U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi zhvilloi një takim pune me Grupin Punues për Ballkanin

Strasburg, 20 janar 2011 - Ditën e dytë të qëndrimit në Strasburg, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi zhvilloi një takim pune me Grupin Punues për Ballkanin, grup ky i përbërë nga eurodeputetët të cilët ndajnë interesin për Ballkanin dhe është themeluar nën kornizën e Komisionit për Punë të Jashtme.

Ky grup drejtohet nga eurodeputeti austriak Hanes Svoboda, ndërsa anëtarë të tij janë edhe Doris Pack, Eduard Kukan, Jelko Kacin, Ulrike Lunacek e të tjerë.
 
Takimi u kryesua nga drejtuesi i grupit, Hanes Svoboda, i cili në fillim të këtij takimi uroi mirëseardhje për Presidentin në Detyrë dhe në pika të shkurtra shprehu pikëpamjet e Grupit të Parlamentarëve Evropianë në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.
 
Z. Svoboda, qysh në fillim u ndal tek raporti i Dick Martyt, të cilin e vlerësoi si një raport të çuditshëm, pa substancë dhe, në një mënyrë, ai shfaqi një dozë kritike ndaj kolegut të tij Dick Marty në lidhje me këtë akuzë të ngritur pa substancë dhe në lidhje me një takim pune që e ka ftuar Komisioni për Punë të Jashtme, takim të cilit z.Marty nuk iu është përgjigjur, duke mos shfaqur një bashkëpunim me europarlamentarët rreth kësaj çështjeje.
 
Ai po ashtu theksoi edhe tërheqjen paksa të Dick Martyt nga raporti i tij, dhe faktin se, siç duket, edhe ai e ka kuptuar se është një raport pa substancë.
 
Në vijim të takimit, në të cilin ishin të gjithë anëtarët e këtij Grupi Punues, por kishte edhe deputetë të tjerë si Tarja Fajon dhe europarlamentarë të tjerë, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi bëri një prezantim të zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke folur për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur nga dorëheqja e Presidentit Sejdiu dhe marrja e detyrës nga ana e tij, për të gjitha zhvillimet të cilat janë në harmoni të plotë me Kushtetutën, që nga ushtrimi i detyrës së presidentit, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme e të tjera.
 
Ai gjithashtu foli lidhur me procesin e zgjedhjeve, mbarëvajtjen e këtij procesi, duke shprehur gjithashtu edhe qëndrimet e tij të cilat i ka shprehur edhe më parë lidhur me lëshimet të cilat janë bërë, si dhe shprehu optimizmin e tij se institucionet e pavarura të Kosovës janë duke bërë çmos që ato lëshime të cilat janë bërë gjatë zgjedhjeve të përmirësohen dhe procesi të marrë një formë normale si duhet të jetë.
 
Duke folur rreth raportit të Dick Martyt, z.Krasniqi shprehu qëndrimin e tij dhe të institucioneve të Kosovës, se ky raport është vetëm një riciklim i hetimit që është bërë nga Tribunali i Hagës në vitin 2004 dhe që në mungesë të fakteve prokuroria nuk ka mundur që të ngritë aktakuzë rreth kësaj çështjeje.
 
Në vijim, z.Krasniqi u përgjigj në interesimet e eurodeputetëve për çështje të ndryshme. Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila ka folur për parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e fundit në Kosovës edhe në raportin e saj dhe në deklarimet e saj publike, shtroi çështjen e reformës zgjedhore në Kosovë.
 
Duke folur në këtë temë, z. Krasniqi tha se sistemi i tanishëm zgjedhor në Kosovë është një sistem pothuajse unikat dhe Kosovës i duhet një reformë zgjedhore, e ndarë në zona zgjedhore dhe mundësia që edhe listat të jenë të mbyllura.
 
Znj. Lunacek gjithashtu foli edhe për raportin e z.Dick Marty, duke theksuar se ky raport kërkon një hetim të mirëfilltë dhe nëse ka fakte, të vërtetohen, dhe se në rast që z. Marty do të ketë prova dhe nëse ato do të vërtetohen, atëherë akterët duhet të dalin para drejtësisë.
 
Ndërlidhur me këtë, z. Krasniqi tha se, në një rast të tillë, verdiktin dhe përgjigjen në këtë duhet ta japë drejtësia.
 
Raportuesi i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, pasi theksoi pjesëmarrjen e kënaqshme të komuniteti serb në zgjedhje, u interesua të dijë më shumë lidhur përfshirjen e komunitetit serb në qeverisjen e vendit.
 
Nga ana e tij, z.Krasniqi tha se komunitetet pakicë do të marrin pjesë në qeverisjen e vendit sikur që kanë marrë pjesë edhe në të kaluarën.
 
Eurodeputetja Tarja Fajon hapi temën e dialogut për liberalizimin e vizave. U.D. i Presidentit të Kosovë tha se të gjitha ministritë relevante, puna e së cilave lidhet me këtë proces, si Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme, janë duke marrë të gjitha masat dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e Bashkimit Evropian për krijimin e mundësive dhe hapjen sa më parë të dialogut për liberalizimin e vizave.
 
Takimi u përmbyll në një frymë miqësie dhe bindje për thellimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit të evroparlamentarëve dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian me Kosovën.