U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mori pjesë në Konferencën “Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2010”

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi ka mbajtur sot një fjalë në Konferencën “Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2010”, organizuar nga Instituti për Studime Politike dhe Evropiane (ISPE) në Prishtinë.

Duke iu drejtuar auditoriumit, z.Krasniqi fillimisht theksoi se e arritura më e madhe është se Kosova ka hyrë në rendin e shteteve evropiane që të bëhen progrese për Kosovën, dhe ky është raporti i tretë për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
 
Në vijim po japim thekset kryesore të fjalës së Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi në këtë konferencë:
 
Raporti është një dokument që mund të themi ka incizuar segmentet më të rëndësishme të jetës politike, institucionale, shoqërore dhe ekonomike në Kosovë. Është një pasqyrë mjaft reale e të gjitha këtyre zhvillimeve që kanë ndodhur në vitet e fundit e në mënyrë të veçantë në vitin 2010. Progresi shpjegon marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, analizon situatën politike në Kosovë në vështrim të demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, mbrojtjes së minoriteteve, çështjeve rajonale. Analizon situatën ekonomike në Kosovë, rishikon kapacitetet e Kosovës për implementimin e standardeve dhe prioriteteve të partneritetit evropian në legjislacion dhe politika. Raporti vlerëson situatën në Kosovën veriore, e cila ne të gjithë e dimë se mbetet e tensionuar por mjaft stabile.
 
Në periudhën 2008 – 2011, Bashkimi Evropian ka planifikuar që t’i japë donacione Kosovës në shumë prej pesëqind e tetë milion eurosh. Po përgatitet dokumenti për planifikimin e treguesve për vitin 2011 – 2013, ky dokument do t’i identifikojë fushat kryesore dhe prioritetet për ndihmë nga INP-ja.
 
Sektori për kriteret politike kontrollon progresin kundrejt plotësimit të kritereve të Kopenhagës që kërkojnë: stabilitet institucional, demokraci, sundim të ligjit, të drejtat e njeriut, respekt dhe mbrojtjen e minoriteteve, bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira me fqinjët dhe bashkëpunim me Tribunalin Ndërkombëtar për krimet në hapësirat e ish- Jugosllavisë.
 
Ne do të përpiqemi t’i cekim disa segmente të cilat janë të rëndësishme, e po fillojmë pasi i kemi mediat këtu, me lirinë e medieve. Trajtimi që kësaj pike i bëhet në Kosovë është shumë i njëanshëm. Kur mendohet për ndikimet politike në media, të gjitha dëshirojnë ta adresojnë qëndrimin e institucioneve të Kosovës e në mënyrë të veçantë të qeverisë ndaj medieve.
Konsideroj që ky shikim në këtë formë nuk është i drejtë. Ndikimet politike në media nuk janë vetëm të qeverisë, janë të politikës në përgjithësi, dhe politikën në përgjithësi e përbëjnë gjithë subjektet politike në Kosovë, do të thosha e bëjnë edhe vetë shoqëria civile në një masë por e bëjnë edhe vetë mediat, organizimi i tyre.
 
Natyrisht që ne nuk mund të jemi të kënaqur me nivelin e lirisë së shtypit apo të fjalës së lirë në Kosovë, por problemi edhe njëherë po them ndoshta është më tepër i nivelit edhe kulturor, edhe arsimor, edhe të përgjegjësisë së medieve dhe të përgjegjësisë së gazetarëve dhe respektimi i kodeksit të gazetarëve në paraqitjet e tyre.
 
Shpeshherë edhe mediat e shkruara edhe mediat elektronike dinë të bëjnë komente, dinë te bëjnë emisione të njëanshme, për të mos thënë me porosi. Të gjitha këto marrë së bashku e dëmtojnë fjalën e lirë, e dëmtojnë lirinë e medieve dhe, në fund të fundit, ndonjëherë padrejtësisht, dëmtojnë edhe personalitetet politike, me anësinë e tyre ose me shkrimet dhe emisionet e bëra me porosi. Neve na vjen keq, por të gjitha këto duhet t’i themi, i ndihmojnë një ndërhyrje të politikës në fjalën e lirë dhe në media.
 
Ne jemi të vetëdijshëm se kemi pasur probleme me financimin e RTK-së. Kemi bërë përpjekje si Kuvend, që kemi një përgjegjësi të veçantë, t’i gjejmë mënyrat e financimit. Ndoshta nuk e kemi gjetur mënyrën më të mirë, por kemi gjetur mënyrë për ta ruajtur deri-diku pavarësinë e këtij mediumi të rëndësishëm publik për Kosovën.
 
Edhe një çështje që dua ta them këtu para jush është se lirinë e medieve nuk mund ta mbrojë vetëm politika. Lirinë e medieve shpeshherë e mbrojnë vetë drejtuesit e tyre. Sa ata dhe qysh ata kanë ardhur në pozitat që i kanë. Të gjitha mekanizmat e pavarur në Kosovë mund të ankohen te politika, por një përgjegjësi e madhe është e drejtuesve të tyre, që nuk i ushtrojnë kompetencat e tyre konform të drejtës që e kanë dhe mbi bazën e ligjeve sipas të cilave janë të formuara.
 
