Zëvendës-ndihmës- sekretari Jones e siguron Presidentin Sejdiu për përkushtimin e SHBA për Kosovën

25.09.2009. - Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu u takua dje me zëvendës-ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit Stuart E. Jones. Në takim, Presidenti Sejdiu e njoftoi z.Jones për zhvillimet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë për sfidat me të cilat po ballafaqohet shteti ynë.

Ai gjithashtu e njoftoi z. Jones për çështje të tjera siç janë lobimi i Kosovës për njohje shtesë, progresi në fushën e  decentralizimit, procesi i ndërtimit të kapaciteteve diplomatike të Kosovës, etj. 


Gjithashtu, Presidenti Sejdiu kërkoi që SHBA-të ta vazhdojnë mbështetjen e tyre jetike që po i ofrojnë Kosovës si në sigurimin e njohjeve të pavarësisë, ashtu edhe në zhvillimin ekonomik dhe integrimet euroatlantike.  


Z. Jones e siguroi Presidentin Sejdiu për punën e palodhshme që SHBA po bën për të mirë të Kosovës në të gjitha sferat.