presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Jahjaga në “Kosovapress”: As ndarje të Kosovës, as autonomi për veriun

27 tetor 2012 – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë për Kosovapress ka deklaruar se dialogu është mënyra e vetme dhe se nuk sheh zgjidhje tjetër për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë dialog, ajo ka thënë se Kosova ka garanci ndërkombëtare se aty nuk do të diskutohen çështje që do ta cenojnë sovranitetin e vendit, andaj nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka status dhe autonomi të veçantë për veriun.Ajo në këtë intervistë ka folur edhe për protestat e fundit të lëvizjes Vetëvendosje, të cilat i ka quajtur si veprime jo institucionale, duke shtuar se rruga nuk është zgjidhje për asgjë. E për policinë e Kosovës, Presidentja Jahjaga ka thënë se nuk është përdorur dhe nuk mund të përdoret për qëllime politike. Ndërkaq për marrëveshjen politike në mes të liderëve, Jahjaga ka thënë të mos jetë pjesë e marrëveshjes, por rezultat i saj, duke shtuar se ajo nuk e ka bllokuar reformën kushtetuese dhe zgjedhore.

Kosovapress: Zonja Presidente, kohëve të fundit, vendin tonë e kanë përcjellë zhvillime, nëse mund të themi, të nxehta, të cilat, janë të ndërlidhura me vazhdimin e dialogut me Serbinë. Sipas jush, pse duhet të bisedohet me Serbinë?

Jahjaga: Unë e kam thënë edhe herëve të tjera se dialogu nuk është vetëm mënyra më e mirë, por është mënyra e vetme me të cilin, ne si shtet i pavarur dhe si shtet sovran, do ta detyronim dhe do ta obligonim Serbinë që t’i përmbushë të gjitha obligimet e veta karshi Kosovës dhe karshi normave e standardeve ndërkombëtare. Unë nuk shoh zgjidhje tjetër. Ne kemi provuar dhe i kemi testuar të gjitha mënyrat tjera dhe kemi parë që nuk kanë pasur rezultate, nuk kanë pasur efekt. Kështu që, është e vetmja alternativë dhe e vetmja mënyrë është procesi i dialogut me të cilin ne si dy shtete fqinje që nuk kemi pasur një të kaluar, ta themi, aq të lehtë dhe me shumë pasoja, që mund t’i normalizojmë marrëdhëniet në mes të të dyja shteteve tona.

Kosovapress: Këto bisedime kanë filluar si teknike, mirëpo tash pranohet edhe nga ekzekutivi i vendit se këto po kalojnë në bisedime politike. Si e komentoni këtë ndryshim qëndrimi të ekzekutivit?

Jahjaga: Vitin e kaluar ne kemi filluar një proces të dialogut që ka pasur si rrjedhojë diku rreth shtatë marrëveshje, të cilat janë arritur dhe qëllimi kryesor i procesit të dialogut është që të gjinden zgjidhje që janë në të mirë dhe që shkojnë në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit, dhe që të jenë zgjidhje evropiane apo konform rregullave, standardeve dhe normave ndërkombëtare. Kurse aspekti se a është teknik apo politik, unë e them se më shumë është një shprehje apo një aspekt i terminologjisë se si përdorët. Është me rëndësi që Kosova të paraqitet e pavarur, që Kosova të paraqitet në mënyrë dhe në nivel të barabartë sikurse të gjitha shtetet e tjera dhe Kosova në çdo përfaqësim të vetin dhe në çdo prezantim të saj deri më tani është përfaqësuar si shtet sovran, si shtet i pavarur me integritet dhe sovranitet territorial të garantuar ndërkombëtarisht dhe në ato korniza dhe në ato suaza do të vazhdojë që të prezantohet në çdo takim dhe çdo përfaqësim jashtë kufijve të shtetit tonë.

Kosovapress: Sa ka garanci nga bashkësia ndërkombëtare që në këto bisedime politike nuk do të jenë në qendër të vëmendjes edhe temat të cilat do ta cenojnë sovranitetin e vendit?

