet për një  ndërlidhje aktive  në raportet strategjia zhvillimore – buxheti dhe – bashkëpunimi me mediat dhe shoqërinë civile – me ç’rast do të mundësohej krijimi i linjave dhe aktiviteteve të përbashkëta në relacionin institucionet -mediat – shoqëria civile dhe publiku, si një parakusht i rëndëishëm për realizimin e objektivave të Mijëvjecarit. Kur e them këtë, kam parasysh se realizimi i shumë prej këtyre objektivave nuk varet vetëm nga investimet apo mjetet financiare, por edhe nga ndryshimi i vetëdijes dhe i qasjes ndaj problemeve ekzistuese.  Në këtë kontekst do të përmendja veçmas mortalitetin e foshnjave, shëndetin maternal, AIDS-in dhe barazinë gjinore.Është me shumë interes shtimi i  pjesëmarrjes dhe shtrirja sa më e gjerë e aktiviteteve në të gjitha nivelet, nëpërmjet reflektimit ndaj iniciativave të shoqërisë civile. Natyrisht, kjo do të mund të mbërrihet nëpërmjet politikave inkurajuese të institucioneve të Republikës së Kosovës. Zonja dhe zotërinj,Republika e Kosovës në këto vite të ndërtimit të një shoqërie dhe të institucioneve të saj demokratike, e ndihmuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ka miratuar një legjislacion që ndërlidhet edhe me objektivat e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara. Tashmë po funksionon një  legjislacion në fuqi me shumë dimensione  të volitshme dhe që po jep rezultate edhe në rrafshin praktik. Fjala vjen, ne kemi një Ligj bashkëkohor për barazinë gjinore dhe na mbetet që në një proces dhe kohë sa më të shkurtër, atë edhe ta zbatojmë plotësisht.Realizimin e Synimeve të Zhvillimit të Mijëvjeçarit deri në vitin 2015, krahas përmbushjes së kritereve për integrim në BE, e vlerësojmë si sfidë shumë të madhe, por edhe detyrim, të mundshëm për t’u realizuar në pikat e veta më të ndjeshme. Me angazhimin që sa më parë të arrijmë të anëtarësohemi në institucionet ndërkombëtare politike dhe financiare, duke u bërë pjesë e partneritetit global për një zhvillim të qëndrueshëm, ne presim mbështetjen e vendeve tjera, veçmas të vendeve të BE-së, që me përvojat e veta dhe në forma përkatëse, do të na ndihmojnë në qasjen dhe përmbushjen  e vizionit për këtë proces. Të nderuar deputetë,Me aprovimin nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, sot edhe formalisht po deklarohemi se do të punojmë në përmbushjen e tetë parimeve të Deklaratës së Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Ne do të punojmë bashkërisht që qytetari i Kosovës të përfitojë thellësisht nga ky proces duke krijuar ndryshim në cilësinë e jetës në mënyrë që çdo njeri të ketë shëndet, edukim, strehim e siguri. Mbetet detyrë e përbashkët e institucioneve të Kosovës vlerësimi real i ecurisë së jetësimit të obligimeve që dalin nga Deklarata. Në këtë aspekt, unë si President i vendit, do të angazhohem dhe do të punoj  për realizimin e plotë të këtyre obligimeve, duke u kujdesur për ndërlidhjen e të gjitha veprimeve jo vetëm në rrafshin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm. Duke punuar bashkarisht dhe me përkushtim të përhershëm për të ardhmen tonë më të mirë dhe prosperuese, Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit do të bëhen realitet edhe në Republikën e Kosovës si një shtet i ri, por me përcaktime afatgjata të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të integrimeve. Ju falemnderit. 

This site is registered on wpml.org as a development site.