presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në tubimin përkujtimor në Krushë të Madhe

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga qëndroi sot për vizitë në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, ku mori pjesë në manifestimin përkujtimor në përvjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe në këtë fshat, trembëdhjetë vjet më parë.

Presidentja Jahjaga vuri kurora lulesh në përkujtim të viktimave nga ky fshat.  Gjithashtu, Presidentja Jahjaga vizitoi edhe gratë ndërmarrëse të këtij fshati dhe i përgëzoi ato për punën që bëjnë për sigurimin e kushteve të jetesës për familjet e tyre. Në vijim po japim fjalën e Presidentes në tubimin përkujtimor: Ardhja në fshatin Krushë të mbushë me dhimbje e pikëllim, duke kujtuar masakrën e tmerrshme që ndodhi këtu gjatë luftës tonë për çlirim dhe që u krye në mënyrën më çnjerëzore dhe me egërsinë më të madhe nga ushtria dhe policia serbe. Krusha na dëshmon se sa i vlefshëm është vendi ynë,  sa e shenjtë është liria jonë dhe se me çfarë sakrifice u arrit ajo. Në altarin e lirisë ranë bijtë dhe bijat më të mira te popullit tonë. Këtu në bazamentin e shtetit tonë, në themelin e tij, janë prindërit, nënat dhe baballarët, burrat dhe gratë, djemtë, vajzat, vëllezërit, motrat, si vlera më e shtrenjtë e jona që na mbushin me dhembje, por njëherit edhe me krenari për sakrificën që ne bëmë si popull, për një të ardhme më të mirë evropiane si të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm, si kombet e tjera – që një herë e përgjithmonë ta mposhtim hegjemonizmin dhe dhunën e cila me shekuj pllakosi mbi ne. Të nderuar banorë të Krushës, të nderuar qytetarë te Republikë së Kosovës,  Liria dhe pavarësia nuk na është dhuruar nga askush. Ajo u fitua nga populli, nga lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga përpjekjet shekullore të gjithë veprimtarëve dhe intelektualëve që nuk kursyen asgjë për t’i dalë zot atdheut, për të ndihmuar kauzën tonë kombëtare, e cila është krejtësisht humane.  Ne nuk duam asgjë tjetër përveç lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Ky ishte edhe ideali i intelektualit të shquar, profesorit të nderuar Ukshin Hoti, të cilit ia kemi borxh filozofinë politike të rezistencës, të lirisë dhe të shtetndërtimit.  Liria dhe pavarësia e vendit u fitua me miqtë tanë ndërkombëtar, para së gjithash me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat populli dhe vendi ynë kanë lidhur miqësi të përjetshme, dhe me vendet e Bashkimit Evropian dhe Aleancën Veri-atlantike të NATO-s që u angazhuan që nga këto troje një herë e përgjithmonë të largohet okupuesi. Ju them këtu se asnjë krim nuk do të mbetet i pandëshkuar, asnjë kriminel nuk do t’i ikë dorës së drejtësisë. Ky është parim mbi të cilin mbështetet civilizimi evropian dhe bota moderne. Do t’i sjellim para drejtësisë të gjithë kriminelët që të japin llogari për krimet e bëra.  Vetëm kështu vihet drejtësia, vetëm kështu qetësohen zemrat dhe shpirtrat tanë, vetëm kështu jemi të sigurt se mund të ndërtojmë marrëdhënie paqësore dhe fqinjësore në gjithë rajonin. Politika që popujve dhe vendeve u solli aq shumë vuajtje dhe dhimbje, që solli aq shumë shkatërrime, duhet të gjykohet dhe të ndëshkohet në mënyrë që askujt më të mos i bie në mend dhe të mos ketë mundësi të ndërtojë ideologji shoviniste, të mos i urrej popujt e tjerë, të bëj spastrim etnik të territorit dhe gjenocid mbi popullatën e pafajshme.Të nderuar qytetarë,  Sulmet ajrore të NATO-s ishin krejtësisht humane, të drejta, parandaluese, që sollën efektin e duhur. Ne, ne përvjetorin e 13-të, ndiejmë admirim për gjithë ata burra dhe gra ushtarë dhe oficerë të forcave ushtarake të NATO-s dhe të misionit të KFOR-it sot këtu në Kosovë. Të nderuar dhe të respektuar Krushjanë,  Këtu përpara jush, unë Presidentja e Republikës së Kosovës ndihem më shumë se kurrë e përkushtuar dhe e obliguar që të punoj deri në pikën e fundit të mundësive dhe aftësive të mia për të mirën e popullit dhe të vendit tim, për prosperitetin e të gjithë qytetarëve pa dallim, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Unë dëshiroj që Republika e Kosovës, me angazhimin e ndershëm, të sinqertë dhe profesional të secilit prej neve, duke punuar dhe duke ndihmuar të gjithë neve aty ku jemi ta zhvillojmë dhe përparojmë vendin tonë, i cili ka të ardhme të qartë dhe në të cilin gjeneratat e reja shkollohen, punojnë dhe jetojnë duke u ndierë krenarë për vendin e tyre.  Të nderur qytetarë të Republikës së Kosovës,  Shembulli i Krushës është inspirim për mua. Angazhimi i Krushjanëve, sidomos i grave të Krushës dhe të rinjve të këtij fshati, që mbetën pa shtyllat e familjes, që mbetën pa të dashurit e tyre, por që asnjëherë dhe në asnjë moment nuk e humbën besimin, nuk e humbën vullnetin, nuk e humbën kurajën, nuk e humbën shpirtin e tyre, por u organizuan, u mobilizuan dhe ia dolën jo vetëm të mbijetojnë por edhe të zhvillohen, të përparojnë dhe t’i kthehen jetës normale duke mos harruar asnjëherë tragjedinë e madhe që u ra. Jemi të ndërgjegjshëm që ne si shoqëri dhe si shtet nuk kemi arritur të bëjmë gjithë atë që kërkohet prej neve. Ne duhet të mësojmë nga shembulli i Krushës që pasojat e luftës dhe tranzicionin t’i kalojmë duke pasur besim te njëri-tjetri, duke nderuar dhe respektuar njëri-tjetrin, duke ia shtrirë dorën njeri-tjetrit dhe duke pasur përherë vizionin e të ardhmes sonë më të mirë. Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, që nderon sakrificën, që nderon të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, që respekton të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që me punën dhe angazhimin e tyre ndihmojnë zhvillimin e vendit, që ndihmojnë përparimin dhe mirëqenien e njerëzve. Në këtë rrugë ne si asnjëherë më parë në histori nuk jemi vetëm, e kemi mbështetjen e Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian. E kemi rrugën e qarte të integrimeve Euroatlantike. Besimi dhe vullneti i Krushës na jep forcë  Ju faleminderit dhe nderim për sakrificën tuaj.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.