Westerwelle: Gjermania do të angazhohet në tërë botën për njohje të tjera të Republikës së Kosovës

“Gjermania do ta mbështesë Kosovën edhe në aspektin politik, në rrugën e saj në të cilin është nisur, dhe do të angazhohet në tërë botën për njohje të tjera të Republikës së Kosovës”, tha sot në Prishtinë ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z.Guido Westerwelle, gjatë një takimi që pati me Presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.

Westerwelle fillimisht është shprehur i kënaqur me takimin dhe përgjithësisht me bashkëpunimin mes Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa ka lavdëruar vendosmërinë që tregojnë institucionet e Republikës së Kosovës në qasjen ndaj zgjidhjes së problemeve të ndryshme.

“Gjermania do ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen. Kjo vlen para së gjithash për ndërtimin e strukturave shtetërore, për ndërtimin e sistemit ligjor dhe për zhvillimin e ekonomisë”, tha ai, duke shtuar se 1500 ushtarë gjermanë në kuadër të KFOR-it dhe 100 ekspertë ligjorë nga Gjermania në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian kontribuojnë sot në stabilitetin e Kosovës.
“Gjermania, pas SHBA paraqet mbështetësin të dytë më të madh financiar për Kosovën”, shtoi Westerwelle.

“Pavarësia e shtetit të Kosovës dhe integriteti i Kosovës janë realitet. Këtë gjë e ka vërtetuar edhe mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili ishte shumë i qartë. Tani është koha që të ndërtohet një bazë ekonomike stabile për qytetarët e Kosovës”, tha Westerwelle.

Këtu, shtoi ai, me gjithë punën e madhe që mbetet të bëhet, ka pasur progrese që i inkurajojmë.

“Perspektiva evropiane të cilën Gjermania e sheh për rajonin, vlen edhe për Kosovën. Gjermania do të mbështesë Kosovën në këtë perspektivë evropiane, mirëpo një parakusht për këtë është progresi i arritur para së gjithash kur kemi të bëjmë me luftimin e korrupsionit, luftimin e krimit të organizuar dhe angazhimin për ndërtimin e shtetit ligjor”, tha Westerwelle.

Unë i shpreha edhe presidentit mirënjohjen e qeverisë gjermane për angazhimin e institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri multietnike. Dhe këtu bëjnë pjesë para së gjithash mbrojtja dhe integrimi i pakicave. Ka sinjale pozitive në veçanti sa i përket nivelit lokal, të cilat ne i përshëndesim, tha ndër të tjera ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z.Guido Westerwelle.

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, pasi shprehu kënaqësinë për takimin e përbashkët me ministrin Westerwelle, tha se i kanë shprehur atij në radhë të parë falënderimet e institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e fuqishme dhe të gjatë që Gjermania i ka dhënë Kosovës.

Në të njëjtën kohë, shtoi ai, falënderuam për mbështetjen e tanishme, për qëndrimin shumë të qartë për ecjen dhe zhvillimet tona dhe për mbështetjen për sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën.

“E informuam për të gjitha zhvillimet që i ka Kosova, për suksesin e saj si një vend sovran dhe i pavarur dhe për pjesën e vizionit apo preokupimet e përditshme që i kemi, me një vizion që Kosova të jetë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s”, tha Presidenti Sejdiu, duke theksuar edhe një herë kujdesin e veçantë të institucioneve që Kosova të jetë atdhe i dashur për të të gjithë qytetarët, dhe në këtë kuadër me një integrim të të gjitha komuniteteve pakicë.

“E theksuam shumë qartë vizionin tonë për raportet shumë të mira, të shkëlqyeshme, të ndërtuara me të gjitha vendet fqinje dhe vullnetin që raportet e tilla t’i kemi edhe me Republikën e Serbisë. Në të njëjtën, kohë theksuam punët e mëdha që kemi bërë dhe një garanci të fuqishme për investime të jashtme në Kosovë. Se Kosova është vend i perspektivës së përbashkët të të gjithë njerëzve të saj, se është shans i bashkëpunimit dhe i investimeve për të gjithë të interesuarit nga vendet e tjera dhe se janë garanci të plota qeveritare, ligjore dhe kushtetuese”, tha Presidenti Sejdiu.

I pyetur ndërkaq lidhur me qëndrimin e institucioneve të shtetit ndaj komuniteteve pakicë, Presidenti Sejdiu theksoi se “prezenca e pakicave në Kosovë është kualitet, është vlerë dhe si të tillë ne e çmojmë punën e madhe që është bërë nga institucionet e Kosovës në radhë të parë në garancitë kushtetues dhe ligjore dhe punën proaktive që kemi bërë për trajtimin dhe rolin e pakicave.

“Kosova vërtet në trajtimin ndërkombëtar dhe nga Presidenti Ahtisari është rast sui generis dhe sui generis është në ofrimin e shansit të mirë të progresit dhe perspektivës së gjithë pakicave në Kosovë. Ato janë prezente në kuvend, në qeveri, në pushtetin lokal, në të gjitha strukturat dhe institucionet e shtetit. Në kuadër të Zyrës sime funksionon edhe Këshilli Konsultativ për Komunitete që udhëhiqet nga një pjesëtar i pakicave”, tha ai.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi theksoi se “vizioni i Kosovës është ndërtimi i shtetit demokratik, shtetit ligjor, të qeverisjes së mirë, efikase, të sundimit ligjor dhe shtetit multienik”.

“Kosova po ndërton raporte të shkëlqyeshme me të gjithë fqinjët, edhe me Maqedoninë, me Shqipërinë e Malin e Zi dhe ka shprehur gatishmërinë të ketë raporte ndërshtetërore edhe me Serbinë, që të sigurojë rrugën më të qartë, më të shkurtër, më të sigurt për t’u integruar edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm se, në kuadër të kësaj, një nga parakushtet themelore bazë është respektimi më afirmativ i mundshëm i komuniteteve që jetojnë në Kosovë, prandaj bazë për ne ka qenë dhe mbetet dokumenti i Presidentit Ahtisari”, theksoi Kryeministri Thaçi.