presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në “Alumni Working Event”, organizuar nga Qendra George C Marshall, në temën “Lufta kundër Korrupsionit”

Dëshiroj të falenderoj Qendrën George Marshall për organizimin e kësaj konference me një temë kaq të rëndësishme jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin e më gjerë – luftën kundër korrupsionit.

I Nderuar Gjeneral Wachter,E Nderuara Ambasadore Jacobson,Profesor Zeneli dhe Vann,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,Të nderuar të Diplomuar të Qendrës Marshall, Dëshiroj të falenderoj Qendrën George Marshall për organizimin e kësaj konference me një temë kaq të rëndësishme jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin e më gjerë – luftën kundër korrupsionit. Qendra Marshall për Studime të Sigurisë, duke ndjekur parimin e vizionarit, George Marshall duke e konsideruar sigurinë e vendit si parakusht për stabilitet ka nxitur bashkëpunimin, pajtimin dhe paqen mes kombeve.  Me përvojën unike të edukimit dhe trajnimit, pjesëmarrësit e studimeve në Qendrën Marshall sot përbëjnë një rrjet të fuqishëm të njerëzve me ndikim në shoqëritë dhe shtetet prej nga vijnë duke perfshire edhe liderët e rinj nga Kosova dhe rajoni. Kjo e bën Qendrën Marshall një institucion edukativ avangard në fushën e sigurisë.   Të gjithë jemi të përkushtuar të krijojmë një botë më të drejtë, paqësore dhe stabile dhe qëndrojmë të bashkuar në qasjen tonë për të ngritur sigurinë dhe mbrojtur liritë. Sikur që kishte thënë Aristoteli dymijë vjet më parë, “e vetmja shoqëri stabile është shoqëria në të cilën çdo njeri është i barabartë para ligjit”. Në mënyrë që bashkërisht t’i luftojmë të këqijat e të sotmes me të cilat përballemi  për të mbrojtur të drejtat e fituara me mund të qytetarëve tanë për të punuar dhe jetuar në paqe, na duhet t’i përmbahemi këtij parimi, të vëmë theksin në bashkëpunim, të premtojmë ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta, të investojmë në masat parandaluese dhe të ripërtërijmë përkushtimin tonë për të këmbyer informata të saktë me njëri-tjetrin.  Na duhet të forcojmë platformën tonë të bashkëpunimit, të ndërtojmë sistem arsimimi dhe parandalimi që do të krijojë rrethana të pafavorshme për kriminelët dhe rrjetet që duan të keqpërdorin e shfrytëzojnë  njerëzit, shtetet dhe rrugët ndërkombëtare për të përhapur aktivitetin e tyre kriminal. Na duhet t’i ndertojmë të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të parandaluar që shoqëritë tona të involvohen me rrjetet kriminale dhe që vlerat e shoqërisë tonë të mos preken nga krimi i organizuar. Andaj, si shoqëri dhe liderë ne duhet në çdo moment, të jemi përpara, më të përkushtuar dhe të motivuar në luftën kundër këtyre rrjeteve kriminale Korrupsioni është një fenomen negativ që prek çdo qelizë të funksionimit të shtetit dhe si rezultat dëmton rëndë mirëqenien e qytetarëve, duke fuqizuar grupe të caktuara të njerëzve te lidhur  me interesa të ngushta personale.  Efektet e korrupsionit shkojnë përtej dëmit të shkaktuar nga përfitimi momental i këtyre grupeve. Ai krijon efekte negative afatgjate në zhvillimin ekonomik e social të vendit dhe përmbys raportin në mes administratës publike dhe qytetarit, duke e vënë shtetin në shërbim të krimit dhe jo në shërbim të qytetarit.Korrupsioni krijon një sistem nën hije ku mitoja, ryshfeti, shkëmbimi i favoreve bëhen abuzues  të ligjit duke mbajtur peng zhvillimin dhe përparimin e vendit.Në situatat e pasigurisë, u krijohet hapësirë grupeve kriminale që përfitojnë nga mungesa e rendit. Ato organizohen shpejt dhe përfitojnë nga vakumi institucional. Kjo u ndihmon atyre në zgjerimin e rrjetit të kontrabandës dhe hajnisë, eliminimit apo shantazhit të kundërshtarëve të tyre, shkatërrimit të biznesit përmes vendosjes së reketit dhe krijimit të lidhjeve të cilat mundohen të  ndikojnë në përcaktimin e  konfigurimin politik në të ardhmen.Lufta kundër korrupsionit është luftë për progres, për zhvillim ekonomik, për konsolidim të institucioneve demokratike, për qeverisje të mirë, për funksionim të shtetit ligjor, për rritje të investimeve vendore dhe të huaja dhe mbi të gjitha për integritet të shoqërisë.  