presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Aktivitete të shumta të Presidentit Pacolli në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoni

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka zhvilluar aktivitete të shumta në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Pas pjesëmarrjes në Forumin e Biznesit Kosovë-Maqedoni, Presidenti Pacolli dhe delegacioni që e shoqëroi, vizitoi Klinikën “Sistina” në Shkup, nga drejtuesit e së cilës u njoftua për funksionimin dhe punën e kësaj. Në vazhdim të vizitës, Presidenti Pacolli qëndroi në qytetin e Tetovës, ku ai u prit nga qytetarë të shumtë, ndërsa në një takim me kryetarin e komunës, z.Sadi Bexheti u njoftua më për së afërmi për gjendjen e përgjithshme në këtë komunë, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin me Kosovën dhe një varg temash të tjera. Presidenti Pacolli përkujtoi me këtë rast se udhëheqja dhe banorët e komunës së Tetovës i dolën në ndihmë popullit të Kosovës, atëherë kur ai pati nevojë më së shumti, duke hapur dyert dhe duke pranuar të gjithë ata njerëz që ishin të dëbuar nga Kosova. Ai shtoi gjithashtu se Tetova sot mund të quhet qendër akademike e të gjithë shqiptarëve të kësaj ane, duke e quajtur Tetovën një qendër të rëndësishme të zhvillimeve në këtë pjesë të Maqedonisë, por edhe në rajon. Presidenti Pacolli theksoi se Tetova është një qendër e zhvillimit, por e cila mund të rrisë edhe më tej bashkëpunimin me rajonet e tjera, sidomos me Kosovën. Edhe me këtë rast, Presidenti Pacolli theksoi nevojën e bashkëpunimit më të madh të bizneseve, por edhe krijimin e kushteve për rritjen e këtij bashkëpunimi, duke krijuar mundësinë për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve dhe të kapitalit. Si shembull, ai përmendi mundësinë e krijimit të një zone të lirë ekonomike, në të dy anët e Maleve të Sharrit, në Kosovë e në Maqedoni. “Zona e lirë ekonomik është e arritshme, por duhet të jetë vullneti i fuqishëm i njerëzve që veprojnë. I bëj thirrje edhe Qeverisë së Kosovës edhe Qeverisë së Maqedonisë që t’ia fillojnë punës për jetësimin e kësaj ideje”, tha ai, duke shtuar se ndërtimi i rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën do të krijonte kushte shumë më të mira për bashkëpunimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve. “Hapja e pikave të reja kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës është edhe një hap drejt implementimit të idesë së krijimit të një hapësire të favorshme ekonomike, që do të ndikojë drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha Presidenti Pacolli. Presidenti Pacolli, po kështu, vizitoi “Xhaminë e Larme” dhe kompleksin “Arabati baba teqe”, ku u njoh me historinë dhe bukuritë e këtyre objekteve fetare, si dhe me drejtuesit e tyre diskutoi për një varg çështjesh. Në vazhdim të vizitës në komunën e Tetovës, Presidenti Pacolli vizitoi edhe një nga ndërmarrjet më të suksesshme në këtë anë, fabrikën “Renova” në fshatin Xhepçishtë. Drejtuesi i kësaj fabrike, Shefki Idrizi e njoftoi Presidentin Pacolli me historikun e kësaj fabrike dhe të ndërmarrjes që ai drejton, e cila ka shtrirë aktivitetin e saj edhe në disa qytete të tjera të Maqedonisë, në Kosovë dhe në Shqipëri. Nga ana e tij, Presidenti Pacolli e përgëzoi z.Idrizi për punën e bërë dhe e inkurajoi që të zgjerojë edhe më tej biznesin e tij dhe bashkëpunimin me ndërmarrjet nga Kosova. Në përmbyllje të vizitës, Presidenti Behgjet Pacolli vizitoi edhe selinë e Kompanisë “Ecolog” në Tetovë. Përveç anëtarëve të delegacionit, Presidenti Pacolli në këto vizita u shoqërua edhe nga zëvendëskryeministri në Qeverinë e Maqedonisë, z.Abdylaqim Ademi dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Maqedonisë. Duke folur për punën e Kompanisë, z.Lazim Destani e njoftoi Presidentin Pacolli me punën që bën kjo kompani me shtrirje në të katër anët e globit, duke pasur të punësuar mbi 3500 punëtorë nga 25 shtete të ndryshme. Ai gjithashtu theksoi se, pas institucioneve shtetërore, “Ecolog” është kompania e parë për nga punësimi i një numri të madh të studentëve të dy universiteteve të Tetovës. Presidenti Pacolli e përgëzoi z.Destani për punën e madhe që bën kompania “Ecolog” dhe sidomos për faktin se ajo zhvillon një aktivitet të madh dhe është një krah i madh për familjet shqiptare të kësaj ane. “Është një kënaqësi të gjendem para njerëzve të cilët më kuptojnë më së miri, njerëzve që veprojnë, njerëzve që ndërtojnë, njerëzve që krijojnë, para së gjithash, para njerëzve që krijojnë jetë më të lumtur, jetë më të mirë edhe për të tjerët”, tha Presidenti Pacolli, duke folur pas takimit. “Jam i gëzuar që jam në një kompani ndërkombëtare, në një kompani që gjithmonë ka gjeneruar vetëm për mirësi. Kishim një bisedë shumë konstruktive. Kosova ka nevojë për ndërmarrës, Kosova ka nevojë për veprimtarë ekonomikë. Me z.Destani, biseduam që gjithsesi prezenca e kësaj kompanie në Kosovë të jetë edhe shumë më e madhe dhe Kosova do të krijojë hapësirë për veprim ekonomik”, tha Presidenti Pacolli. “Ne biseduam për fillimin e ndërtimit të një qendre spitalore moderne në Kosovë, për ndërtimin e një qendre akademik në Kosovë dhe për zgjerimin e kapaciteteve që kjo kompani i ka edhe në Kosovë”, theksoi Presidenti Pacolli, duke qenë i bindur në rritjen e bashkëpunimit me këtë kompani dhe duke u dëshiruar drejtuesve të saj suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.