presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në ceremoninë zyrtare për shënimin e Ditës së Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ceremoninë zyrtare për shënimin e Ditës së Evropës, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në vijim po e  japim fjalimin që Presidentja Jahjaga e mbajti me këtë rast:Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,Të nderuar, ambasadorë të akredituar në Kosovë,Të nderuar pjesëmarrës, Sot në Ditën e Evropës, duhet kujtuar dy njerëz të mëdhenj, që në gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore dhe në dëshpërimin e përgjithshëm pas saj, ishin shumë vizionarë, duke dhënë idenë e një Evrope të re, idenë e solidaritetit dhe të ndihmës reciproke, idenë e bashkimit të resurseve të thëngjillit dhe të çelikut, si bazë për zhvillim dhe përparim, jo vetëm ekonomik por të gjithanshëm, një botë të përbashkët pa kufij, një ideal të njerëzve të lirë. Ishin këta Zhan Mone e Robert Shuman, tw cilwt më 9 maj të vitin 1950 i vunë themelet e asaj që ne sot e njohim si Bashkim Evropian që numëron 27 shtete, e me integrimin e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor ky proces do të rrumbullakohet në mbi tridhjetë shtete.Ideja ishte kreative, plani ambicioz dhe qasja pragmatike.Ishte vetëm hapi i parë në realizimin e vizionit për një kontinent të bashkuar, si parakusht për paqen dhe për prosperitetin.Ky plan shkonte përtej ripajtimit dhe lënies pas të konflikteve e të luftërave – për t’u shndërruar në një platformë të bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët ekonomik, të konsolidimit demokratik, për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.”Evropa nuk do të krijohet menjëherë, as sipas një plani të vetëm – ajo do të ndërtohet me anë të arritjeve konkrete të cilat do të krijojnë një solidaritet de fakto”, pat thënë Shuman … Mbi këtë parim u rrit projekti evropian duke përqafuar këtë mendim, dhe më pastaj sistemin juridik, e të vlerave humane që u ndërtuan nga liderët dhe nga qytetarët e Evropës.Ky integrim i kombeve dhe i shteteve, nuk do të ndodhte kaq suksesshëm, po të mos ishte i bazuar në respektimin e vullnetit, respektimin e diversitetit dhe në kompromisin për të mirën e përbashkët.Evropa vazhdon të ndërtohet mbi këto parime, duke i thelluar dhe duke i zgjeruar ato.Politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian e dëshmuan suksesin e “fuqisë së butë” duke e ndihmuar tranzicionin politik e socio-ekonomik të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore.Jetësimi i Traktatit të Lisbonës dhe fryma e konsolidimit që u arrit pas zgjerimit historik të viteve 2004-2007 janë sfidat e transformimit të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian.Roli i Bashkimit Evropian në demokratizimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor është i pamohueshëm. Perspektiva e anëtarësimit, së bashku me instrumentet e shumta të politikës së zgjerimit, kanë ndihmuar reformimin e këtyre vendeve sipas modelit të vendeve anëtare të BE-së.Për Republikën e Kosovës, në Samitin e Selanikut të vitit 2003, u hap perspektiva evropiane, ashtu si edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo mundësoi që shtet-ndërtimi të bëhet sipas modelit të shteteve anëtare të BE-së, kështu që e gjithë infrastruktura ligjore, të gjitha politikat e Kosovës, si dhe puna e të gjitha institucioneve të zhvillohen në përputhje me Acquis Communautaire.Të gjitha vendet që kanë kaluar nëpërmjet procesit të anëtarësimit e që sot janë anëtare të barabarta të BE-së e dinë sa sfiduese ishte kjo rrugë. E kjo sfidë është më e madhe për ne, pasi për shkak të mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës nga pesë shtete, Bashkimi Evropian nuk mund të flasë njëzëri karshi këtij procesi.Janë të shumta sukseset e përbashkëta të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian, dhe ajo që duam ne, ajo që dëshirojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, është që këto të arritura të pakthyeshme të jenë pjesë e procesit të integrimit për të eliminuar çdo mundësi të izolimit, të stagnimit apo edhe të dyshimit në realizimin e qëllimit final të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në BE.Puna dhe përpjekjet tona do të jenë në proporcion me sfidat dhe mundësitë që ofron projekti vizionar i Bashkimit Evropian, sepse populli ynë që me kohë, nëpërmjet pendës së Rilindasvev është deklaruar se për Ne, dielli lind në perëndim.Të gjithë qytetarët e Kosovës besojnë në këtë ideal, besojnë në rrugën euroatlantike, besojnë në Evropën dhe në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Urime 9 Maji, Dita e Evropës dhe faleminderit që jeni me ne.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.