Një segment tjetër në të cilin në këtë raport shihen vlerësimet është segmenti i rëndësishëm i një pushtetit të tretë, i gjyqësorit në Kosovë, ose themi ndryshe, gjithë sistemi i drejtësisë është një pushtet i tretë dhe i pavarur. Ka marrë vlerësime në dy drejtime ose fusha, në bërjen e ligjeve që kemi bërë në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi si institucion më i lartë i vendit ka marrë një vlerësim pozitiv në këtë rast, dhe reformimi që ka filluar në sistemin e drejtësisë në përgjithësi e në gjyqësorin në veçanti. Konsideroj që edhe këtu jemi përpjekur të japim kontributin tonë. Mirëpo, ne nuk mund të jemi të kënaqur me funksionimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë, as në vitin e fundit, për faktin se kanë mbetur shumë lëndë të pakryera.
 
Ky sistem qe dhjetë vite ka pasur mangësi të shumta dhe lirisht mund të themi se nuk e ka kryer funksionin e vet. Në Kosovë gjatë këtyre dhjetë viteve janë bërë krime të ndryshme politike dhe të sferës ekonomike, edhe pse ndoshta te ne më shumë flitet për korrupsionin, gjithnjë duke e adresuar në nivele të larta, edhe pse korrupsioni si dukuri është në të gjitha nivelet dhe shpeshherë ai zhvillohet në nivele ku nuk përflitet sesa në nivele ku mund të përflitet. Dua të them që buxheti i Kosovës dëmtohet në shumë drejtime, ose gjatë këtyre dhjetë viteve është dëmtuar në shumë drejtime. Është dëmtuar në dogana, edhe pse atje kurrë nuk kemi pasur lëvizje të kuadrove, kemi një ngrirje të kuadrove, edhe pse nuk mund të themi se nuk ka pasur korrupsion dhe nuk kanë kaluar edhe trafiqet e ndaluara. Ky sektor, edhe pse në pjesën më të madhe është kontrolluar nga ish-administrata ndërkombëtare, tani edhe EULEX-i, nuk është që mund të marrë notë krejt pozitive, edhe pse në raport vlerësohet në një masë si pozitivitet, sepse kemi një ngritje të të hyrave nga doganat, por realisht doganat vazhdojnë të mbesin vend ku më së shumti dëmtohet Buxheti i Konsoliduar i Kosovës dhe jo vetëm për një vit por më shumë se dhjetë vite.
 
Ky institucion do një reformim më të thellë dhe do të mund të kontribuonte në fuqinë e buxhetit të Kosovës dhe fuqia e buxhetit të Kosovës do të ndihmonte në shumë zgjidhje më të mira sesa që i ka shoqëria e Kosovës.
 
Po e përmend sistemin e drejtësisë, sepse gjatë këtyre dhjetë viteve shumë krime kanë mbetur të pandëshkuara, prandaj duke mbetur krimet e pandëshkuara, kemi rastet e fundit, qoftë sulmin mbi policin në Klinë, qoftë sulmin mbi një punëtor të EULEX-it. Janë shenja jo të mira për sundimin e ligjit në Kosovë dhe kjo është si pasojë se krimet në Kosovë gjatë këtyre dhjetë viteve nuk janë ndjekur ose ka pasur ndërhyrje të politikës. Jo vetëm të politikës, njerëzit që kanë qenë në pushtet. Sa herë mendojmë ndërhyrjen e politikës, kurrë të mos mendojmë vetëm ndërhyrjen nga institucionet. Në sistemin e drejtësisë, si dhe në sisteme të tjera, si edhe në media, ka ndërhyrje edhe jashtë institucioneve. Sepse shpeshherë një pjesë e mirë e politikës është jashtë institucioneve. Ndoshta ndërhyrjet më të mëdha që ne i konsiderojmë politike, janë jashtë institucioneve, sesa që janë brenda tyre. Mendoj se edhe këtë duhet ta kuptojmë kështu.
 
Shqetësim vazhdon të mbetet edhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Korrupsioni është një fenomen i shoqërive në përgjithësi, por më mënyrë të veçantë i shoqërive në tranzicion. Shoqëritë në tranzicion janë shoqëri të brishta, kanë institucione të brishta dhe të fuqishmit janë të pandëshkueshëm dhe nganjëherë edhe vetë shoqëria i mbështet ata që e krijojnë një fuqi jashtë institucioneve dhe institucionet nuk e kanë fuqinë e mjaftueshme për t’iu dhënë një përgjigje të merituar atyre që janë të fuqishëm dhe edhe kur janë në institucione edhe kur janë jashtë institucioneve. Gjithnjë duhet ta lidhim këtë, se jo të gjitha sulmet duhet të drejtohen në institucione. Shpeshherë ata që bëjnë ndërhyrje në forma të kërcënimeve, në forma të shantazheve, janë jashtë jetës institucionale. Edhe pse në Kosovë nuk mund të përjashtohet edhe ndërhyrja brenda institucioneve. Prandaj, të gjitha partitë politike, të gjitha subjektet politike i synojnë institucionet.
 