Jahjaga: Më shumë është që ka disa tema të cilat janë të përcaktuara, mirëpo, kryesisht këto bëhen në pajtueshmëri të plotë në mes të palëve dhe nga ana e ndërmjetësuesit të procesit të dialogut dhe gjithsesi këto asnjëherë nuk bëhen përmes imponimeve, mirëpo, bëhen kryesisht me pajtimin e plotë në mes të palëve. Kurse të gjitha çështjet e tjera që janë çështje të brendshme të Kosovës, ato janë dhe do të vazhdojnë të mbesin çështje ekskluzive të brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës, kurse të gjitha çështjet e tjera që kanë qenë të pazgjidhura, që kanë qenë pengesë të proceseve të mëtutjeshme për Kosovën dhe për ndërtimin e një fqinjësie të mirë dhe të normalizimit të marrëdhënieve në mes të të dyja shteteve tona si vende fqinje, do të adresohen dhe do të gjinden zgjidhje që janë konform kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës dhe konventave dhe normave ndërkombëtare.

Kosovapress: Nga zërat e atyre që i kundërshtojnë bisedimet politike me Serbinë thuhet se në këtë dialog politik Kosova, apo Prishtina zyrtare, përfundimisht, po e humb kontrollin në pjesën veriore të Kosovës. Si e komentoni këtë?

Jahjaga: Unë kam mirëkuptim për qëndrimet e opozitës, mirëpo, e thash që në fillim që nuk kemi alternativë tjetër përveç procesit të dialogut me të cilin duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet në mes të të dyja shteteve tona. Në mes të barabartëve nuk ka kushtëzime dhe ka respekt, ka mirëkuptim, ka respekt të normave dhe standardeve ndërkombëtare, ka dëshirë dhe synim për arritjen e marrëveshjeve që shkojnë të favor dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve të të dyja vendeve dhe që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një mënyrë e vetme, ta themi, me të cilën ne duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet si dy shtete fqinje dhe unë gjithmonë kam pasur një qëndrim pozitiv, ta themi, ndaj procesit të dialogut, sepse në rrugën tonë, si dy shtete fqinje, në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian që kjo nuk ka alternativë, jo vetëm për Kosovën e për Serbinë, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, apo të Evropës Juglindore. Ne vetëm mund të ndihmojmë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe jo ta kundërshtojmë njëra-tjetrën në këtë proces. E thash edhe më herët, sepse nuk ka asnjë çështje e cila do ta cenojë në asnjë mënyrë sovranitetin dhe do t’i përmbahemi fuqimisht kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe ne për këtë kemi edhe garanci të fuqishme ndërkombëtare, jo vetëm nga ndërmjetësuesit e këtij procesi, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, sepse ju e dini se ky proces është në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe në përkrahje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosovapress: A po nënkuptohet nga kjo se ka garanci që në këto bisedime nuk do të dilet nga Plani i Ahtisaarit?

Jahjaga: Në qoftë se vetëm i referoheni aspektit që ka të bëjë me tri komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, duhet të them që të gjitha çështjet sa i përkasin çështjeve të brendshme të Kosovës, janë çështje e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në mes të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në këto tri komuna, në veri të territorit të Republikës së Kosovës që jetojnë qytetarë serbë që janë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës, zgjidhja e vetme është implementimi i Pakos së Ahtisaarit dhe pako kjo që tashmë ka treguar rezultatet e veta dhe ka pasur benifitet në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, ku vetëm ka filluar të implementohet dhe ka treguar vetëm rezultatet e para dhe do të jetë implementim i fuqishëm edhe në këto tri komuna në veri të vendit. Në vitin e ardhshëm do të mbahen edhe zgjedhjet lokale ku do t’i kemi përfaqësuesit e zgjedhur legalë dhe legjitim që përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe askënd, e aq më pak me Serbinë do të bisedojmë për këto çështje të brendshme të Kosovës. Ne tanimë vetëm kemi hapur dialogun në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në kuadër të kornizave të Pakos së Ahtisaarit apo Planit të Ahtisaarit për implementimin më të fuqishëm të këtij plani në terren përbrenda këtyre komunave dhe gjithsesi se Serbia mund të ketë rol në këtë dhe e ka rolin e saj, e kjo është e paraparë edhe në kuadër të Pakos së Ahtisaarit në fushën e arsimit, të kulturës, të shkencës dhe të shëndetësisë, por gjithsesi, gjithmonë duke iu përmbajtur Pakos së Ahtisaarit dhe duke iu përmbajtur kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe kjo gjithsesi se do të realizohet edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale ndërshtetërore se si duhet të kërkohet kjo ndihmë dhe kjo përkrahje.

