UD i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti sot në takim Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.

“Janë zhvillimet e fundit politike ato që na kanë bërë të takohemi dhe të bisedojmë. Ne jemi dakord me angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës, me myftiun e Kosovës dhe ne biseduam edhe për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha në një konferencë për media pas takimit z.Krasniqi.

“Ne jemi që të gjitha institucionet në Kosovë, duke përfshirë edhe Bashkësinë Islame dhe bashkësitë e tjera fetare në Kosovë të punojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi”, tha ai.

“Si ushtrues i detyrës së Presidentit të vendit dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, e sigurova dhe e garantova myftiun se angazhimet tona do të jenë në përputhje me dokumentet, siç është Kushtetuta dhe ligjet, dhe ne jemi të bindur se i vetmi institucion fetar për fenë islame në Kosovë është Bashkësia Islame dhe ajo duhet t’i bëjë të gjitha kërkesat e veta në emër të myslimanëve të Kosovës, në institucionet e Kosovës, gjithnjë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në këtë aspekt, Bashkësia Islame dhe myftiu Tërnava do ta kenë mbështetjen e institucioneve tona”, tha ushtruesi i detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi.

Nga ana e tij, Myftiu Tërnava u shpreh se zhvillimet e fundit në vend përcillen me vëmendje nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Nisur nga ky parim, sot u takuam me kryetarin. Unë i urova punë të mbarë të mëtutjeshme, në përgatitjen edhe të zgjedhjeve të reja që do të jenë në Kosovë, duke e lutur Zotin në vazhdimësi dhe duke kërkuar që edhe këto zgjedhje të jenë, sikur edhe deri tash, model i mirë, jo vetëm për Kosovë, por për rajonin përgjithësisht, ngase në Kosovë kemi treguar në vazhdimësi një gatishmëri, një kulturë të bollshme në raport me zgjedhjet që deri tani i kemi pasur në Kosovë”, tha myftiu Tërnava.

“Unë e falënderoj ushtruesin e detyrës së Presidentit për gatishmërinë që ka për bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës, si bashkësi e vetme e cila përfaqëson interesat e besimtarëve të besimit islam këtu në Republikën tonë. Bashkësia Islame e Kosovës do të shtrijë bashkëpunimin edhe me Presidencën dhe me institucionet e tjera anekënd Republikës sonë për një ardhmëri sa më të mirë të të gjithëve që jetojnë në vendin tonë”, tha myftiu Tërnava.

Në vazhdim, bashkëbiseduesit u përgjigjën edhe në pyetjet e gazetarëve.

I pyetur rreth një proteste që do të mbahet nesër më Prishtinë, myftiu Tërnava tha se është njoftuar përmes internetit dhe fletëthirrjeve për këto protesta.

Por, shtoi ai, “Bashkësia Islame e Kosovës nuk qëndron prapa këtyre protestave, ngase kërkesat e besimtarëve islamë në Kosovë i ka bërë në institucionet tona, në adresë ku duhet të bëhen këto kërkesa, siç është mundësia e futjes së lëndës fetare nëpër shkolla, pastaj çështja e mbulesës dhe çështje të tjera edhe më madhore, të gjitha janë të adresuara në institucione”.

“Qëndron gatishmëria ë institucioneve, e përgjegjësve tanë, që të merren me këto problematika dhe se zë i cili duhet dëgjuar dhe i cili në vazhdimësi ka ngritur zërin që të përmbushen këto kërkesa ka qenë dhe është Bashkësia Islame, e cila edhe dëshiron dhe kërkon dhe vërtet që ne të plotësojmë standardet që janë në Evropa, që kanë të bëjnë me fenë dhe qeveria është gati të punojë bazuar në këto standarde”, tha Tërnava, duke shtuar se “ju e dini se edhe për çështjen e mbulesës ne kemi bërë kërkesën tonë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet Avokatit të Popullit, ngase ne nuk na lejon Kushtetuta  e vendit që ne ta bëjmë direkt këtë kërkesë dhe presim përgjigje nga institucioni më i lartë, besojmë në një interval shumë të shkurtër kohor”.

