U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi votoi në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi votoi pas orës 10:00 në vendvotimin në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Në një deklaratë bërë me këtë rast, ai theksoi: “Ne sot e kryem një të drejtë qytetare, për të hedhur votën në kuti për zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010. Ne e konsiderojmë këtë ditë si një ditë feste, pasi që këto janë zgjedhjet e para që mbahen në shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës. Për familjen tonë është edhe një festë tjetër, sepse vajza e madhe për herë të parë voton në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës dhe kjo ka një domethënie të rëndësishme.

 

Konsideroj se domethënia e këtyre zgjedhjeve për proceset demokratike, për demokracinë në përgjithësi është tepër e rëndësishme dhe dëshiroj që ashtu sikur kanë filluar me rregull, pa probleme, gjithë ky proces të mbyllet ashtu siç është vullneti i qytetarëve të Kosovës, për interesin e qytetarëve të Kosovës dhe për zhvillimin e demokracisë në Kosovë”.