presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

“Evropa e lirë”: STATUSI DETERMINON TË GJITHA PROCESET E TJERA

Ne dallojmë; ju e keni përcjellë me vëmendje se cilat janë qasjet që prezanton Serbia dhe cilat janë qasjet që prezanton delegacioni i Kosovës, në këtë rast them të gjithë institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës. Për ne është me rëndësi që të ofrojmë projektin për të ardhmen, projektin që dëshiron raporte të mira ndërfqinjësore, që dëshiron raporte të mira mes dy popujve tanë dhe që do të jetë po ashtu një kontribut i veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira në rajon, të fqinjësisë së mirë të përgjithshme, për të lehtësuar kështu paralel edhe proceset për integrimet tona në rrjedhat euro-atlantike.

Radio Evropa e lirë: Zoti President, ndërmjetësuesit ndërkombëtarë vazhdimisht janë duke thënë se nuk do të bëjnë asnjë propozim për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por do të kërkojnë nga të dyja palët që ta bëjnë një gjë të tillë. A keni trysni që të hidhni më shumë ide në tryezë përveç këmbënguljes për pavarësinë?Fatmir Sejdiu: Treshja është duke ushtruar funksionin e saj në mandatin që ka. As në takimin e Vjenës dhe as në takimet që kemi pasur më parë nuk ka pasur ndonjë qasje të veçantë, e cila do të izolonte apo do të ishte diçka jashtë këtij mandati, vetëm në kuptimin që palët të ulen në tavolinë në proces. Ne kemi vizionin tonë politik për pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka asnjë qasje tjetër që të na shtyjë të mendojmë diçka tjetër. Për ne është me rëndësi që edhe në ato momente nëse mund të shtrohej edhe aspekti i statusit ose çështja themelore për të ardhmen e Kosovës, të japim këtë qëndrim që kemi. Qëndrim tjetër nuk kemi, është qëndrim i paalternativë. Natyrisht se në këtë periudhë ne do të ofrojmë edhe një vizion plus, në kuptimin e marrëdhënieve të ardhshme të Kosovës dhe të Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të pavarura, që janë tema që do të shërbenin, në radhë të parë, si pjesë e relaksit paraprak dhe natyrisht në vazhdimësi të jenë tema që do të ndikojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Ne kemi prezantuar disa ide në takimet që kemi pasur deri tani. Jemi në përgatitje të një projekti që mund të ketë natyrën e një marrëveshjeje ndërkombëtare apo të një traktati ndërkombëtar, ku do të elaborohen këto idetë tona dhe që realisht janë ide që rrjedhin nga esenca apo nga brumi që ka pakoja e presidentit Ahtisaari.Radio Evropa e lirë: Ju sapo përmendët traktatin. Ekipi i Unitetit pra po përgatit traktatin e fqinjësisë së mirë me Serbinë. Përse bëhet ky veprim pikërisht në kohën e ashpërsimit të retorikës së Beogradit zyrtar kundruall Kosovës?Fatmir Sejdiu: Ne dallojmë; ju e keni përcjellë me vëmendje se cilat janë qasjet që prezanton Serbia dhe cilat janë qasjet që prezanton delegacioni i Kosovës, në këtë rast them të gjithë institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës. Për ne është me rëndësi që të ofrojmë projektin për të ardhmen, projektin që dëshiron raporte të mira ndërfqinjësore, që dëshiron raporte të mira mes dy popujve tanë dhe që do të jetë po ashtu një kontribut i veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira në rajon, të fqinjësisë së mirë të përgjithshme, për të lehtësuar kështu paralel edhe proceset për integrimet tona në rrjedhat euro-atlantike. Ky është vizioni jonë. Fatkeqësisht, pala serbe apo institucionet e Serbisë kanë një logjikë dhe një gjykim tjetër të deritanishëm. Ata shprehen me ato ambiciet që kanë, që praktikisht janë ide të tejkaluara dhe të pamundshme, që në bërthamën e tyre apo në emëruesin e përbashkët ta mbajnë nën koloni Kosovën dhe popullin e saj, që është jashtë vullnetit të këtij populli, flas për