U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të Programit Fillestar për Arsimin Ligjor

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të Programit Fillestar për Arsimin Ligjor, organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës.

Me këtë rast, z.Krasniqi mbajti një fjalë si dhe ua dha diplomat kandidatëve të diplomuar për gjyqtarë dhe prokurorë.

Në vijim po japim fjalën e plotë të Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi:

E nderuara kryesi,

I nderuar zëvendësambasador i SHBA, z.Murphy,

I nderuar kryeprokuror i EULEX-it,

Zonja dhe zotërinj,

 

Është kënaqësi dhe nder për mua që sot marr pjesë dhe mund t’ju përshëndes në këtë ceremoni, me rastin e diplomimit të gjeneratës së dytë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë;

Është kënaqësi për mua kur mësoj faktin se ju keni përfunduar me sukses programin trajnues për arsimim ligjor.

Ju siguroj se ndjenja ime e kënaqësisë nuk është e motivuar thjesht nga atmosfera ceremoniale, por ka një bazë empirike dhe një imanencë jetësore.

Dikur, në moshën e rinisë së hershme, kur më ra hise të përballem me ligjësitë dhe paligjësitë, me të drejtën dhe padrejtësinë, dhe kjo s’ishte vetëm përvojë individuale, e kisha shndërruar në idealitet dhe aspiratë profesionalizmin dhe funksionin e ligjit, gjithnjë mbi ngrehinën e humanizmit.

Zonja dhe zotërinj të nderuar,

Ndoshta, nën ndikimin e manirit profesional e shkencor, kam vënë re se gjatë zhvillimit historik të së Drejtës, të shoqërisë njerëzore në rende e sisteme të ndryshme shoqërore, slogani më abuziv ka rezultuar të jetë formula “Në emër të popullit”. Formulë që, jo rrallë, e kanë shfrytëzuar pushtues, pushtete e oligarki të ndryshme, madje edhe ndaj vetë popullit, në emër të të cilit janë mbështetur.

Duke parë punën e Institutit tuaj, ngritur mbi eksperiencë dhe profesionalizëm, unë shoh farkën ku përgatiten kuadrot për ta bërë realitet të prekshëm funksionimin e Drejtësisë, ndaj dua t’ju përgëzoj e uroj.

Thuhet një fjalë, prokurorë dhe gjyqtarë, se suksesi është rezultat i vendimeve të drejta. Edhe pse në jetë nuk është lehtë të merren shpesh vendime të drejta, por suksesi varet nga vendimet e drejta që do të merrni ju në drejtësinë e Kosovës.

Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë, madje nevojë të ngutshme, për Institutin tuaj dhe punën e tij, për kuadrot tuaja të mbushur me dije e profesionalizëm.

Suksese të reja!