U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti kryeministrin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti sot në takim kryeministrin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan.

Në një takim të përzemërt, dr. Jakup Krasniqi e dekoroi kryeministrin Recep Tayip Erdogan me Medaljen e Artë të Pavarësisë, dekoratë kjo që iu jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, që kanë kontribuar për Pavarësinë e Kosovës.

Pas takimit, z.Krasniqi dhe z.Erdogan mbajtën një konferencë për media.

“Pata nderin që sot ta kem për vizitë kryeministrin e Republikës së  Turqisë, z. Erdogan me një delegacion nga kabineti i tij. Kjo vizitë që ka filluar dje dhe është pritur mirë kudo në Kosovë edhe në Prishtinë edhe në Prizren, është një rikonfirmim i fuqishëm i miqësisë që Republika e Turqisë, institucionet e Turqisë, qeveria e Turqisë tregojnë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, theksoi z.Krasniqi.

“Turqia ka qenë një nga vendet që më së pari e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Turqia gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur një prezencë të fortë ushtarake për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Agjencia për Zhvillim e Turqisë ka investuar gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë, ka edhe investime të tjera, sidomos prezenca dhe pjesëmarrja e fuqishme e biznesmenëve turq, sidomos në ndërtimin e autostradës, në Aeroportin e Prishtinës por edhe në shumë sfera tjera të jetës”, tha Krasniqi, duke shtuar se sigurisht pas kësaj vizite marrëdhëniet tona do të fuqizohen edhe më tepër, prezenca e Republikës së Turqisë në Kosovë do të jetë më e madhe në interesin e dy vendeve tona, e dy popujve tanë për thellimin e këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat e jetës.

“Natyrisht, edhe vetë Kryeministri Erdogan gjatë këtyre viteve ka lobuar shumë për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga vendet e botës islame dhe arabe, por Turqia ka marrëdhënie edhe me shumë vende të tjera të botës dhe në këtë drejtim Republika e Turqisë, vetë zoti Erdogan mund të bëjnë shumë për Kosovën dhe  e ka gatishmërinë për të na ndihmuar. Sigurisht do të angazhohet siç ka deklaruar edhe më parë, siç patëm edhe bisedën sot edhe për t’i lehtësuar bisedimet e ardhshme që do të zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit”, theksoi Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.

“Dje dhe sot jemi duke zhvilluar një vizitë me takime intensive në Kosovë. Dhe u takuam me kryeministrin Thaçi. Si në takimin kokë më kokë ashtu edhe në takimin e delegacioneve, biseduam për bashkëpunimin dhe patëm rastin të diskutojmë shumë tema nga fusha ushtarake, ekonomike, sociale, kulturore dhe historike. Diskutuam se çfarë mund të bëjnë dhe çfarë mund të realizojnë në rajon Turqia dhe Kosova si dy vende mike dhe vëllazërore”, theksoi kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogan.

“Në muajin maj z.Thaçi vizitoi Turqinë dhe diskutuam zhvillimet që kanë ndodhur nga koha kur ai ishte në Turqi. Së bashku me z.Thaçi shkuam në Prizren. Ishte një natë shumë entuziaste, një pritje shumë entuziaste. Aty u takuam me popullin prizrenas, si dhe patëm një vizitë të shkurtër në komunën e Mamushës, ndërsa sot në Universitetin e Prishtinës mora titullin “Doctor Honoris Causa”. Këtë unë e pranova në emër të popullit tim dhe zhvilluam një takim me rektorin dhe studentët”, vijoi më tej z.Ergodan.

Sipas tij, ka shumë gjëra që mund të realizojmë midis Turqisë dhe Kosovës. Disa prej tyre tashmë janë realizuar. Në fushën ushtarake, ne kemi prezencën e kontigjentit turk në kuadër të KFOR-it dhe kjo është e rëndësishme për qetësinë dhe stabilitetin në Kosovë. Angazhimet tona në këtë drejtim do të vazhdojnë. Ne jemi në solidaritet të plotë si para shpalljes së pavarësisë ashtu edhe pas shpalljes së saj.

“Në veçanti jemi duke i nxitur biznesmenët tanë për të investuar në Kosovë. Ne u kushtojmë rëndësi shumë të madhe hapave që ata kanë hedhur, projekteve që ata kanë marrë përsipër deri tani. Siç e dini, autostrada gjigante që është duke u ndërtuar nga një  kompani turke (konsorciumi Bechtel&Enka) do ta lidhë Kosovën me Adriatikun. Krahas këtij projekti, kemi edhe një firmë tjetër turke, Limac-u, e cila në konsorcium me firmën franceze Lion, nga muaji janar i vitit që vjen do të punojë në zgjerimin dhe modernizimin e Aeroportit të Prishtinës. Të dy këto firma dhe të tjera që e kanë dëshmuar veten e tyre në këtë fushë do ta bëjnë më modern Aeroportin e Prishtinës, do të ofrojnë shërbime më moderne. Një prej hapave të tjerë të rëndësishëm është lidhur me infrastrukturën e telekomit, pasi ka edhe hapa të rëndësishëm që mund t’i hedhim në këtë fushë. Po ashtu, do të kemi edhe përurimin e një fabrike mielli, vizitën në një xhami që është restauruar, përurimin e një spitali të ri me kapacitet prej 50 shtretërish. Ne kemi synim të ndërtojmë edhe një qendër kulturore si në Prishtinë ashtu edhe në Prizren, që do të jenë institucione që do të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve”, theksoi kryeministri Erdogan.

“Zgjedhjet që do të mbahen më 12 dhjetor në Kosovë do të jenë pikënisje e një periudhe më demokratike në Kosovë. Do të jenë lajm i mirë për fuqizimin e demokracisë”, tha kryeministri Erdogan, duke falënderuar institucionet dhe popullin e Kosovës për pritjen e përzemërt.

I pyetur cilat janë pritjet tuaja nga Turqia për stabilitetin e Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi theksoi: “Ne presim jo vetëm nga Turqia, por presim nga të gjitha vendet e rajonit të jenë pjesë e një partneriteti të ri në gjithë rajonin tonë, në Evropën Juglindore, përfshirë edhe Republikën e Turqisë, një partneritet i ri që ndërtohet mes vendeve dhe popujve për të siguruar stabilitetin e gjithë rajonit, për të forcuar sigurinë dhe për të hapur perspektiva të reja në bazë të një partneriteti dhe bashkëpunimi që i ka munguar rajonit, të themi gati edhe me shekuj”.

“Neve na vjen mirë që në këto momente kryeministri Erdogan, besoj edhe e gjithë politika dhe diplomacia e Turqisë, do të vihet në shërbim të krijimit të raporteve të reja edhe mes Kosovës dhe mes Serbisë, por edhe mes vendeve të tjera të rajonit siç është Bosnja. Në këtë drejtim konsideroj që edhe Turqia por edhe Kosova edhe të gjitha vendet e rajonit mund të vihen në shërbim të paqes dhe sigurisë dhe me një politikë dhe praktikë të tillë të partneritetit jam i bindur që secili duhet të kontribuojë në mënyrën e vet dhe në formën e vet. Natyrisht Turqia si një vend me traditë, një shtet i madh me fuqi edhe njerëzore edhe ekonomike edhe politike mund të jap më shumë dhe të ndihmojë më shumë në sigurinë dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë”, theksoi z.Krasniqi.