U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti komandantin e Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti sot në takim Admiralin Samuel J. Locklear III, komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, i cili shoqërohej nga komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler.

Në një konferencë për media, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi tha se në takim biseduam për bashkëpunimin që institucionet e Kosovës, Forca e Sigurisë e Kosovës, kanë me NATO-n dhe me KFOR-in.

Ai tha se ka falënderuar admiralin dhe gjeneralin edhe për Samitin e Lisbonës, që vlerësoi punën e sigurisë në Kosovë, si dhe ka falënderuar edhe NATO-n, edhe prezencën e KFOR-it në Kosovë, për përgatitjen profesionale të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ne biseduam edhe për zvogëlimin në kontinuitet të trupave të KFOR-it në Kosovë dhe ishte vlerësimi se zvogëlimi në gradualitet i trupave të KFOR-it në Kosovë është faktor që tregon se në Kosovë ka siguri dhe stabilitet. Unë edhe një herë i garantova admiralin dhe gjeneralin e KFOR-it në Kosovë se institucionet e Kosovës, populli i Kosovës do ta shtojnë bashkëpunimin me NATO-n dhe KFOR-in. Se qëllimi ynë politik dhe institucional është integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, theksoi z.Krasniqi.

“Ne vlerësojmë se këto të arritura që i kemi janë të arritura të përbashkëta dhe sukseset që do të jenë edhe në planin e sigurisë në Kosovë do të jenë të përbashkëta, edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, edhe të NATO-s dhe të KFOR-it në Kosovë”, tha Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.

Komandanti i Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, Admirali Samuel J. Locklear III tha se në dy muajt e parë si komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli jam në vazhdimësi i impresionuar me përparimin që arrihet në Kosovë dhe ju uroj gjithë të mirat juve dhe popullit të Kosovës gjatë zgjedhjeve që janë duke u ofruar.

“Në rolin tonë si NATO, përmes KFOR-it, ne do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e mjedisit të qetë dhe të sigurt. Siç diskutuam, vendimi i kohëve të fundit i Këshillit të Atlantikut Verior për zvogëlimin e prezencës së KFOR-it nga më pak se 10 mijë trupa sa janë, në 5500 gjatë muajve në vijim është rezultat i natyrshëm dhe shenjë e mirë e përparimit të dukshëm që është arritur në Kosovë”, tha Admirali Locklear.

I pyetur rreth gjendjes së sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe a ka plan për atë pjesë, Admirali Locklear u përgjigj: “Kur e shohim tash ndryshimin në madhësinë e KFOR-it ne do të bëjmë ripozicionimin e disa forcave, me qëllim të përdorimit sa më të mirë të atyre forcave në ofrimin e mjedisit të qetë dhe të sigurt në gjithë Kosovën”.