presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Hashim Thaçi jep betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë sot betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke filluar zyrtarisht mandatin pesëvjeçar të Presidentit të Kosovës.

Pas betimit, presidenti Thaçi para deputetëve ka thënë se ky është një moment i krenarisë, i përgjegjësisë dhe moment i veçantë në jetën tij.“Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tri dekadat e fundit. Jam angazhuar në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jam i nderuar që jam pjesë udhëheqëse e të gjitha vendimmarrjeve për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern të Kosovës. Kosovën bashkërisht e kemi ndryshuar”, ka thënë Thaçi.Ai ka theksuar se edhe në detyrën e re si President i Kosovës do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë të re, demokratike, evropiane dhe multietnike.“Kam shpresë dhe besim në vendin tonë dhe në qytetarët tanë. Kam besim të plotë në institucionet e Kosovës, në parlament, në qeverinë e vendit. Kam besim që do të vazhdohet me qeverisje të mirë. Si president do të jem garantues i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, mbrojtës dhe përfaqësues i interesave të Kosovës. Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetar, përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje, race dhe gjinie”, ka deklaruar presidenti Thaçi.Ai është zotuar se do t’i afirmojë më tutje vlerat sublime të Deklaratës së Pavarësisë dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tij, qëllimi dhe vizioni i qytetarëve të Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO si dhe miqësia e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Do të punoj për kultivimin e mëtutjeshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut, për reformat në drejtësi, në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë. Qytetarët e Kosovës meritojnë jetë të qetë, vende pune dhe mirëqenie sociale të standardeve evropiane”, ka shtuar ai.Presidenti Thaçi ka theksuar se në ditët në vijim Kosova pret rekomandimin për liberalizimin e vizave, ku qytetarët e Kosovës, si gjithë evropianët, do të lëvizin lirshëm. Sipas tij, do të përmbyllet procesi i formalizmit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si forcë multietnike e standardeve euroatlantike.Në fjalimin e tij para deputetëve të Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se sot Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ai ka thënë se Kosova po zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit. Shteti i Kosovës është i zotuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.“Në këtë proces e kemi pasur dhe do ta kemi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Të dy vendet dhe popujt tanë kanë të kaluar të hidhur mes vete. Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por jemi të zotuar të mos e përsërisim. Ta ndërtojmë të ardhmen, bazuar në vlerat tona tradicionale më të mira dhe ato euroatlantike”, ka shtuar presidenti Thaçi.Ai ka thënë se të dy vendet duhet të punojnë që të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian, duke lehtësuar njëra-tjetrën dhe jo duke e penguar. Dialogu, sipas presidentit Thaçi, nuk ka alternativë, por tani ai duhet të ketë dinamikë dhe energji të re, vendimmarrëse dhe implementuese. Edhe si president i vendit, edhe sa i përket dialogut, ai ka thënë se do të punoi për ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe qytetar.Duke folur për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të punojë në mënyrë edhe më aktive, për t’u bërë anëtare në nismat rajonale, evropiane dhe ato botërore.“Kosova do të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që të bëhet anëtare e OKB-së. Kosova është pjesë aktive e bllokut antiterrorist në botë. Do të jemi të pa kompromis në luftë ndaj fundamentalizmit dhe ndaj çdo elementi ekstremist, kudo dhe kurdo që paraqitet”, ka thënë ai.Në fund, presidenti Thaçi iu ka drejtuar edhe qytetarëve të Kosovës, duke thënë se është i vetëdijshëm se të jesh President i Kosovës është nder dhe përgjegjësi e madhe politike, kombëtare dhe kushtetuese.“Këtë detyrë zotohem se do ta kryej në bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë me juve. Ne jemi krenarë me të kaluarën tonë heroike. Shumë breza u sakrifikuan për të ardhur këtu ku jemi sot. Sot, nga ky vend edhe një herë shprehim konsideratën më të lartë për të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euroatlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me media, bizneset dhe iniciativat e lira. Si kreu i shtetit do të ruajë, kultivojë dhe përfaqësojë unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.