“Unë shfrytëzoj këtë rast dhe ftoj besimtarët e besimit islam dhe ata i garantoj se të gjitha problemet do të zgjidhen nëpërmjet institucioneve të Kosovës. I ftoj ata që të mos bien pre e disa shoqatave joqeveritare, të cilat kanë marrë edhe rolin që nuk ju takon. Të kenë bindjen se Bashkësia Islame, në krye me myftiun e Republikës, do t’i zgjidhë këto probleme në bashkëpunim me institucionet e vendit”, tha Tërnava.

Ushtruesi i detyrës së Presidentit, z.Jakup Krasniqi i është përgjigjur një pyetjeje lidhur për përgatitjet për zgjedhje.

“Gjatë këtyre ditëve unë kam biseduar me përfaqësues të partive politike në Kosovë. Kam nesër një takim të përbashkët me të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Kam biseduar edhe me parti jashtëparlamentare, të atyre që kanë treguar gatishmërinë për t’iu përgjigjur ftesës së ushtruesit të detyrës së Presidentit dhe besoj që nesër do të sqarojmë shumëçka, por gjithnjë duke qenë bisedat dhe marrja e vendimit përfundimtar mbi bazën e afatit kushtetues, që i jep ushtruesit të detyrës së Presidentit”, tha dr. Jakup Krasniqi.

I pyetur lidhur me aksionet e fundit të EULEX-it dhe të Policisë në veriun e Kosovës, dr.Krasniqi u shpreh: “Ne jemi në drejtim të institucioneve të vendit tonë. Kemi kërkuar dhe kemi mbështetur në kontinuitet të gjitha përpjekjet e Policisë së Kosovës, të EULEX-it, po edhe të KFOR-it, për vendosjen e rendit dhe ligjit mbi bazën e Kushtetutës. Natyrisht neve na vjen mirë, ndoshta pak me vonesë, por vërtet ka filluar një përpjekje serioze që në çdo pjesë të Kosovës të vendoset rendi dhe ligji, që qytetarët e Kosovës në çdo pjesë të saj ta kenë një frymëmarrje më të lehtë sesa që e kanë deri tani. Konsiderojmë se ky angazhim i ri do të vazhdojë dhe do të japë rezultate konkrete”.

I pyetur për divergjencat që janë shfaqur në Fakultetin e Studimeve Islame, myftiu Tërnava tha se ne kemi disa akte normative ligjore, të cilave duhet t’u përmbahemi, sepse janë valide.

“Bashkësia Islame ushtron punën e saj bazuar në kushtetutën e saj dhe kushtetuta e Bashkësisë Islame i jep plotësisht të drejtë që të emërojë drejtuesit e institucioneve, siç është Fakulteti i Studimeve Islame dhe Medreseja. Ne kemi emëruar vetëm ushtrues detyre, pasi dekani i deritashëm ka shkuar në detyrë të re dhe janë pesës-gjashtë vetë që mendojnë ndryshe. Kanë të drejtë të mendojnë ndryshe. Por, këtu nuk ka përçarje. Unë i ftoj edhe ata edhe të gjithë që të njëmendësohen, të respektojnë aktet normative të Bashkësisë Islame, të respektohet kushtetuta, ligjet dhe të punojmë sipas tyre. Assesi nuk do të lejojmë që të ketë anarki, padëgjueshmëri dhe të bëjë kush çfarë të dëshirojë, si t’i teket, sepse këto janë çështje që e çojnë shoqërinë tonë kah dekadenca”, theksoi zoti Tërnava.

I pyetur nëse po i vjen fundi koalicionit PDK-LDK, ushtruesi i detyrës së Presidentit, z.Jakup Krasniqi u përgjigj: “Deklarata individuale ka pasur edhe deri tash. Ne konsiderojmë që vendimet për prishjen e koalicionit i marrin liderët e partive politike dhe organet e partive politike. Në këtë rast, nga pozita që kam nuk ndërhyj në vendimet që do t’i marrin dy subjektet politike për ta prishur ose vazhduar koalicionin, edhe pse unë e kam bindjen time personale se tani do të duhej të vazhdohej ky koalicion në qeverisjen  e vendit, me këtë përbërje që e ka, për të filluar përgatitjet për zgjedhjet dhe nga zgjedhjet për të krijuar një koalicion dhe një qeverisje të re”.