Kjo luftë kërkon angazhim të gjithë shoqërisë duke vendosur parimin zero tolerancë. Para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe askush nuk mund të jetë mbi të. Me korrupsionin përballen të gjitha vendet e botës, qofshin ato shoqëri të zhvilluara apo në zhvillim. Por në shoqëritë në tranzicion dhe ato post-konfliktit ku funksionimi i shtetit ligjor është akoma i brishtë, ndikimi dhe shpërndarja e këtij fenomeni është tejet kërcënues. Prandaj dhe në fazën e konsolidimit të demokracisë, ku ndodhet edhe vendi ynë, krijohen baza të forta ligjore, mekanizma institucionalë dhe përkrahje qytetare që korrupsioni jo vetëm të ndëshkohet por në radhë të parë të parandalohet duke mos lejuar në asnjë mënyrë që ky fenomen të rrënjoset në sistemin e funksionimit të shtetit dhe të shoqërisë. Kosova si shtet i ri, ka projektuar të ardhmen e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Vendi ynë ka bërë një progres të dukshëm në vendosjen e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, me marrjen e udhërrëfyesit për viza si dhe studimin e fizibilitetit për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim- asociimit. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë njëra ndër dimensionet kryesore për të matur progresin e përafrimit me këto struktura.  Korrupsioni ndikon negativisht edhe në imazhin që vendi projekton në arenën ndërkombëtare dhe dëmton procesin e njohjeve, anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë dhe tërheqjen e investimeve të huaja.  Andaj, shumë duhet të investohet në adoptimin e legjislacionit të përpiktë dhe në institucionet e rendit e  të ligjit që janë të gatshme të godasin krimin e organizuar dhe korrupsionin. Rregulli tjetër thelbësor është që të ketë ndarje të saktë të pushtetit legjislative, ekzekutiv dhe gjyqësorit krahas sqarimit se ska të paprekshëm dhe se askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Po ashtu, është e rëndësisë së veçantë të ndërtohen tri shtyllat kryesore: policia, prokuroria dhe gjyqet, ku duhet të zënë vend njerëz që janë të përkushtuar, të ndershëm dhe dinjitoz, që paguhen mirë dhe e kanë mbrojtjen ligjore. Në fillim të vitit, me dekret të veçantë kam formuar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsion që mbledh rreth vetes të gjithë aktorët që kanë fuqi ekzekutive dhe monitoruese në sistemin e drejtësisë dhe që kanë përgjegjësi të drejtëpërdrejta në luftën kundër korrupsionit.  Ky trup koordinues ka nxitur një përkushtim gjithëpërfshirës, koordinim më të efektshëm dhe zbatueshmëri më të lartë të ligjit duke evidentuar problemet dhe identifikuar zgjidhjet. Tashmë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës po i trajton me prioritet lëndët që ndërlidhen me korrupsionin, gjë që ka ndikuar ndjeshem ne rritjen raportimit të rasteve.  Këshilli ka shërbyer gjithashtu për ngritjen e vetëdijës qytetare që lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e insitucioneve por dhe e shoqërisë civile dhe e çdo individi. I korruptuar nuk është vetëm ai që merr mito por dhe ai që e jep. Korrupsionin e ndihmon edhe heshtja dhe mosdeklarimi. Një ndër temat e trajtuara nga Këshilli ka qënë edhe korrupsioni në fushën e prokurimit publik, temë të cilën po e trajtojmë në këtë konferencë.  Devijimet ne prokurim publik dëmton klimën e biznesit, konkurrencën e ndershme në tregun e lirë, kushtet e investimeve dhe besimin në qeverisje. Prandaj, është shumë e rëndësishme që procedurat e prokurimit publik, veçanërisht aty ku ndërthuret sektori publik me sektorin privat, procedurat të jenë transparente, të zbatojnë kornizën ligjore që inkurajon konkurrencën, të bëhet monitorimi i zbatimit të kontratave. Jam mëse e sigurt që kjo konferencë do të shërbejë për të identifikuar mangësitë në fushën e prokurimit publik si dhe sfidat duke sjellë përvojat dhe praktikat më të mira dhe rekomandime konkrete që do të ndihmonin në ngritjen e  përgjegjësisë institucionale dhe të vetëdijes shoqërore për fushën e prokurimit publik. Nuk duhet të lejojmë që mirëqenia e qytetarëve dhe e ardhmja e vendit të prishet nga keqpërdorimi dhe keqmenagjimi i prokurimit publik. Vetëm para disa ditësh doli raporti i fundit i Transparency International ku u evidentua se Kosova ka pasur një përmirësim në uljen e nivelit të korrupsionit në krahasim me vitin e kaluar. Ne i gëzohemi këtij lajmi pasi evidenton që përpjekjet tona si shoqëri kanë dhënë rezultatet e para pozitive, por jemi të vetdijshëm që kemi akoma shumë për të bërë. Kontributi i Qendrës Marshall do të jetë i mirëpritur në këtë rrugëtim.  Ashtu siç pati thënë edhe Presidenti amerikan Dwight Eisenhower me një rast: “Bota nuk ka më zgjedhje ndërmjet forcës dhe ligjit; nëse civilizimi do që të mbijetojë, ai duhet të zgjedhë sundimin e ligjit”.  Kosova ka zgjedhur sundimin e ligjit. Ju shpreh mbështetjen time për intensifikimin e iniciativave të tilla në Kosovë dhe në të gjithë rajonin, dhe edhe unë e kam pasur privilegjin të jem pjesë e programeve të Qendrës Marshall. Ju falemnderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.