Kosovapress: Sipas jush, cilat janë vijat e kuqe në dialogun politik mbi të cilat nuk guxohet të shkelet. Çka mund të bisedohet e çka jo?

Jahjaga: Platforma e bisedimeve për Kosovën dhe në procesin e bisedimeve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është e qartë, është vullneti i qytetarëve të Kosovës, është kushtetuta e Republikës së Kosovës, janë ligjtë e Republikës së Kosovës, janë konventat dhe normat ndërkombëtare, të cilat aplikohen në çdo rast me rastin e ndërtimit të marrëdhënieve në mes të shteteve, kurse aspekti i modalitetit rregullohet përmes dialogut, përmes bisedimeve lidhur me bartësit, lidhur me kohëzgjatjen e procesit të tyre, por kjo më shumë është çështje e aspektit teknik. Mirëpo, nëse mund ta themi, sepse Kosova është shtet sovran, është shtet i pavarur me integritetin e plotë territorial. Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka shpërngulje apo shkëmbim të popullsisë, nuk ka status të veçantë dhe nuk ka autonomi të veçantë. Zgjidhja e vetme është vetëm e vetëm përbrenda Pakos së Ahtisaarit dhe implementimit të fuqishëm dhe të hollësishëm të këtij dokumenti që tanimë është inkorporuan në kushtetutën e vendit tonë.

Kosovapress: A ka garanci ndërkombëtare për këto që po i thoni?

Jahjaga: Plotësisht.

Kosovapress: Ka zëra nga Bashkimi Evropian, si ai i baroneshës Ashton se në dialogun politik Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë e presin vendime të vështira. Sipas jush, për çfarë vendimesh të vështira bëhet fjalë, sidomos për Qeverinë e Kosovës pos atij të Planit të Ahtisaarit, kur dihet se edhe vetë ekzekutivi është deklaruar se Pakoja e Ahtisaarit është kompromisi i fundit që mund të bëhet në këtë proces karshi Serbisë?

Jahjaga: Nuk ka vendime të vështira në kuadër të një udhëheqësie të përgjegjshme që ka vizionin e qartë, që e di se çka do dhe e di se ku shkon dhe që e përfaqëson në përpikëri vullnetin e popullit, qëndrimin e popullit dhe i përfaqëson interesat e qytetarëve dhe të shtetit tonë dhe që ka një përkrahje të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare. Në këto suaza ne po ecim si shtet dhe përfaqësimi i Kosovës po ecën në këtë drejtim. Dhe në procesin e dialogut që tanimë ka filluar në mes të Kosovës dhe në mes të Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve që kemi pasur një të kaluar jo aq të lehtë që ndoshta edhe në ditët e sotme ne jemi duke i vuajtur pasojat e tilla, jo vetëm si shtet, por edhe në përgjithësi në tërë rajonin, ne kemi ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe kemi një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një përkrahje dhe mbështetje të tillë, më duhet ta them se nuk e kemi pasur asnjëherë më parë në historinë tonë dhe vizioni jonë si liderë dhe si shtet është që ta shfrytëzojmë këtë momentum që t’i lëvizim proceset në të mirë të shtetit tonë dhe të popullit tonë.

Kosovapress: Zonja Presidente, këto ditë ndodhi edhe një takim në relacion me Serbinë, respektivisht në mes të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq në Bruksel, ku pas kthimit të tij në Kosovë ju patët një takim me të dhe ju i dhatë përkrahje këtij takimi. Çka në fakt Presidentja përkrahë në këtë proces?

