Urimet e Presidenti Sejdiu me rastin e festës së Krishtlindjes

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ua ka uruar qytetarëve të vendit, Papa Benediktit XVI dhe Ipeshkëvit të Ipeshkëvisë së Republikës së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit, festën e Krishtlindjes.

Në këto urime thuhet:

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për festën e Krishtlindjes, e cila është dita e madhe e lindjes dhe e forcimit të besimit në Zotin.
Këtë ditë të bekuar ne po e kremtojmë për herë të parë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, e cila, me punën tonë të përbashkët dhe me ndihmën e madhe të miqve tanë të shumtë, po forcohet dita-ditës si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë.

Duke theksuar përkushtimin tonë për integrimin e vendit tonë në familjen e madhe të kombeve të lira, ne edhe sot shprehim nderimin tonë të përhershëm për të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për të gjithë ata që me lutjet dhe me punën e tyre mundësuan kremtimin e kësaj dite në paqe dhe në liri. Sot, përkujtojmë të lumnuemen Nënën Terezë, Papa Gjon Palin II, Presidentin Ibrahim Rugova, ish-Ipeshkvët e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Nikë Prelën e Imzot Mark Sopin, pastaj përkthyesin në shqip të Biblës, Imzot Simon Filipajn, po edhe shumë personalitete të tjera, që luajtën rol të rëndësishëm në plotësimin e aspiratës sonë shekullore për liri e pavarësi.

Urime të përzemërta u shprehim edhe komandantëve dhe ushtarëve të KFOR-it/NATO-s, përfaqësuesve të EULEX-it dhe ambasadorëve të vendeve mike të akredituar në Republikën tonë.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe njerëzit e saj të mirë!
Urime dhe për shumë mot!
 
* * *

Telegrami i Presidentit Sejdiu për Atin e Shenjtë, Papa Benedikti XVI

Shenjtërisë së Tij,
Papa Benedikti XVI

Ju lutem pranoni urimet e mia më sinqerta dhe të popullit të Republikë së Kosovës me rastin e festës së Krishtlindjes.

Viti 2008 ka qenë vit historik për vendin tim, sepse pas shumë përpjekjeve dhe vuajtjeve shekullore, në bashkërendim me miqtë tanë, shpallëm pavarësinë e Republikës së Kosovës, të cilën, si atdhe të përbashkët për të gjithë qytetarët pa dallim feje e etnie, me vetëmohim të madh po mundohemi ta forcojmë çdo ditë.

I dashuri Ati i Shenjtë,
Duke e çmuar kontributin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë – Vatikanit për lirinë dhe mëvetësinë e popujve, ne lutemi që atdheu ynë, Republika e Kosovës, të bekohet sa më parë edhe nga Ju. Kjo do ta ndihmonte tejmase paqen, stabilitetin dhe progresin jo vetëm në Kosovë, por në tërë këtë pjesë të Evropës Juglindore.


Miqësisht,                  
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Republikës së Kosovës