presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në manifestimin kushtuar Tahir e Nebih Mehajt, me rastin e 30 vjetorit të rënies së tyre

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në Prekaz, në manifestimin kushtuar Tahir e Nebih Mehajt, me rastin e 30 vjetorit të rënies së tyre.

Me këtë rast Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim të cilin po e sjellim në vijim:
 
Të nderuar familjarë të Tahir e Nebih Mehës,
Të nderuar bashkëfshatarë dhe bashkëluftëtarë,
 
Ardhja në këtë Kullë të Drenicës na bën krenarë të gjithëve, sepse frymëzohen gjeneratat me atë që është histori e jona e lavdishme. Me këtë vepër e flijim për atdheun që në Evropën e kohës nuk shënohej.
 
Historia e Kosovës do të ishte krejt ndryshe nëse më 13 maj të vitit 1981 familja e Tahir e Nebih Mehës nuk do të qëndronte, nëse ajo nuk do ta kryente aktin e mbrojtjes së shtëpisë, të fytyrës dhe të nderit, që ishte akt i mbrojtjes kombëtare, vepër e dinjitetit të njeriut të kësaj treve, që armikut ia dha përgjigjen çfarë e meritonte prej kohës.
 
Akti heroik i kësaj familjeje, i këtyre burrave, u bë simbol për Pranverën e 81 (tetëdhjetë e njëshit) që e përcaktoi se ky popull nuk jeton pa liri, se ky popull nuk jeton pa shtet, se ky popull është zotni i trojeve të veta.
 
Tahir e Nebih Meha,  ashtu si edhe të parët e kësaj familjeje, ashtu si edhe të parët e Drenicës, u bënë simbol për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që i solli lirinë e pavarësinë Kosovës, që i solli përkrahjen ndërkombëtare dhe intervenimin e NATO-s në sulmet ajrore kundër Serbisë, dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Duke i kujtuar e nderuar heronjtë e dëshmorët ne e nderojmë vetveten, ne i nderojmë vlerat më të larta të njeriut, ne nderojmë dhe e ndërtojmë të ardhmen.
 
Republika e Kosovës sot është shtet i gjithë qytetarëve të lirë,  është vend që i synon dhe do t’i realizojë integrimet euroatlantike, dhe do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe i Organizatës së Kombeve të Bashkuara
 
Të nderuar bashkëqytetarët e mi,
 
Kosova po e ndërton demokracinë, Kosova po i promovon të drejtat dhe liritë qytetare. Në këto procese ne ndonjëherë nuk po i arrijmë ato që i dëshirojmë.
 
Mua, si Presidente të vendit, më dhemb kur edhe sot djemtë dhe vashat e Kosovës dalin nëpër rrugë për të demonstruar për synimet e veta politike, apo për të paraqitur ndonjë kërkesë, apo për të parashtruar ndonjë brengë. Gjithashtu, është e dhimbshme që në anën tjetër i kemi policët tanë të Kosovës që mbrojnë rendin dhe ligjin.
 
Nuk është mirë për askënd që ne nuk kemi krijuar mekanizma të marrëveshjes, nuk kemi krijuar rrethana që jo rruga, por institucionet të jenë vendi ku gjendet zgjidhja.

Kjo nuk më bën nder mua por edhe askujt tjetër, sepse ideali i të gjithë dëshmorëve ishte që

Kosova e lirë të jetë vend i demokracisë, vend i promovimit të vlerave njerëzore dhe qytetare.
 
Duhet të punojmë të gjithë bashkërisht e sinqerisht si vëllezër e motra që jemi, ta çojmë vendin përpara, t’i realizojmë idealet për të cilën janë bërë sakrifica.
 
Unë, Presidentja e vendit, këtu në këtë Kullë, që është simbol i rezistencës, ju them se kurrë nuk do të ndalem së punuari për interesat e vendit tim, për interesat e popullit tim. Nuk ka sakrificë të cilën së bashku me juve nuk mund ta përballojmë.
 
Vepra e Tahir dhe e Nebih Mehës, kujtimi i të cilëve na ka mbledhur këtu, është e shenjtë është një udhërrëfim, që na bën me dije se asnjëherë nuk do të ndalemi dhe se nuk ka asnjë çështje për të cilën nuk mund të merremi vesh dhe për të cilën nuk mund të bëjmë kompromis  ndërmjet veti.

Interesat e vendit, interesat e popullit, janë mbi të gjitha.
 
Ju uroj të jemi së bashku në manifestimet e krenarisë e të dinjitetit kombëtar.
 
Uroj që ky vend dhe Ju të gjithë të keni më shumë manifestime të përparimit, takime të gëzimit.
 
Lavdi heroizmit të Tahir e Nebih Mehës
 
Nderim për flijimin e sakrificën e të gjithë veprimtarëve të çështjes kombëtare.

Ju faleminderit. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.