presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e fillimit të Programit Fillestar për Arsimim Ligjor

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori sot pjesë në ceremoninëe fillimit të Programit Fillestar për Arsimim Ligjor për gjeneratën e katërt të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, të mbajtur në Institutin Gjyqësor të Kosovës.

Me këtë rast ajo mbajti një fjalim, të cilin po e sjellim në vijim:

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar mysafirë,

Përshëndes fillimin e arsimimit ligjor të gjeneratës së katërt të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë në Institutin Gjyqësor të Kosovës, si përgatitje e gjeneratave të reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të përmbushur nevojat e sistemit gjyqësor, një prej shtyllave bazë të institucioneve të Kosovës, një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe të paanshëm.

Ndarja e pushteteve në Republikën e Kosovës është parakusht themelor për shtetin funksional dhe demokratik. Kjo ndarje, së bashku me resurset  njerëzore dhe buxhetore, është në funksion të reformës në sistemin gjyqësor dhe të krijimit të kushteve të domosdoshme në sigurimin e sundimit të ligjit.

Krijimi i kushteve, me rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, sigurimi i kushteve fizike dhe materiale, ndikon në krijimin e institucioneve të pavarura, efikase dhe të paanshme, që të jemi shtet me standarde të larta, ku sundimi i ligjit është garanti kryesor në krijimin e një shoqërie dhe shteti të efektshëm dhe funksional, për të gjithë qytetarët, pa dallim feje, kombi apo përkatësie gjinore.

Kërkoj që me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet t’i realizoni përgjegjësitë tuaja në sfidat shtetndërtuese të Kosovës.

Presidentja e vendit, në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor, është garant për gjyqësorin e pavarur, të paanshëm dhe efikas.

Kandidatë të nderuar,

E filloni një rrugëtim shtatë muajsh, dhe si gjyqtarë dhe prokurorë të Kosovës keni një sfidë të veçantë, një përgjegjësi individuale, profesionale dhe morale, që me punën tuaj të jeni përfaqësues të një gjenerate të re për Kosovën, me vendin e saj të merituar në familjen e shteteve evropiane, ku sundimi i ligjit mbetet bazë e funksionimit të shtetit dhe garanci e kontrollit të pushteteve në parimin se askush nuk është mbi ligjin.

Ju uroj punë dhe rezultate të frytshme.

Suksesi në këtë trajnim dhe më pas emërimi Juaj do të jetë suksesi i përbashkët.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.