presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Christopher W. Dell: Mbështetja e SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës do të jetë e paluhatshme

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Christopher W. Dell, i cili i solli letrat kredenciale.

Presidenti Sejdiu në ceremoninë e pranimit të letrave kredenciale, shprehu kënaqësinë e tij për takimin me ambasadorin Dell dhe konsideratat e falënderimet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjen e tyre të përhershme që i kanë dhënë Kosovës.“Është një kënaqësi e jona që sot kemi edhe një moment ceremonie në pranimin e letrave kredenciale nga ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Christopher W. Dell që do të jetë në mision në Kosovë në vazhdimin dhe mbështetjen e fuqishme të politikës së Shteteve të Bashkuara për Kosovën”, theksoi Presidenti Sejdiu.Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se do të ketë bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë me ambasadorin Dell, të cilin e vlerësoi si njohës të rrethanave dhe të zhvillimeve në Kosovë.Ambasadori Dell është ambasadori i dytë Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, ai ka qenë në vendin tonë edhe në kohë të mëhershme dhe e ka udhëhequr me sukses misionin amerikan në Kosovë.“Z. President, së pari dua t’ju tregoj se çfarë nderi ka qenë për mua që t’jua prezantojë letrat e mia kredenciale sot dhe që jam emëruar nga Presidenti Obama për të qenë ambasadori i dytë amerikan në Republikën e Kosovës. Siç e dini, dhe siç e përmendët, kjo është hera e dytë që më është kërkuar ta udhëheq Zyrën Diplomatike të SHBA-ve në Kosovë. Shumë kosovarë tashmë më kanë dëshiruar mirëseardhje dhe kam kënaqësinë të them se, pas tetë vitesh, vërtetë ndjehem sikur jam kthyer në shtëpinë time”, tha ndërkaq ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Christopher W. Dell.Sigurisht, shumëçka ka ndryshuar nga ajo kohë. Gjersa shikoj përreth, shoh shenja të përparimit gjithkah, përfshirë – më duhet ta them këtë – zyrën tuaj, vijoi ambasadori Dell. Fillimi i çdo misioni diplomatik është periudhë përplot optimizëm dhe shpresë dhe më duhet të them se, në këtë rast të veçantë, kur shoh përparimin e madh që është arritur këtu, ndjehem veçanërisht optimist për punën tonë të përbashkët dhe për të ardhmen e Kosovës. Jam i sigurt se qytetarët dhe qeveria e Republikës së Kosovës kanë energjinë dhe imagjinatën qa ta vazhdojnë këtë përparim dhe dua t’ju siguroj, z. President, në emër të SHBA-ve, se mund të vazhdoni të llogaritni në ne si në një partner të vendosur në këto përpjekje, tha në vijim z.Dell. “Qëndrimi amerikan ndaj Kosovës është vërtetë i thjeshtë dhe i qartë. Së pari, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe mbështetja e SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës do të jetë e paluhatshme. Së dyti, ne jemi të përkushtuar për projektin tonë të përbashkët të ndërtimit të një vendi demokratik, shumetnik, tolerant dhe përparimtar, në të cilin respektohet ligji dhe i cili do të bëhet anëtar i plotë i familjeve transatlantike dhe evropiane”, tha ambasadori Dell. “Unë shoh pesë detyra kryesore në të cilat ne duhet të punojmë së bashku: të vazhdojmë t’i ndërtojmë institucionet e qeverisë dhe shoqërisë suaj; të sigurojmë që Kosova të mbetet atdhe i të gjithë qytetarëve të saj të përkatësive të ndryshme dhe të gjithë ata të jenë pjesë e procesit të ndërtimit të një të ardhme të përbashkët më të mirë; ta krijojmë një bazë ekonomike solide për ta siguruar përparimin e të gjithë qytetarëve të këtij vendi; të punojmë së bashku në ndërtimin e pushtetit ligjor në Kosovë, pa të cilin asnjë vend demokratik nuk mund të mbijetojë; dhe, përfundimisht, të punojmë së bashku me partnerët tanë evropianë drejt së ardhmes së Kosovës në Evropë”, tha ai dhe duke shtuar se”s’do mend se të gjitha këto janë objektiva, z. President, dhe asnjëri s’do të jetë i lehtë për t’u realizuar, por mua më është thënë që të vij këtu, t’i përvjel mëngët, t’i përvishem punës dhe t’ju ndihmoj juve që t’i realizoni këto objektiva dhe unë jam i sigurt se, së bashku, ne do t’ia dalim”. “Unë besoj, siç edhe po ndodh, se ne jo vetëm që do t’i forcojmë më tej marrëdhëniet historikisht të fuqishme midis Kosovës dhe SHBA-ve, por, krahas kësaj, do t’i përforcojmë parimet që i bashkojnë dy popujt tanë. Në 230 vitet e jetës të tyre, SHBA-të kanë përjetuar triumfe dhe dështime, përparime dhe ngecje, por asnjëherë, në asnjë moment, nuk na është lëkundur besimi se po që se u qëndrojmë besnik parimeve themelore të vendit tonë, ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe, mua më duket z. President, kjo është çfarë në thelb i bashkon dy popujt tanë – besimi në një të ardhme më të mirë. Jo më herët se para nëntorit të vitit të kaluar, zgjedhja e Presidentit Obama ka dëshmuar, kujtoj unë, se ky proces po vazhdon në SHBA, siç e di edhe pse sot jam këtu në Kosovë. Së këtejmi, unë do t’ju falënderoja sërish. Faleminderit për mikpritjen tuaj. Pres me padurim që ta bëjmë një punë të madhe me ju gjatë tri viteve të ardhshme”, përfundoi fjalën e tij ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Christopher W. Dell.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.