Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Rahovec më 21 nëntor

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi u takua sot me kryetarët e partive politike parlamentare dhe joparlamentare, ku u vendos që zgjedhjet në Komunën e Rahovecit të mbahen më 21 nëntor 2010.

Pas këtij takimi, u.d i Presidentit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi në një konferencë për media tha: “Siç keni qenë të njoftuar me kohë sot sapo përfundoi një mbledhje e përbashkët me partitë politike parlamentare dhe joparlamentare. Edhe pse ka qenë kryesisht në rend të ditës të bisedohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Rahovecit, biseduam pak edhe për zgjedhjet e përgjithshme. Për juve dhe përmes jush opinionin e njoftoj se zgjedhjet në Komunën e Rahovecit do të mbahen më 21 nëntor 2010”.

“Për zgjedhjet e përgjithshme nuk i patëm të gjitha subjektet politike që ishin të nevojshme, do të përpiqem që më së largu në ditët e para të javës së ardhshme ta kemi edhe datën për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen tash në muajin shkurt dhe atë diku 13 ose sot më shumë ishte e lakuar 20 shkurti. Këto janë datat e mundshme të shpallen zgjedhjet e përgjithshme, besoj që edhe për këtë shpejt do të njoftoheni edhe ju edhe opinioni”, shtoi ai.
 
Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi u përgjigj edhe ne pyetjet e shtruara nga gazetarët.

Shoqëria civile, gjegjësisht KDI ka kërkuar që të formohet një komision për të verifikuar mënyrën apo atë që ka ndodhur dje në seancë, do të thotë për privatizimin e PTK-së, rreth kuorumit është fjala, të dihet saktë a ka pas a s’ka pas në sallë kuorum, ka kërkuar formimin e një komisioni, ishte pyetja duke u përgjigjur në të cilën z.Krasniqi tha: “Shikoni, nuk ka nevojë shoqëria civile të merret me këtë çështje se nuk është punë e shoqërisë civile, është punë e kuvendit dhe e kryetarit të kuvendit dhe me rregullore të kuvendit unë e përcaktoj se a është kuorumi apo nuk është dhe unë e bëjë rendin e ditës dhe unë e udhëheq seancën.

Sipas rregullores së Kuvendit, unë kam pas kuorumin në sallë, megjithatë prezenca do të thotë edhe njëherë ta kemi të qartë, unë çdo seancë po ta shikojmë prezencën elektronike unë kam prezencë për të votuar, po unë e shikoj prezencën fizike dhe pa e pasur prezencën fizike unë nuk mundem me votuar me atë që ma jep elektronika dhe e them me bindje se prezencën fizike e kam pasur. Megjithatë, unë nuk dua që çështja siç është privatizimi, një interes i përgjithshëm kombëtar, të nënshkruaj vendimin se është përfunduar votimi. Ne do të konsultohemi, ne e dimë se e kemi një konsensus, do të thotë nuk ka shkuar mocioni i Grupit parlamentar Lidhjes Demokratike, por megjithatë unë dëshiroj ta kem edhe një konsensus më të fortë që vendimi të jetë i plotfuqishëm, do të thotë tani për tani nuk ka nevoje të kujdeset për qytetarët e Kosovës, për pasurinë e Kosovës askush më shumë sesa njerëzit që janë të zgjedhur dhe që e përfaqësojnë interesin e qytetarëve të Kosovës.

Ne nuk do ta nënshkruajmë vendimin se Kuvendi i Kosovës ka votuar strategjinë e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Postës, do të shikojmë që ajo çështje të kthehet edhe në Kuvend dhe realisht të jetë një konsensus më i mirë edhe i partive tjera dhe jo vetëm i një grupi të caktuar, por po e them për opinionin prezenca fizike kur është votuar ka qenë, prezenca elektronike nuk është dhe këtë ne e dimë dhe i kemi obligimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj pasurisë së qytetarëve të Kosovës”.