shumicën shqiptare por edhe për gjithë komunitetet tjera. Dhe, siç kemi thënë edhe në rastet tjera, Serbia me idenë e saj themelore do ta dëshironte Kosovën pa shqiptarë, sikurse e kanë shprehur shumë herë në projektet e hershme e të tanishme dhe natyrisht do ta dëshironte Kosovën e kristaleve të bukura dhe e pasurive të pashtershme minerale, të tokës së mirë që ajo ka e që është dhunti e Zotit dhe natyrisht të zhvillojë proceset e saj në kuptimin e rolit hegjemon në Evropën Juglindore, ambicie që nuk e heq as sot nga rendi i ditës.Radio Evropa e lirë: Ju i quani angazhimet e fundit shtesë në procesin e negociatave për statusin e Kosovës. Ku e mbështesni besimin se është angazhimi ‘i fundit’? Çfarë do të bëjë Prishtina nëse edhe pas 10 dhjetorit i kërkohet një angazhim tjetër shtesë?Fatmir Sejdiu: Prishtina ka qenë palë kooperuese nga fillimi. Mos harroni një proces që është jo vetëm i 14-15 muajve, por është edhe më i gjatë, duke nisur edhe përpjekjet e mëhershme të bashkësisë ndërkombëtare për të pasur vërtet një proces që do të ulte në radhë të parë tensionet dhe do të ofronte zgjidhjen, por në veçanti atë periudhën me presidentin Ahtisaari. Dhe, ne e konsiderojmë atë proces të mbyllur. Ka qenë një proces që nuk ka qenë i lehtë, ka pasur sfida të shumta. Presidenti Ahtisaari ka nxjerrë një rezultat, një dokument të balancuar, një dokument që përmban në vete kompromise të mëdha, që ne kemi bërë në atë kuadër. Natyrisht, është një dokument që ka mbështetjen e vet ndërkombëtare në të gjitha nivelet, përveç asaj që mungoi vullneti i Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit që të kapërcehet edhe me një rezolutë të përbashkët mbështetëse. Pra, keni aty edhe qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të shprehura botërisht, keni qëndrimet e Bashkimit Evropian – një mekanizëm shumë i rëndësishëm për vendet e Evropës, ku ne jemi pjesë e saj dhe keni edhe shumë aspekte të tjera të mbështetjes nga ana e institucioneve të tjera ndërkombëtare, flas për Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pastaj Këshillin e Evropës dhe nivele të tjera. Prandaj, për ne është me rëndësi që të kuptojnë se janë shterur të gjitha mundësitë. Këtë angazhim shtesë e kemi dhënë si pjesë prapë të një përcaktimi, për të ndihmuar në këtë radhë edhe gjithë qasjen e atyre që dëshirojnë të përfundojnë procesin, duke mbështetur vullnetin e popullit të Kosovës, pra pavarësinë e Kosovës mbi bazë të këtij propozimi. Dhe, për ne ka qenë dhe është i nevojshëm ky bashkëpunim, sepse realisht Kosova ka nevojën e një partneriteti në ecje, pra edhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, edhe mirënjohjen e pavarësisë së saj në procesin kur ajo mund të marrë një vendim, po them në koordinim me ta. Mendoj se ky shans është po ashtu që të shteret edhe një pjesë, do ta quaja e qasjes ndoshta pozitive, që të shteren të gjitha mundësitë. Por, paralelisht është edhe një shans për të dëshmuar seriozitetin tonë, argumentet tona dhe për të thënë botërisht se cila do të jetë perspektiva jonë mbi bazë të këtyre argumenteve që shtrojmë. Përndryshe, status quo-ja nuk prodhon asgjë; ajo prodhon kriza dhe realisht krizat nuk janë në interes as të Kosovës, as të rajonit e as të Evropës.Radio Evropa e lirë: Kanë mbetur edhe dy muaj deri në zgjedhjet e reja, të cilat zhvillohen pak para përfundimit të negociatave shtesë. A keni shqetësim se këto zgjedhje do të pasqyrohen në procesin e zgjidhjes së statusit politik?Fatmir Sejdiu: Ne kemi pasur një orientim që është shprehur nga ana e Ekipit të Unitetit, nga ana e partive politike dhe nga ana e përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm, se jemi për respektimin e proceseve demokratike dhe ndërtimin dhe zhvillimin e tyre. Pra, në këtë rast, edhe zgjedhjet të