Jahjaga: E para është takimi i mbajtur tashmë në mes të Kryeministrit të Kosovës, Thaçi dhe Kryeministrit të Serbisë, Daçiq që unë e konsideroj se është një ecje përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Është obligim i yni që t’ju përgjigjemi kërkesave të qytetarëve tanë në realizimin dhe përmbushjen e të gjitha standardeve dhe normave në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve ndërmjet shteteve. Kryeministri Thaçi ka bërë një punë të mirë, duke respektuar kushtetutën e vendit, duke respektuar ligjet e vendit, duke e respektuar edhe rezolutën e fundit të miratuar në Kuvendit e Republikës së Kosovës. Dhe ne, si institucione dhe si liderë, duhet të jemi në përputhshmëri të plotë në respektimin e kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Kurse raportimi, ta themi, i Kryeministrit Thaçi në zyrën e Presidentes, unë kam qenë e njoftuar në kohën e shkuarjes në takim dhe menjëherë pas përfundimit të takimit është bërë një prezantim detaj lidhur me gjithë rrjedhën e takimit, i cili është mbajtur në Bruksel dhe kjo është në kuadër të raportimit të rregullt dhe në kuadër të bashkërendimit dhe koordinimit ndërinstitucional si respektim i kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Kosovapress: Në këtë kontekst, si i komentoni reagimet e lëvizjes Vetëvendosje karshi kundërshtimit të këtij dialogu politik me Serbinë, ku pamë edhe skena të dhunshme pikërisht në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë?

Jahjaga: Është qëndrim edhe përgjegjësi e lëvizjes Vetëvendosje ndaj apo para elektoratit, para anëtarëve dhe para të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Veprimet nuk ishin veprime institucionale edhe pse lëvizja Vetëvendosje është parti politike parlamentare. Si Presidente e vendit unë kam shprehur qëndrimin dhe vazhdoj ta mbaj atë qëndrim, sepse duhet të shteren dhe duhet të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat institucional që ekzistojnë përbrenda institucioneve të Kosovës dhe përbrenda Kuvendit të Kosovës. Rruga nuk është zgjidhje për asgjë dhe veprimet dhe vendimet janë obligative për partitë dhe për të gjitha subjektet politike parlamentare.

Kosovapress: Kuvendi i Kosovës pati reaguar në njërën prej seancave që policia e Kosovës po përdoret edhe nga politika. Kjo rrodhi pas një protestë që pati edhe lëvizja Vetëvendosje pikërisht në kohën kur po nënshkruhej kontrata për shitjen e Distribucionit të KEK-ut. Si e komentoni këtë?

Jahjaga: Policia e Kosovës as po përdoret as që mund të përdoret për qëllime politike. Policia e Kosovës po e zbaton ligjin dhe është një institucion që është në mbrojtje të rendit dhe në mbrojtje të ligjit dhe për këtë janë shumë të qarta të gjitha rregullat dhe të gjitha procedurat. Ne nuk bën të ngutemi dhe të nxjerrim konkluzione para kohës para se të bëhet ndonjë vlerësim apo përpara që të bëhet një hetim. Veprimet e rrugës, edhe pse janë legale nuk duhet të mbizotërojnë dhe nuk duhet që të ndikojnë në të gjitha veprimet institucionale. Dhe ne duhet t’i lëmë emocionet anash dhe duhet që emocionet të mos na mbizotërojnë, të mos na tejkalojnë dhe duhet më shumë që të orientohemi dhe të koncentrohemi në zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendit, se vetëm në atë mënyrë mund të ecim përpara dhe vetëm në atë mënyrë mund ta çojmë vendin tonë përpara në të gjitha proceset. Republika e Kosovës është shtet demokratik, është një shtet që ka një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme ndërkombëtare edhe në ndërtimin e vazhdueshëm të të gjitha proceseve demokratike dhe kjo nuk e amniston askënd nga asnjë veprim apo nga veprimet e bëra, sepse askush nuk ka imunitet, ta themi, mbi ligjin për manipulimin e masave për tejkalimin e kompetencave dhe vlerësimet për të gjithë këtë bëhen konform suazave ligjore, në kuadër të normave ligjore dhe prezantimeve dhe ballafaqimeve të të gjitha fakteve në të dyja anët. Policia e Kosovës është një institucion profesional, është një institucion që është në përkrahje dhe mbështetje dhe ka gëzuar respektin e të gjithë qytetarëve të saj dhe është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe është institucioni më i besueshëm në krahasim me të gjitha policitë e tjera të rajonit.

