U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti z. Bjorn Von Sydow

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti sot në takim z. Bjorn Von Sydow, Raportues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Ne patëm një takim me Raportuesin për Kosovën në Këshillin e Evropës, z. Sydow me një delegacion nga Këshilli i Evropës. Biseduam për situatën e krijuar në Kosovë pas dorëheqjes së Presidentit dhe mocionit të mosbesimit për Qeverinë. E njoftova se, me gjithë këto zhvillime, situata në Kosovë është mjaftë stabile, është një situatë që e parasheh edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe se Kosova po i bën të gjitha përgatitjet për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe të drejta”, theksoi Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi pas takimit, duke shtuar se presim që vërtet edhe në këto zgjedhje, si në zgjedhjet e kaluara, Kosova të tregojë një përgjegjësi, të tregojë forcën e vet politike dhe demokratike.

“Biseduam edhe për mundësinë që në Komisionet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të ardhmen, sa herë që do të bisedohet çështja e Kosovës në komisionet e kësaj Asambleje, të jenë edhe përfaqësuesit e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe mendoj se kjo është një qasje e re që Këshilli i Evropës ka ndaj institucioneve të Kosovës dhe në këtë rrafsh ndaj Parlamentit të Republikës së Kosovës. E falënderova për angazhimet, për raportet që janë bërë për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe besoj që në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë e Asamblesë të Përgjithshme të Këshillit të Evropës”, theksoi z.Krasniqi

Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Bjorn Von Sydow, theksoi se me z.Krasniqi ka pasur takime edhe më herët, por tash do të jetë më mirë, pasi do të ketë mundësi për një përfaqësim apo pjesëmarrje më të rregullt të Kuvendit të Kosovës në takimet e Komisioneve Parlamentare të Asamblesë së Këshillit të Evropës, sa herë që në Këshillin e Evropës dhe në komisionet e tij, kur diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe unë jam shumë i lumtur për këtë fakt.

“Vizita ime këtu është e lidhur me zgjedhjet e përgjithshme që mbahen së shpejti. Si raportues për Kosovën, unë preku çështjet që janë shumë të rëndësishme për kosovarët: zgjedhjet e lira dhe të drejta. Të mos ketë prishje, as me para as me ndonjë formë tjetër, të këtyre zgjedhjeve ditën që do të mbahen ato. Që të ketë një proces të mirë, në të gjitha aspektet e votimit – me votimet listat e votuesve, numërimi i votave e kështu me radhë”, tha z.Sydow.

“Shpresoj se kështu edhe do të ndodhë. Unë në programin tim kam paraparë që të takohem me të gjithë përfaqësuesit e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe do të flas me ta që të kontribuojnë në arritjen e qëllimit për të pasur këso zgjedhjesh”, tha ai, duke shtuar se dalja sa më e madhe në zgjedhje dhe pjesëmarrja sa më e madhe edhe e pakicave është me rëndësi jetike për zgjedhjet.

“Kur të gjitha këto të përfundojnë, kur të kemi një kryetar të Kosovës, një kryeministër, shpresojmë se do të mund të fillojë dialogu i institucionalizuar mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Bjorn Von Sydow.

I pyetur me çfarë organizmash do të sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike, nëse e kemi parasysh se në një proces minor zgjedhor, siç ishte ai i Rahovecit, u evidencuan parregullsi, dhe Demokracia në Veprim dhe vëzhguesit vendorë dështuan në njëfarë forme në dhënien e rezultateve korrekte, z U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi u përgjigj: “Në përgjithësi mund të them se edhe në rastin e Rahovecit ka pasur parregullsi, por vërtet kanë qenë minore dhe nuk do të duhej t’i zmadhonim. Unë pres që partitë politike në Kosovë që e kanë përgjegjësinë kryesore për organizimin dhe mirëmbajtjen e zgjedhjeve e dinë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, dhe kanë përgjegjësinë para qytetarëve të Kosovës, para institucioneve të Kosovës, para demokracisë në Evropë pasi që të gjitha partitë politike në fjalorin e tyre kanë integrimet në drejtim të Bashkimit Evropian”.

“Në anën tjetër”, shtoi z.Krasniqi, “konsideroj që Komisioni Qendror Zgjedhor i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe, në anën tjetër, në këto zgjedhje të 12 dhjetorit do të  kemi edhe vëzhgues ndërkombëtarë, presim që të ketë vëzhgues me numër të shtuar edhe të Demokracisë në Veprim, ndoshta Demokracia në Veprim do ta nxjerrë një mësim të duhur nga zgjedhjet e Rahovecit për të qenë më e organizuar dhe më e konsoliduar edhe në këto zgjedhje. Pra, kemi partitë politike që kanë përgjegjësit t’i ruajnë votat e tyre, kemi Demokracinë në Veprim që i ka vëzhguesit e vet, kemi vëzhgues edhe nga Bashkimi Evropian dhe do të kemi vëzhgues ndërkombëtarë, kështu që të gjitha këto mekanizma, këto trupa do të kontribuojnë që zgjedhjet të janë edhe të lira, edhe të ndershme, edhe demokratike dhe unë shpresoj që do të jenë të tilla”.