organizohen në Kosovë, në mbajtjen e një trendi normal të ecjeve në thellim të demokracisë në Kosovë, duke pretenduar gjithmonë që të mbajmë atë nivel kulminant që kemi pasur në organizimet e deritanishme të zgjedhjeve në Kosovë, që janë rezultat i një kulture politike, i një kulture shtetformuese të qytetarëve të Kosovës dhe, e dyta, po ashtu e kemi thënë paralelisht, se nëse do të vlerësohet se zgjedhjet mund të jenë në kolizion apo në njëfarë mënyre shpërputhje, apo do të prishnin trendin e procesit të statusit, atëherë statusi është ai që determinon gjithë proceset e tjera, pra ai subordinon. Prandaj, është në autorizimin apo në mundësinë e përfaqësuesit special që të marrë edhe vendim tjetër. Tash për tash, mendoj se ka një gatishmëri të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjitha partive që konkurrojnë, që ta mbajmë këtë proces në suaza normale, që ta mbajmë procesin në një ‘fair-play’ të një gare apo rivaliteti politik të atyre që garojnë. Natyrisht, vlerësojmë bashkazi, nëse do të vijë një moment që çështja e statusit mund të nxitohet, sepse ka fjalë edhe ashtu nganjëherë e unë nuk mund të jap data asnjëherë dhe nuk mund të them as në këtë moment, atëherë të merret një vendim tjetër. Do të ishte jo e ndershme që të kapërcejmë me një palë zgjedhje, ta zëmë, dhe pas dy-tre muajsh apo pas tre-katër muajsh të bëjmë edhe palë të tjera zgjedhjesh, që mund të vijnë menjëherë pas statusit. Prandaj, ne do ta shikojmë këtë pozicion në një analizë të thellë, sipas dinamikës së ngjarjeve që do të zhvillohen dhe do të merren vendimet. Tash për tash, mund të them se data është e saktë, është një datë e 17 nëntorit, certifikimi përfundon me ditën e sotme. Ka një interesim të jashtëzakonshëm të të gjitha partive politike, të koalicioneve, të individëve që mund të garojnë në këtë garë elektorale dhe do të dëshiroja të shpreh kënaqësinë time për një interesim po ashtu serioz, që këto vërtet ta mbajnë atë epitet, të cilin e kanë pasur edhe katër ciklet e mëhershme të zgjedhjeve në Kosovë.Radio Evropa e lirë: 17 nëntori është shumë afër 10 dhjetorit. A mund ta gjejë 10 dhjetori Kosovën në vakuum institucional?Fatmir Sejdiu: Jo, për ne është shumë me rëndësi që Parlamenti i Kosovës, institucionet e tjera të Kosovës kanë mandatin e tyre të plotë. Nëse mund të kundrohet edhe nga aspekti juridik dhe nga shumë aspekte të tjera, deputetëve të Parlamentit të Kosovës mandati u vazhdon deri në ditën e verifikimit të deputetëve të rinj që do të zgjidhen. Dhe, është një transmision normal që ndodh në demokraci, andaj çdo institucion e ka rolin e vet, e ka legjitimitetin e vet veprues dhe ne do të veprojmë mbi këtë bazë.Radio Evropa e lirë: Dhe, për fund zoti President, cila është formula që keni zgjedhur si Ekip i Unitetit, që edhe të garoni me njëri-tjetrin, edhe të ruani unitetin për çështjen e statusit?Fatmir Sejdiu: Mendoj se jemi marrë vesh mirë dhe është një nga cilësitë e larta që ka pasur Ekipi i Unitetit në punën e vet. Mund të ketë pasur ndonjëherë, që janë edhe të natyrshme qasjet e ndryshme që nganjëherë janë shprehur në debatet tona, por është një gjë me rëndësi që ta them, që në të gjitha çështjet madhore kemi pasur konsensus të plotë. Prandaj, kjo frymë do ta përcjellë punën e Ekipit edhe në vazhdimësi. Unë dëshiroj të shpreh respektin tim për të gjithë anëtarët e Ekipit të Unitetit që janë në këtë kompozicion, që me qasjet vetjake të tyre, me qasjet që kanë në pjesën e mandatit, do të thosha të atyre që përfaqësojnë, kanë reflektuar në mënyrën më të mirë të mundshme në një bashkëpunim të mirë. Prandaj, ne do të vazhdojmë në këtë cilësi dhe mendoj se kjo është vërtet një vlerë e veçantë që e ka përcjellë procesin dhe e ka udhëhequr procesin.

This site is registered on wpml.org as a development site.