Kosovapress: Zonja Presidente, t’i kthehemi edhe njëherë çështjes së bisedimeve me Serbinë. Është thënë se këto bisedime janë politike dhe i takojnë nivelit të lartë të të dyja vendeve. Sikur këto bisedime të vazhdojnë në nivel Presidentësh, a do të ishit e gatshme që t’i prinit këtij dialogu?

Jahjaga: Çështja se kush duhet të merr pjesë në takime apo në çfarë niveli është çështje që zakonisht përcaktohet në kuadër të palëve apo me përcaktimin apo mirëkuptimin më mes të palëve edhe nga ana e ndërmjetësuesve ndërkombëtar. Në momentin në të cilin janë duke u zhvilluar edhe të gjitha temat të cilat janë duke u diskutuar dhe po diskutohen, ato hyjnë në kuadër të kompetencave të ekzekutivit dhe është çështje ekzekutive e të dyja shteteve. Mirëpo, ndodh që në të ardhmen mund të ketë simbolika nënshkrimesh të traktatit apo përfundimit të marrëveshjes ndërkombëtare dhe që mund të nënshkruhet edhe nga ana e Presidentëve apo në prezencën e Presidentëve, por kjo çështje do të përcaktohet në të ardhmen dhe varësisht se kush është president. Mirëpo, në qoftë se vetëm gjatë kohës do të përcaktohet se do të ketë edhe nivele të takimit të tillë, gjithsesi se do të marrë pjesë dhe unë e kam thënë edhe herëve të tjera që janë e gatshme të takohem me këdo, gjithmonë duke e përfaqësuar kushtetutën e vendit, ligjet e vendit dhe duke përfaqësuar interesat e qytetarëve të shtetit tonë.

Kosovapress: A do të jeni i gatshëm që të takohemi edhe me Presidentin e Serbisë në takimin rajonal të cilin e ka paralajmëruar Presidenti i Malit të Zi?

Jahjaga: Më duhet ta ri përsërisë se unë e kam deklaruar shumë më herët se janë e gatshme të takohem me këdo, kurdo dhe kudo kur kjo është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në interes të shtetit të Kosovës duke iu përmbajtur kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Samiti i radhës që do të organizohet në Mal të Zi është tanimë tradicional që mbahet në mes të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, apo të Evropës Juglindore. Deri më tash është mbajtur në Prizren, është mbajtur në Vlorë, është mbajtur në Ohër dhe që ky është një forum i rëndësishëm rajonal me qëllim të ngritjes dhe avancimit të bashkëpunimit ndër rajonal në mes të të gjitha vendeve të rajonit dhe përfaqësimi i Kosovës në të gjitha këto nisma, në këto përfaqësime rajonale gjithsesi se është i rëndësishëm dhe Kosova në të gjitha takimet, deri më tash, ka marrë pjesë si shtet sovran dhe si shtet i pavarur. Deri më tani, pjesëmarrja nga Serbia është bojkotuar, për shkak të prezencës së Kosovës dhe për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në një samit të tillë. Dhe unë me rastin e inaugurimit apo zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Serbisë, Presidentit Nikoliq, unë kam thënë se shpresoj se Presidenti i ri i zgjedhur do ta gjejë guximin që nuk ka qenë te Presidenti i deriatëhershëm që të vendosë marrëdhënie të mira paqësore me Republikën e Kosovës, sepse kjo do t’i kontribuonte fqinjësisë së mirë, do t’i kontribuojë edhe rrugës sonë drejt integrimeve evropiane në mes të të dyja shteteve tona dhe do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon.