Megjithatë, Raporti i Progresit, gati në çdo segment, tregon që ka pasur progres dhe mendoj se kjo pjesë duhet të shikohet.
 
Kriteret ekonomike janë një fushë tjetër e rëndësishme që trajtohen në raport. Edhe këtu Kosova ka shënuar arritje, edhe për faktin se Kosova ka qenë e izoluar, ajo ka pasur rritje prej 4-4.5 për qind. Kur kihet parasysh kriza ekonomike globale, kur shumë vende kanë pasur ngritje edhe më të vogël, ndoshta edhe në minus, megjithatë është një faktor që na bën të jemi të sigurt se Kosova do të ketë ngritje ekonomike. Stabiliteti financiar, sipas Raportit, është ruajtur, edhe pse ndoshta është ruajtur me një kosto të lartë, sidomos të bizneseve që marrin kredi nga bankat. Kemi një ngritje të eksportit. Sigurisht që një pjesë e rritjes ekonomike është bërë nga investimet kapitale që kanë ardhur nga paratë publike. Papunësia ka shënuar një ulje të lehtë.
 
Papunësinë duhet shikuar edhe në frontin e ekonomisë informale. Në Kosovë ka shumë ekonomi informale. Ne shpresojmë se ligji që e kemi miratuar në fund të mandatit të legjislaturës së tretë të Kuvendit, Ligji i Punës, do të ndihmojë në një masë në zvogëlimin e ekonomisë informale, që mbetet si një problem jo i vogël në Kosovë.
 
Sistemi juridik ka një ngritje në përgjithësi, por duhet të themi se ky sistem duhet të reformohet ende.
 
Raporti cek edhe disa nevoja, sidomos një progres pozitiv sa i përket mjedisit. Ka një progres në transport, sidomos transportin rrugor dhe atë hekurudhor, ka një zhvillim pozitiv në aviacionin civil. Kurse, në energji, si burim kryesor i zhvillimit ekonomik në Kosovë, mbetet shumë për t’u bërë. Ne shpresojmë që me privatizimin e KEK-ut, posa ta marrin përgjegjësinë institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të bëhet një ndryshim në këtë sektor, por vërtet ky ka mbetur një sektor që Kosovës i krijon shumë probleme.
 
Infrastruktura ligjore në një masë është e përmirësuar, por edhe Raporti e cek, ende nuk është krijuar një amvient i përshtatshëm për investime. Kemi edhe një rënie të interesimit të investitorëve për të investuar në Kosovë dhe kjo ndoshta vjen edhe për shkak të krizës financiare globale.
 
Një sektor tjetër që ka pak progres, e që do të duhej të kishte më shumë, është bujqësia. Vetëm këtë vit ka filluar një subvencionim më i kuptimtë në bujqësi, por ende fuqia e buxhetit të Kosovës është e vogël për të ndihmuar më shumë sektorin e bujqësisë.
 
Një segment tjetër që është trajtuar me mjaft realizëm është ngritja e kapaciteteve administrative në Kosovë dhe edhe pse gjatë gjithë këtyre viteve janë bërë investime në këtë fushë, këto kapacitete kanë mbetur ende të pamjaftueshme për t’i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e veta.
 
Ne duhet gjithnjë ta kemi parasysh se Kosova është një vend i ri. Edhe pse në Kosovë nuk është hapur rruga për liberalizimin e vizave, jam i bindur se Kosova në disa fusha ka ndërtuar kapacitete jo më të vogla sesa që ka Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe ndonjë vend tjetër i rajonit.
 
Përveç mangësive teknike të plotësimit të këtyre nevojave që parashihen me standarde të BE-së, konsideroj që është edhe një pengesë politike. Pengesa politike është mosnjohja e shtetit të pavarur të Kosovës nga pesë vende të BE-së. Është pengesë politike edhe për liberalizimin e vizave, edhe për të dhënë një raport më vlerësues në disa segmente.
 
Sa i përket plotësimit të standardeve të pakicave, Kosova ka vendosur standarde të reja, që i tejkalojnë standardet e vendeve të rajonit, por edhe standardet e disa vendeve të Bashkimit Evropian. Në këtë segment, Kosova ka shënuar progres më shumë sesa që thuhet në Raportin e Progresit.
 
Sa i përket marrëdhënieve me fqinjët, Kosova ka një të arritur më të madhe në këtë raport. Nuk ka qenë Kosova problem për të ndërtuar marrëdhënie më të mira me fqinjët e në mënyrë të veçantë me Serbinë. Në raport të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, problemi në asnjë fushë nuk ka qenë Kosova. Problemi ka qenë dhe vazhdon të mbetet Serbia.