Kosovapress: Zonja Presidente, t’i kthehemi pak gjendjes politike në vend. Dihet se reforma zgjedhore është bllokuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila arsyetohet se nuk po respektohet marrëveshja e arritur në mes tre liderëve kryesorë politik në vend, atij të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, prej të cilës dolët edhe ju në postin që tashmë jeni. Nëse kjo reformë bllokohet në këtë mënyrë dhe nëse dorëheqja juaj shihet si hapje rruge, ku LDK-ja ka kohë që e kërkon këtë gjë, a do të jepni dorëheqje?

Jahjaga: Ky problem nuk duhet të paraqitet para Presidentit të vendit, por është çështje e Kuvendit së Kosovës. Unë nuk jam palë e marrëveshjes por jam rezultat i marrëveshjes. Dorëheqja në asnjë rast nuk nënkupton zgjidhje, por edhe për atë arsye nuk është e paraparë në marrëveshje e as me kushtetutë. Dorëheqja është një akt moral që gjithsesi nuk duhet të jepet për arsye politike. Unë nuk e kam bllokuar as reformën kushtetuese, nuk e kam bllokuar as reformën zgjedhore, madje madje, unë nuk i kam dërguar as propozimet e mia si Presidente e vendit në kuadër të amendamenteve të kushtetutës dhe çdo kërkesë për dorëheqjen e Presidentes vendit duhet të drejtohet në zyrën e Presidentit të vendit dhe në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të marrë rrugën ligjore dhe që të marrë përgjigje ligjore. Nuk ka asnjë pengesë nga ana ime dhe as që mund të ketë ndonjë pengesë nga ana ime që reforma të përfundojë dhe që propozimet të procesohen apo të procedohen dhe të votohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe vetëm pas përfundimit të kësaj procedure, Kuvendi i Kosovës në afat prej gjashtë muajve mund të shpallë zgjedhjet presidenciale dhe pas zgjedhjeve presidenciale dhe mbajtjes së zgjedhjeve, zgjidhet Presidenti apo Presidentja e re. Vetëm atëherë bëhet pranim-dorëzimi i rregullt i detyrës nga Presidenti aktual tek Presidenti i zgjedhur dhe kjo është e paraparë edhe në kuadër të marrëveshjes së nënshkruan në mes të tre liderëve dhe unë nuk shoh asnjë pengesë, asnjë bllokim të zbatimit apo të zgjidhjes së saj. Opinioni tanimë e di dhe është i informuar se me dorëheqjen e Presidentit të vendit, pa marrë parasysh, qofshin ato arsye personale apo qofshin arsye shëndetësore, automatikisht kalohet në ushtruesin e detyrës së pozitës së Presidentit që është kryetari i Kuvendit dhe këtë situatë e kemi pasur vitin e kaluar dhe nuk e di pse kanë pasur nevojë liderët politikë që të hyjnë në marrëveshje që të kemi një kandidat konsensual dhe të jetë votimi në Kuvendin e Kosovës.

Kosovapress: A do të thotë kjo se jeni bërë gati ta përfundoni mandatin e plotë?

Jahjaga: Ajo nuk ishte përgjigjja ime.

Kosovapress: Në këtë kontekst LDK-ja thirret në atë që Presidentja nuk po e zbaton marrëveshjen. Më intereson të dijë se çka në fakt nuk po respekton Presidentja?

Jahjaga: Mendoj se isha shumë e qartë në përgjigjen time të mëhershme, sepse dorëheqja e Presidentit të vendit nuk është e paraparë në reformën kushtetuese, nuk është në reformën zgjedhore dhe unë mendoj se ka ende shumë punë për t’u bërë në procesin e reformës zgjedhore se ende nuk ekziston një dakordim apo pajtim i plotë lidhur me atë se sa zona zgjedhore, se çfarë sistemi zgjedhor do të ketë. Mendoj që ka shumë punë për t’u bërë, por Kosova ka nevojë për një proces të reformës zgjedhore në mënyrë që kjo të ecën sa më parë që është e mundur dhe Kosova të vazhdojë më tutje në procesin e plotësimit të të gjitha kushteve dhe standardeve në rrugën e saj drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. /intervistoi:M. Mulaj/

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.